
Beja në Qafë Thanë: Aktiviteti doganor, drejt normalizimit
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja zhvilloi një inspektim në Degën Doganore Qafë Thanë për të ndjekur nga afër situatën në këtë pikë kufitare, pas vështirësive të krijuara nga bllokimi i qarkullimit në aksin rrugor Tiranë-Librazhd, që për disa ditë ndikoi edhe në lëvizjen e mjeteve të transportit dhe veçanërisht të kamionëve.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja zhvilloi një inspektim në Degën Doganore Qafë Thanë për të ndjekur nga afër situatën në këtë pikë kufitare, pas vështirësive të krijuara nga bllokimi i qarkullimit në aksin rrugor Tiranë-Librazhd, që për disa ditë ndikoi edhe në lëvizjen e mjeteve të transportit dhe veçanërisht të kamionëve.
Gjatë vizitës në terren, Beja u njoh me situatën aktuale dhe masat e marra për menaxhimin e fluksit, ndërsa aktiviteti në pikën doganore po rikthehet gradualisht në normalitet me rifillimin e qarkullimit të rregullt të mjeteve.
Në një prononcim gjatë inspektimit, Beja theksoi rëndësinë e rikthimit të normalitetit në këtë pikë të rëndësishme kufitare.
“Pas situatës së krijuar nga bllokimi i rrugës dhe vështirësive që pati qarkullimi i mjeteve të transportit, veçanërisht i kamionëve, puna në pikën doganore Qafë Thanë po rikthehet gradualisht në normalitet. Strukturat tona në terren kanë menaxhuar fluksin dhe vijojnë të garantojnë funksionimin e rregullt të procedurave doganore”, u shpreh ai.
Kreu i DPD-së, zhvilloi gjithashtu takime me drejtuesit dhe punonjësit e degës, ku u diskutua mbi funksionimin e procedurave doganore, menaxhimin e fluksit dhe rëndësinë e ruajtjes së standardeve të kontrollit dhe shërbimit.
Në kuadër të kësaj vizite, në Degën Doganore Qafë Thanë u zhvillua edhe një takim sensibilizues me stafin e Drejtorisë së Përgjithshme, pjesë e një fushate informuese që po realizohet në të gjitha degët doganore në vend nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.
Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të vizitës së monitorimit nga DG TAXUD (Directorate-General for Taxation and Customs Union) dhe synon rritjen e ndërgjegjësimit të administratës doganore shqiptare mbi kërkesat dhe standardet që lidhen me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimi Evropian.
Gjatë këtij takimi u prezantuan prioritetet që lidhen me përafrimin e legjislacionit dhe praktikave doganore me acquis të Bashkimit Evropian, si dhe roli i administratës doganore në këtë proces të rëndësishëm për vendin.
Burimi ATSH



















