
Universiteti i Tetovës, nga rezistenca në ekselencë
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi një vizitë në Universitetin e Tetovës, ku mbajti fjalim para pedagogëve dhe studentëve, duke theksuar rolin e këtij universiteti në hapësirën shqipfolëse dhe formimin e elitave konkuruese.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi një vizitë në Universitetin e Tetovës, ku mbajti fjalim para pedagogëve dhe studentëve, duke theksuar rolin e këtij universiteti në hapësirën shqipfolëse dhe formimin e elitave konkuruese.
“Marrëdhëniet dhe bashkëpunimi midis dy vendeve tona janë tradicionalisht të mira, miqësore, ku kontributi i faktorit shqiptar është i një roli të pazëvendësueshëm, një rol kyç. Fuqizimi i identitetit kombëtar dhe roli ynë euroatlantik janë dy anë të së njëjtës medalje”, tha Presidenti Begaj, duke nënvizuar rëndësinë e një faktori shqiptar të mirëshkolluar dhe të integruar.
Ai e cilësoi Universitetin e Tetovës si tempull të dijes, ngritur me rezistencë përballë vështirësive, dhe shtoi se “Autonomia reale nuk dhurohet. Ky universitet u krijua për të mos u nënshtruar. Sot ai duhet të mos kënaqet me minimumin, duhet të vendosë standardin te maksimumi”.
Presidenti Begaj ritheksoi se Universiteti ka detyrë të formësojë elitën vendimmarrëse dhe të prodhojë mendim strategjik. “Universiteti ka detyrimin të prodhojë mendim strategjik duke ofruar alternativa që kontribuojnë në kohezionin tonë social, në kohezionin tonë shumëetnik”, tha Begaj.
Duke iu drejtuar studentëve, Kreu i Shtetit u shpreh se “Jetojmë në një botë që po ndryshon me shpejtësi. Kujtoni, të dashur studentë, që rrënjët tuaja shqiptare janë këtu, ndaj unë ju ftoj që ta ndërtoni Evropën tuaj këtu, në shtëpinë tuaj, në Tetovën tuaj”.
Gjatë vizitës u nënshkrua edhe marrëveshja e bashkëpunimit mes Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Tetovës, nga rektorët Artan Hoxha dhe Jusuf Zejneli, për të thelluar shkëmbimet studentore, programet e përbashkëta kërkimore dhe platforma rajonale.
Burimi ATSH



















