
Xhamia Mbret e ndërtuar nga sulltan Bajaziti II në shekullin XV
Xhamia Mbret është një nga xhamitë kryesore të Beratit, e njëkohësisht nga më të vjetrat dhe më të frekuentuarat në Shqipëri.

Xhamia Mbret është një nga xhamitë kryesore të Beratit, e njëkohësisht nga më të vjetrat dhe më të frekuentuarat në Shqipëri.
Ajo është pjesë e kompleksit të Qendrës Islamike dhe është ndërtuar nga sulltan Bajaziti II, në fund të shekullit të XV. Xhamia Mbret përbëhet nga salla e lutjeve, portiku dhe minarja. Në sallën e lutjeve tavani masiv i pikturuar, mafili i gjerë me dy kate i mbështetur mbi dy shtylla druri, mihrabi në murin fundor dhe mimberi në anën e djathtë të mihrabit, formojnë strukturën dekorative të saj.
Në qendër të tavanit ka rozeta me mbishkrime të thënieve të ndryshme kuranore. Një frizë poshtë tavanit përmban 99 emrat e bukur të Zotit.
Salla e lutjeve paraprihet nga një portik i hapur. Portiku ka tavanin e tij dhe në murin verior të tij ndodhet një tjetër mihrab në mënyrë që besimtarët e shumtë të mund të falen edhe në portik. Portiku është më i ri se xhamia dhe është ndërtuar në fund të shekullit XVIII nga usta Dush Barka. Ai qarkohet nga një harkatë e mbështetur në kolona guri. Pjesa e sipërme e minares është rindërtuar vitet e fundit ndërsa bazamenti i saj është ndërtuar me teknikë klausonazhi dhe është një prej elementëve arkitektonikë që i përkasin ndërtimit të parë të xhamisë në shekullin XV. Nga jashtë, Xhamia Mbret është tërësisht e suvatuar dhe mbi suvatim është vizatuar për të imituar muraturën e saj.
Marrë nga ATSH



















