
Kuvend, miratohen ndryshimet ligjore për shërbimin e jashtëm dhe AKSHI-n
Kuvendi pas një seance maratonë miratoi në orët e para të ditës së sotme dy projektligje dhe pesë projektvendime.

Kuvendi pas një seance maratonë miratoi në orët e para të ditës së sotme dy projektligje dhe pesë projektvendime.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi në nisje të seancës së djeshme bëri me dije rendin e ditës si dhe njoftimet përkatëse, ndërsa u miratua procesverbali i seancës së datës 12 shkurt si dhe projektprogrami i punës së Kuvendit për periudhën 2 mars – 10 prill 2026 dhe projektkalendari i punimeve të Kuvendit për periudhën 2-20 mars 2026.
Seanca nisi punimet me interpelancën me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, kërkuar nga deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri, në lidhje me Parkun Teknologjik “Durana”.
Pas zhvillimit të interpelancës, punimet plenare vijuan me shqyrtimin e projektligjit “Për shërbimin e jashtëm në Republikën e Shqipërisë”, i cili u prezantua nga ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali.
Gjatë fjalës në seancë, Spiropali u shpreh se Shqipëria ka zgjedhur rrugën e saj me qartësi: anëtarësimin në Bashkimin Europian, përforcimin e aleancës transatlantike dhe një rol aktiv për stabilitetin në rajon.
Spiropali nënvizoi se kjo nuk është më një aspiratë abstrakte por një projekt konkret shtetëror.
Pas diskutimeve, projektligji në fjalë u miratua me 75 vota pro, 15 vota kundër dhe 1 abstenim.
Seanca shqyrtoi më tej projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 27/2018 “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”, i cili u prezantua nga deputetja nismëtare, Ina Zhupa.
Gjatë fjalës së saj Zhupa u shpreh se trashëgimia kulturore nuk mund t’i lihet në dorë një privati për të interpretuar historinë e vendit, për të interpretuar gjetjet arkeologjike apo për të përfituar nga fondet publike që gjenerohen prej saj.
Pas diskutimeve, projektligji në fjalë u rrëzua me 74 vota kundër, 17 pro dhe 0 abstenim.
Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 61/2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, u prezantua nga nismëtarja Jorida Tabaku.
Pas diskutimeve, projektligji në fjalë u rrëzua me 73 vota kundër, 17 pro dhe 1 abstenim.
Projektligji “Për një shtesë në ligjin nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, u prezantua nga nismëtarja Ina Zhupa.
Pas diskutimeve, projektligji në fjalë u rrëzua me 75 vota kundër, 17 pro dhe 0 abstenim.
Seanca vijoi më tej me shqyrtimin e projektligjit “Për një shtesë në ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin e vlerës së shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, nismë e tre deputetëve të Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, Tedi Blushi dhe Edmond Haxhinasto.
Pas diskutimeve, projektligji në fjalë u rrëzua me 73 vota kundër, 17 vota pro dhe 1 abstenim.
Ndërsa projektligji “Për statusin e minatorit”, nismë e deputetes së opozitës, Jorida Tabaku, u rrëzua me 74 vota kundër, 17 pro dhe 1 abstenim.
Punimet plenare vijuan me shqyrtimin e projektligjit “Për domosdoshmërinë e kryerjes së analizave laboratike për ndotësit ushqimorë”, i cili u prezantua nga deputeti Tedi Blushi.
Pas diskutimeve, projektligji në fjalë u rrëzua me 75 vota kundër, 17 vota pro dhe 0 abstenim.
Pika e radhës në rendin e ditës ishte projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 43/2023 “Për qeverisjen elektronike”, i cili u prezantua nga deputeti Erjon Malaj.
Pas diskutimeve, seanca plenare miratoi me 74 vota pro, 16 kundër dhe 0 abstenim projektligjin në fjalë.
Në seancë plenare u miratuan gjithashtu edhe pesë projektvendime, më konkretisht:
– Projektvendimi “Për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë”, u miratua me 74 vota pro, 16 kundër dhe 0 abstenim.
Selami Xhepa u zgjodh anëtar në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
– Projektvendimi “Për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë”, u miratua me 72 vota pro, 19 kundër dhe 1 abstenim.
Holta Zaçaj u zgjodh anëtare në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
– Projektvendimi “Për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë”, konkretisht të Matilda Shehu, me kërkesë të kryetarit të grupit parlamentar të PS, do të votohet në një seancë tjetër plenare.
– Projektvendimi “Për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë”, u miratua me 74 vota pro, 17 kundër dhe 0 abstenim.
Ervin Mete u zgjodh anëtar në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
– Projektvendimi “Për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë”, u miratua me 73 vota pro, 18 kundër dhe 0 abstenim.
Jonida Prifti u zgjodh anëtare në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
– Projektvendimi “Për miratimin e planit vjetor 2026, “Për zbatimin e programit të statistikave zyrtare 2022-2026”, u miratua me 74 vota pro, 15 kundër dhe 0 abstenim.
Seanca plenare i mbylli punimet rreth orës 04:15.
Marrë nga ATSH



















