Vengu: Komandant Kudusi Lama, kontribut të jashtëzakonshëm gjatë ngjarjeve të vitit 1999
Në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka përshëndetur me respekt komandant Kudusi Lama, duke vlerësuar kontributin e tij të jashtëzakonshëm gjatë ngjarjeve të vitit 1999.

Në mesazhin e tij, ministri Vengu thekson se gjeneral Lama, i cili drejtonte Divizionin e Këmbësorisë së Kukësit, siguroi transportin dhe mbrojtjen e refugjatëve shqiptarë nga Kosova drejt Shqipërisë, duke qëndruar përballë forcave jugosllave në momentet më kritike të konfliktit.
“Pa e vënë kurrë në dyshim misionin, bashkë me trupat nën komandë, ai tregoi guxim, vendosmëri dhe humanizëm të jashtëzakonshëm”, nënvizon ministri Vengu.
Vengu thekson se, përveç dhjetëra medaljeve të fituara gjatë karrierës, komandant Lama gëzon respektin dhe mirënjohjen e shqiptarëve nga të dyja anët e kufirit, duke mbetur një simbol i vlerave kombëtare dhe heroizmit në shërbim të popullit.
Burimi ATSH