
Sala takim në Romë me drejtuesit e Spitalit Pediatrik “Bambino Gesù”: Shkëmbim ekspertize me fokus trajtimin e sëmundjeve të rralla
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evis Sala, zhvilloi takim në Romë me Presidentin e Spitalit Pediatrik “Bambino Gesù”, Tiziano Onesti

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evis Sala, zhvilloi takim në Romë me Presidentin e Spitalit Pediatrik “Bambino Gesù”, Tiziano Onesti, ku u hodh hapi i parë drejt një bashkëpunimi zyrtar mes këtij institucioni prestigjioz dhe strukturave shëndetësore publike në Shqipëri.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale njofton se, bashkëpunimi synon mbështetjen e spitaleve publike në vend për rritjen e kapaciteteve profesionale dhe përmirësimin e shërbimeve pediatrike, me fokus të veçantë në trajtimin e sëmundjeve të rralla dhe atyre onkologjike.
Spitali “Bambino Gesù”, me mbi 150 vite eksperiencë dhe i njohur ndërkombëtarisht për ekselencën në trajtimin pediatrik, pritet të kontribuojë përmes shkëmbimit të ekspertizës, trajnimeve dhe forcimit të bashkëpunimit institucional.
Gjatë takimit në Romë, palët vlerësuan rëndësinë e thellimit të partneriteteve ndërkombëtare në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimeve shëndetësore për fëmijët dhe avancimit të praktikave mjekësore në Shqipëri.
Marrë nga ATSH


















