
Europa dhe Kina forcojnë lidhje strategjike
Vizitat e kryeministrave Starmer dhe Carney në Kinë shënuan një hap historik, edhe po të kemi parasysh marrëdhëniet e mëparshme të Britanisë së Madhe dhe Kanadasë me këtë fuqi globale

Nga Prof.Dr. Enver Bytyçië
Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Studimeve të Europës Juglindore
Para pak javësh Londra lejoi ndërtimin e ambasadës më të madhe në kryeqytetin britanik, atë të Republikës Popullore të Kinës. Kishte vite kur Pekini pati shpallur projektin në fjalë, por autoritetet angleze hezitonin të lejonin ndërtimin e kësaj ambasade kaq prestigjioze. Por leja e ndërtimit të saj duket se sinjalizoi diçka përtej kundërshtive të gjata. Atë se Britania e Madhe dëshiron të jetë aktor i rëndësishëm ndërmjet SHBA-ve dhe Republikës Popullore të Kinës.
Fill pas lejes së ndërtimit të ambasadës kineze në Londër kryeministri britanik, Keir Starmer udhëtoi për një vizitë tri ditore në Pekin. Është kjo një vizitë për të identifikuar mundësitë e bashkëpunimit, por edhe për të udhëhequr një dialog në fushat ku të dy vendet kanë dallime midis tyre. Këtë formulim përdori presidenti i Kinës, Xi Jinping, në konferencën e përbashkët për medie në përfundimi të takimit të tij me Starmer. Xi tha se Kina dhe Mbretëria e Bashkuar duhet të forcojnë dialogun dhe bashkëpunimin dhe se kjo do ta forconte paqen, stabilitetin, si edhe nevojat ekonomike për rritjen e mirëqenies në të dy vendet”. Afrimi i Mbretërisë së Bashkuar me Republikën Popullore të Kinës u përshëndet si kapitull i ri në marrëdhëniet midis tyre. Këtë etapë të re bashkëpunimi e çertifikoi presidenti kinez dhe kryeministri britanik përmes një darke të përbashkët, ku zakonisht mirëkuptimi midis tyre zë vend të veçantë. Ndërkaq kryeministri i Kinës, Li Qiang, nënshkroi një marrëveshje kooperimi midis të ty shteteve.
Para Starmer në Pekin ishin për vizitë gjithashtu kryeministri i Kanadasë dhe ai i Finlandës. Edhe këta dy autoritete të rëndësishme nisën një epokë të re bashkëpunimi me Republikën Popullore të Kinës. Kryeministri kanadez, Mark Carney realizoi një vizitë katërditore dhe e konsideroi atë si historike. Ai u takua dhe zhvilloi bisedime me presidentin Xi dhe kryeministrin Li. Rezultatet e kësaj vizite ishin spaktakolare. Kanadaja dhe Kina vendosën një partneritet strategjik, ndërkohë që autoritetet e Pekinit ranë dakord të ulin tarifat doganore për produktet bujqësore që importojnë nga Kanadaja. Gjithashtu të dy vendet vendosën të lëvizin pa viza midis tyre. Ishin këto tri rezultate të pamenduara më parë, ato që i dhanë marrëdhënieve kinezo-kanadeze një dimension të ri.

Presidenti kinez Xi Jinping takohet me kryeministrin britanik Keir Starmer, 29 janar 2026, Pekin/Foto nga Xinhua
Duke komentuar marrëdhëniet e reja me Republikën Popullore të Kinës, kryeministri kanadez tha në Samitin e Davos, se rendi i vjetër botëror nuk ekziston më dhe se në kushtet e reja i duhej të pozicionohej në interes të vendit të tij. Të njëjtën deklaratë bëri edhe kryeministri britanik, Kei Starmer, kur tha se vizita e tij në Pekin i shërben interesave të vendit të tij. Megjithatë presidenti amerikan, Donald Trump, i kritikoi këto dy vizita dhe paralajmëroi kreun e ekzekutivit britanik që të ketë kujdes në marrëdhëniet me Kinën. Në fakt duket qartë se është politika izoluese dhe e tarifave jo miqësore të SHBA-ve me vendet aleate të NATO-s shkaku themelor i afrimit midis këtyre vendeve dhe globale, Republikës Popullore të Kinës.
Vizitat e kryeministrave Starmer dhe Carney në Kinë shënuan një hap historik, edhe po të kemi parasysh marrëdhëniet e mëparshme të Britanisë së Madhe dhe Kanadasë me këtë fuqi globale. Britania ishte vendi më hezitues në të kaluarën në këto marrëdhënie, ndërsa Kanadaja i pati dëmtuar jo pak marrëdhëniet me Pekinin për shkak të arrestimit të menaxheres së kompanisë kineze Huawei. Edhe Emmanuel Macron e vizitoi Kinën në fund të vitit të kaluar e gjithashtu kancelari gjerman, Friedrich Merz, do të bëjë një vizitë në muajin shkurt.

Presidenti kinez Xi Jinping takohet me kryeministrin kanadez Mark Carney, 16 janar 2026, Pekin/Foto nga Xinhua
Këto zhvillime pritej të ndodhnin, sepse presioni i presidentit amerikan, Donald Trump, me vendosjen e tarifave tregtare, ishte i madh dhe i vazhdueshëm për gjithë periudhën e një viti të tij në Shtëpinë e Bardhë. Natyrshëm në kushte të tilla çdo vend do të përpiqet të gjejë mundësi alternative dhe Kina është e mbetet e hapur për bashkëpunimin ekonomik, tregtar dhe në investime me vendet e Bashkimit Europian dhe ato të NATO-s. Si alternativë Pekini u është përgjigjur me dashamirësi dëshirave për bashkëpunim, gjithnjë në kuadrin e politikës së tij për multilaterizëm dhe marrëdhënie normale ndërmjet vendeve të ndryshme. A mund ta shfrytëzojë Kina konfliktin tregtar të tarifave që shkakton politika e Trump? Çdo Fuqi e Madhe do ta bënte këtë. Por ajo që dallohet në rastin në fjalë ka të bëjë me faktin se autoritetet kineze nuk ndjekin politika detyruese dhe nuk sillen me arrogancë ndaj partnerëve. Edhe në rastin e vendosjes së tarifës tregtare me 100 përqind ndaj Kinës nga ana e presidentit Donald Trump, presidenti kinez, Ji Jinping, ishte sfidues me qasjen e tij gjakftohtë e të urtë. Gjithkush që do të kishte potencialet e fuqisë kineze do të reagonte me arrogancë. Por kjo nuk ndodhi. Pikërisht kjo e ka detyruar presidentin Trump që të kërkojë vazhdimisht një takim me presidentin Xi, duke shfaqur disa herë edhe qëndrime reflektuese.
Burimi CGTN


















