Salla takim me blegtorët: Mbështetje, shoqëruar me standarde të panegociueshme të sigurisë ushqimore
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, zhvilloi sot një takim me blegtorët prodhues të qumështit dhe mishit, për të dëgjuar sfidat e tyre dhe për t’i reflektuar në hartimin e Skemës Kombëtare të Mbështetjes për vitin 2026.

Ministri Salla theksoi se sektori i blegtorisë do të ketë një fokus të veçantë, me subvencione dhe mbështetje financiare të orientuara sipas nevojave reale të prodhuesve dhe brenda mundësive buxhetore. Ai shtoi se mbështetja do të zbatohet me rregulla të qarta dhe të zbatueshme.
“Mbështetja e blegtorëve do të shoqërohet me standarde të panegociueshme të sigurisë dhe cilësisë ushqimore. Formalizimi dhe forcimi i sektorit duhet të ecë krah për krah me rritjen e besimit të konsumatorit dhe konkurrueshmërisë së produkteve ‘Made in Albania’ në treg”, u shpreh ministri.
Takimi shërbeu si një platformë për të dëgjuar nevojat e prodhuesve dhe për të hartuar masa konkrete që synojnë zhvillimin e qëndrueshëm të blegtorisë në vend.
Burimi ATSH