
Netanyahu: Rritje gati 1000% e turistëve izraelitë drejt Shqipërisë
Në një seancë plenare speciale të mbajtur në Knesset, parlamentin e Izraelit, ku merrte pjesë kryeministri Edi Rama, kryeministri Benjamin Netanyahu vlerësoi turizmin si një sektor kyç në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit, duke theksuar rritjen e ndjeshme të numrit të turistëve izraelitë që vizitojnë Shqipërinë.

Në një seancë plenare speciale të mbajtur në Knesset, parlamentin e Izraelit, ku merrte pjesë kryeministri Edi Rama, kryeministri Benjamin Netanyahu vlerësoi turizmin si një sektor kyç në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit, duke theksuar rritjen e ndjeshme të numrit të turistëve izraelitë që vizitojnë Shqipërinë.
“Turistët izraelitë janë njerëz të zgjuar, dinë çfarë thonë dhe çfarë zgjedhin. Ata kanë njohur tashmë një destinacion të jashtëzakonshëm turistik dhe shumë të veçantë për ta dhe shohim një rritje me gati 1000% të izraelitëve që shkojnë dhe vizitojnë Shqipërinë, sepse e admirojnë Shqipërinë dhe do të jenë gjithnjë e më shumë”, u shpreh Netanyahu.
Ai vlerësoi bukuritë natyrore të vendit dhe zhvillimin estetik të Shqipërisë vitet e fundit.
“Edhe falë shijes tuaj estetike, po e bëni Shqipërinë gjithnjë e më të bukur. Është një nga vendet më të mira, me natyrë dhe pyje të bukura. Duhet të shkoni në Shqipëri”, tha Kryeministri izraelit.
Netanyahu theksoi se lidhja mes dy vendeve shkon përtej turizmit.
“Kemi parë broshura shumë të bukura që vijnë edhe nga vende të tjera, por kemi një lidhje të veçantë me Shqipërinë”, u shpreh ai.
Në fjalën e tij, Kryeministri izraelit vlerësoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama, duke theksuar profilin e tij artistik.
“I dashur Edi, mik i dashur, ju keni një lidhje unike me shtetin e Izraelit, por ajo që njerëzit dinë më pak është se ju jeni një piktor i mrekullueshëm. Libri që më dhuruat me pikturat është i jashtëzakonshëm, kombinimi i ngjyrave është i mrekullueshëm”, tha Netanyahu.
Ai shtoi se ky vizion artistik reflektohet edhe në transformimin urban të Shqipërisë. “Ky kombinim gjendet tashmë në Tiranë. Në Jerusalem nuk mund ta bëjmë këtë për shkak të gurëve historikë, por mund të na ndihmoni për qytete të tjera”, u shpreh ai.
Duke përmbyllur fjalën e tij, Kryeministri izraelit theksoi angazhimin për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe. “Ne do të bëjmë atë që është më e mira për Shqipërinë dhe Izraelin”, përfundoi Netanyahu.
Burimi ATSH



















