
Binaj: Rritje larg pritshmërive e fondit të pagave nga vetëdeklarimet, vijojmë formalizimin në sektorin e ndërtimit
Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj deklaroi sot, se krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, ka një rritje të moderuar të fondit të pagave me rreth 9%.

Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj deklaroi sot, se krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, ka një rritje të moderuar të fondit të pagave me rreth 9%.
Deklarata e Binajt erdhi gjatë konferencës për shtyp me gazetarët, ku i pranishëm ishte edhe ministri i Financave, Petrit Malaj.
Binaj tha se” lufta ndaj informalitetit në funksion të rritjes së pensioneve mbetet një nga prioritetet kryesore të Administratës Tatimore edhe gjatë vitit 2026, së bashku me disa prioritete të tjera që janë zbatimi i Paketës Fiskale, Paqja Fiskale, rimbursimi i DIVA-s për individët, rimbursimi i TVSH-së për fermerët dhe harmonizimi i legjislacionit me BE-në në lidhje me kapitullin 16, Tatimet”.
“Aksioni ndaj informalitetit në ndërtim filloi me disa takime informuese me Dhomat e Tregtisë gjatë muajve nëntor, dhjetor 2025. Më tej, Tatimet publikuan pagat indikative në sektorin e ndërtimit që afektonin rreth 120 mijë punonjës dhe ftoi rreth 14 mijë biznese të përfshira në këtë sektor që të reflektonin pagat reale deri në 15 janar 2026”, tha ai.
“Nga vetëdeklarimet e bëra për pagat në 20 janar 2026 rezultoi një rritje e moderuar e fondit të pagave prej 9% krahasuar me shtatorin 2025. Kjo është larg pritshmërive tona, prandaj aksioni për formalizimin e pagave në sektorin e ndërtimit do të vazhdojë”, tha Binaj.
Binaj theksoi se faza e parë sapo ka filluar dhe ka të bëjë me mbledhjen e të dhënave të shitjes në agjencitë imobiliare, por edhe formalizmin e tyre.
“Nga aksioni i strukturave të hetimit dhe kontrolli në terren u morën databazat reale të shitjes nga agjencitë kryesore imobiliare, të cilat do të përdoren për të rivlerësuar të gjithë ato ndërtues që nuk deklarojnë pagat reale të punonjësve. Faza e dytë do të fokusohet te nënkontraktorët, të cilët nuk kanë reflektuar në lidhje me pagat dhe ndaj tyre do të bëhen rivlerësime reale të shitjes. Do të investigohen paratë e dyshimta dhe do të raportohen te Drejtoria e Pastrimit të Parave për veprime të mëtejshme”, tha Binaj, ndërsa theksoi se faza e tretë do të fokusohet te ndërtuesit.
Sipas tij, drejtoria e riskut do të identifikojë ata ndërtues që nuk kanë reflektuar në dy fazat e para dhe do kontrollohen duke përdorur informacionet e marra.
Binaj shtoi se “informimi i bizneseve do të jetë intensiv për t’i edukuar ata drejt vetëkorrigjimit”.
“Qëllimi i Administratës Tatimore është edukimi i bizneseve drejt formalizimit të pagave, jo penalizimi i tyre. Aksioni është planifikuar të përfundojë në 23 maj 2026. Përveç ndërtimit në fokus do të jetë edhe turizmi dhe siguria ushqimore për të cilat po përgatiten plane operacionale specifike”, tha ai.
Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, informoi se risi për vitin 2026 do të jetë trajtimi i infomacioneve që vijnë nga palët e treta në kuadër të shkëmbimit të informacionit për të dhënat bankare në 80 vende të botës.
“Të dhënat bankare të shtetasve shqiptarë në vendet e huaja do të kontrollohen për burimin e të ardhurave nga strukturat tona të specializuara. Ne do të përdorim të gjithë fuqinë që na jep ligji për të dekurajuar evazionin me kontributet për pensionet”, tha ai.
“Aksioni kundër informalitetit në ndërtim ka hyrë në një rrugë të pakthyeshme, kërkohet angazhimi i bizneseve, qytetarë që mund të na japin informacion të vlefshëm duke denoncuar fenomenin e mosdeklarimit të pagave në kanalet zyrtare të Tatimeve”, përfundoi Binaj.
Burimi ATSH



















