
Ekonomia e Kinës – Siguri në kohë të paqendrueshme
Të dhënat nga Byroja Kombëtare e Statistikave tregojnë qartë faktin se ekonomia e Kinës ecën dhe zhvillohet e sigurt, përballë paqëndrueshmërisë së tregjeve në shumë zona të globit.

Nga Prof. Dr. Enriko Ceko
Sapo janë publikuar të dhënat kryesore të performancës së ekonomisë kineze për vitin 2025. Të dhënat nga Byroja Kombëtare e Statistikave tregojnë qartë faktin se ekonomia e Kinës ecën dhe zhvillohet e sigurt, përballë paqëndrueshmërisë së tregjeve në shumë zona të globit.
Sipas Byrosë Kombëtare të Statistikave, PBB-ja e Kinës në vitin 2025 është zgjeruar me 5%, duke përmbushur objektivin vjetor të rritjes dhe duke tejkaluar për herë të parë shifrën 140 trilion juanë. Në tremujorin e parë, PBB-ja e vendit u rrit me 5.4%, në tremujorin e dytë 5.2%, në tremujorin e tretë me 4.8% dhe në tremujorin e katërt, PBB-ja e Kinës u rrit me 4.5%, shifra këto të krahasuara me të njëjtat periudha të vitit 2024 (pra me katër tremujorët).
Në vitin 2025, prodhimi industrial me vlerë të shtuar në Kinë u rrit me 5.9 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2024, ndërsa investimet në asete fikse ranë me 3.8 përqind nga viti në vit. Shitjet me pakicë të mallrave të konsumit në Kinë u rritën me 3.7 përqind nga viti në vit vitin e kaluar. Konkretisht, prodhimi i shërbimeve me vlerë të shtuar në vitin 2025 u rrit me 5.4%, krahasuar me vitin 2024.

Foto nga VCG
Sipas Kang Yi, kreu i Byrosë Kombëtare të Statistikave, indeksi që mat prodhimin e industrisë së shërbimeve në vend u rrit në vitin 2025 me 5%, krahasuar me vitin 2024 dhe prodhimi me vlerë të shtuar i sektorëve të transmetimit të informacionit, softuerëve dhe shërbimeve të IT-së u rrit me 11.1%, ndërsa ai i qirasë dhe shërbimeve të biznesit u zgjerua me 10.3%, krahasuar me një vit më parë.
Në konferencën për shtyp me këtë rast, Byroja Kombëtare e Statistikave e Kinës informon publikun se edhe “sektorët e tjerë kryesorë të shërbimeve kanë regjistruan gjithashtu rritje të prodhimit. Transporti, magazinimi dhe shërbimet postare janë rritur me 5.2%, tregtia me shumicë dhe pakicë me 5.0% dhe shërbimet e akomodimit dhe ushqimit me 4.9%”. Edhe shitjet me pakicë kanë rezultuar me rritje 5.5%, duke shënuar një rritje me më shumë se 1.7 pikë përqindjeje.
Sipas Kang, “ndërsa standardet e jetesës përmirësohen, konsumi i banorëve po zhvendoset drejt një ekuilibri më të madh midis mallrave dhe shërbimeve, duke bërë të mundur që sektori i shërbimeve të çlirojë potencialin e vet”. Në fakt, në vitin 2025, shpenzimet për shërbime përbënin 46.1% të konsumit për çdo banor dhe kjo prirje po nxitet nga sensi i inovaccionit dhe kjo në shkallë kombëtare, sens inovacioni që ka prekur (1) pjesën e shërbimeve për konsumatorët dhe (2) përmirësimin në përgjithësi të mjedisit për konsum, duke sjellë edhe më shumë rritje dhe edhe më shumë gjallëri në veprimtari dhe sektorë të tillë si kultura, turizmi, argëtimi dhe veprimtaritë ngjarjet sportive.
Paralelisht, nivele të larta të veprimtarisë së biznesit përjetuan edhe telekomunikacioni, sektori i transmetimeve, përfshirë transmetimin satelitor si dhe shërbimet monetare dhe financiare, si pjesë shumë e rëndësishme e sektorit të shërbimeve të tregut të kapitaleve.

Foto nga VCG
Sipas këtyre të dhënave është e dukshme se ekonomia e Kinës në vitin 2025, në rang kombëtar, ruajti vrullin e përparimit të qëndrueshëm, pavarësisht presioneve të shumta kryesisht me karakter të jashtëm ndërsa zhvillimi me cilësi të lartë shënoi arritje të reja. Fakti që në tërësi trajektorja e përgjithshme e ekonomisë pati tendencë rritjeje, edhe pse struktura ekonomike e Kinës është ndër më të kompletuarat dhe më komplekset në botë, tregon se optimizmi i kësaj ekonomie do jetë prezent për një kohë shumë të gjatë, duke demonstruar qëndrueshmëri të fortë përballë pasigurive të shumta, përfshirë këtu edhe aspektet e tarifave të SHBA-së, etj.
Përgjatë vitit 2025 Kina bëri përpjekje për të përmirësuar kërkesën e brendshme, të forcojë sektorin e tregut të pronave, të zhvillojë industri të tilla si teknologjia e lartë dhe prodhimi i avancuar, etj., gjë që tregon se zhvillimi i forcave të reja prodhuese cilësore të Kinës është duke u përgatitur zhvilluar si dhe u kthye në një nxitës i spikatur i ekonomisë për vitin 2025.
Parë këto zhvillime në aspektin e tregtisë me jashtë, tregojnë se përgjatë vitit 2025 ka patur një kërkesë shumë të fortë në botë për eksporte të mallrave kineze dhe kjo ndikoi edhe në rritjen e prodhimit industrial. Në vitin 2025, tregtia e jashtme e mallrave e Kinës u rrit me 3.8%, krahasuar me vitin 2024, duke arritur në 45.47 trilion juanë (6.51 trilionë dollarë), një rekord të ri ky, pasi për herë të parë volume tregtar i Kinës tejkaloi shifrën 45 trilion juanë. Ndërkaq, sipas të dhënave zyrtare, edhe tregu i brendshëm tregoi se pati një qëndrueshmëri në rritje, duket se edhe nga një mori masash të ndërmarra për të stimuluar kërkesën e konsumatorit, shtuar këtu shpenzimet e kryera nga popullata e Kinës përgjatë festave tetë-ditore të Ditës Kombëtare dhe Festës së Mesit të Vjeshtës. Rritja e ndjeshme e konsumit vendas, në fakt sinjalizon se struktura ekonomike e Kinës po bëhet gjithnjë e më e ekuilibruar dhe edhe më shumë elastike.
Kërkesa e jashtme e plotësuar më së miri dhe kërkesa e brendshme e kompletuar në tërësinë e mallrave dhe shërbime në tregun vendas, që janë ofruar me cilësinë maksimale të mundshme, e pozicionojnë tashmë Kinën si një lokomotivë të ekonomisë botërore.

Foto nga VCG
Sipas ekspertëve, “Viti 2026 duket se ka hyrë me pozitivitet dhe qëndrueshmëri dhe kjo nuk është thjesht çështje financiare dhe psikologjike. Viti 2026 është viti i fillimit të Planit të 15-të Pesëvjeçar të Kinës (2026-30). Padyshim që rritja ekonomike do vazhdojë të jetë me prirje zgjerimi dhe perspektiva shumëdimensionale e Kinës është edhe më shumë se optimiste, pavarësisht pasigurive globale. Kina synon që në vitin 2026 dhe në vazhdim të zhvillojë dhe zbatojë edhe më shumë dhe edhe më thellë inteligjencën artificiale në pothuajse të tërë sektorët, përfshirë sistemin e saj të plotë industrial, tregun ultra të madh dhe mjediset e pasura të aplikimit, duke luajtur një rol të rëndësishëm në stimulimin e konsumit, përmirësimin e efikasitetit operacional industrial dhe zbutjen e çekuilibrave strukturorë të ofertës dhe kërkesës. Kjo do mundësojë edhe krijimin e industrive të reja dhe modeleve të reja të biznesi, duke injektuar nxitës të rinj rritjeje në ekonominë e Kinës”.
Standard Chartered, banka e mirënjohur shumëkombëshe me seli në Mbretërinë e Bashkuar, parashikon se “PBB e Kinës në vitin 2026 do të rritet me rreth 4.6% dhe, Kina përgjatë vitit 2026 do përqendrohet në promovimin e rritjes së nxitur nga teknologjia me një theks më të madh në kërkesën e brendshme”.
Goldman Sachs Research, parashikon që në vitin 2026 (1) ekonomia kineze të rritet me 4.8%, (2) eksportet të rriten dhe (3) të bjerë presioni i ngadalësimit të tregut të pronave.
Sidoqoftë, shifrat janë njëra anë e medaljes. Ana tjetër, që është ana më e rëndësishme ka të bëjë me faktin se ekonomia e Kinës përmbush objektivat duke ofruar siguri në një botë të paqëndrueshme.
Burimi CGTN



















