
Gogu: Dekriminalizohet shpifja për gazetarët, transparencë pronësisë së televizioneve
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, njoftoi sot se një prej nismave ligjore që do të diskutohet në Kuvend, në kuadër të procesit reformues për integrimin në Bashkimin Europian, është ligji për median.

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, njoftoi sot se një prej nismave ligjore që do të diskutohet në Kuvend, në kuadër të procesit reformues për integrimin në Bashkimin Europian, është ligji për median.
Sipas ministrit Gogu, ndryshimet përfshijnë dekriminalizimin e shpifjes për gazetarët, duke forcuar dhe mbrojtur rolin e tyre në shoqëri, si dhe garantimin e transparencës mbi pronësinë së platformave televizive.
Deklaratën Gogu e bëri gjatë një konference për median, të zhvilluar në Kryeministri, me fokus “fazën e re të negociatave me Bashkimin Europian dhe angazhimin politik për t’ia dalë mbanë”.
Në konferencë ishin të pranishme edhe Majlinda Dhuka, ministre Shteti dhe Kryenegociatore, si dhe Adea Pirdeni, ministre Shteti për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.
Gogu bëri me dije se “një pjesë e rëndësishme e nismave ligjore lidhet me median dhe rolin e saj në shoqëri. Ligji për përmirësimin e medias audiovizive ka në fokus transparencën e platformave televizive, ku publiku ka të drejtë të dijë pronësinë dhe aktorët që qëndrojnë pas medieve. Vitin e kaluar kemi bërë një punë të jashtëzakonshme për luftën ndaj dezinformimit”.
Ai shtoi se “një tjetër element i rëndësishëm lidhet me mbrojtjen e gazetarëve në rolin e tyre jetik për demokracinë. Dekriminalizimi i shpifjes do të garantojë që gazetarët të jenë të çliruar nga barra e shpifjes, kur veprojnë në mirëbesim dhe përpiqen të pasqyrojnë zhvillimet e fundit. Kjo është një nga gurët themelorë të paketës ligjore, që më pas përkthehet në standardet europiane të BE-së në jetën e përditshme”.
Një tjetër paketë ligjore është ajo që lidhet me mbrojtjen e familjes.
“Familjet shqiptare janë duke u përplasur me përbindëshin e dhunës, prandaj janë propozuar ndryshime ligjore për forcimin e mbrojtjes së familjes nga dhuna, zonjave, por dhe më të dobtëve, pasi nga dhuna preken edhe të miturit, prandaj fuqizojmë mekanizmin koordinues dhe mekanizmin reagues të ndërhyrjes”, tha Gogu.
“Ndryshimet e tjera kanë të bëjnë me luftën ndaj korrupsionit, me luftën ndaj krimit, që kanë të bëjmë me ato propozime që bëhen në Kodin Penal, edhe janë disa projektligje që forcojnë luftën ndaj narkotikëve, që janë pjesë e paketës. Më pas do të ketë dhe ndryshime në ligjin për rolin e komisioneve hetimore etj.”, tha Gogu.
Burimi ATSH



















