
Spiropali: Hapa historikë drejt BE-së në 2025-ën, vijojmë procesin me vendosmëri
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropalli, përcolli sot një mesazh urimi në prag të ndërrimit të viteve, duke vlerësuar 2025-ën si një vit sfidash, por edhe arritjesh të rëndësishme për Shqipërinë, veçanërisht në rrugën e integrimit evropian.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropalli, përcolli sot një mesazh urimi në prag të ndërrimit të viteve, duke vlerësuar 2025-ën si një vit sfidash, por edhe arritjesh të rëndësishme për Shqipërinë, veçanërisht në rrugën e integrimit evropian.
Në mesazhin e saj, Spiropali theksoi se arritja më domethënëse e vitit që po mbyllet ishte hapja e të gjithë grupkapitujve të negociatave me Bashkimin Evropian brenda vetëm 13 muajsh, një ritëm i paprecedent për një vend kandidat.
Sipas saj, Shqipëria është sot vendi që ecën më shpejt drejt familjes së saj natyrale evropiane dhe se procesi i integrimit nuk matet më me “nëse”, por me “kur”.
Ministrja vuri në dukje se sfida më e madhe nis tani, pasi shpejtësia e hapjes së grupkapitujve duhet të shoqërohet me të njëjtin intensitet reformash shtetndërtuese dhe me përmbushjen e të gjitha kushteve të kërkuara.
Ajo nënvizoi se në vitin 2026 qeveria do të vijojë ta udhëheqë këtë proces me vizion dhe vendosmëri, duke forcuar bashkëpunimin e ngushtë me partnerët evropianë.
Duke u ndalur te diaspora, Spiropalli tha se viti 2025 do të mbahet mend si viti kur u bë realitet premtimi për votën e diasporës, ndërsa theksoi se të drejtat e shqiptarëve nuk fillojnë dhe nuk mbarojnë te kutia e votimit. Sipas saj, ligji i ri për diasporën krijon për herë të parë një mekanizëm të unifikuar që mbron dhe promovon të drejtat e shqiptarëve kudo, nga Tirana deri në Kaliforni.
Në fushën e politikës së jashtme, ministrja theksoi se vizitat diplomatike në vende të ndryshme dhe pritja në Tiranë e partnerëve ndërkombëtarë dëshmojnë se diplomacia shqiptare është më aktive, më e besueshme dhe më e respektuar se kurrë më parë.
“Viti i ri na gjen në një stad të ri, me përgjegjësi dhe ambicie më të larta”, u shpreh Spiropalli, duke shtuar se 2026 do të nisë me pensione dhe paga më të larta, rritje rekord të investimeve dhe një trend të përshpejtuar të rritjes ekonomike.
Ajo theksoi se objektivi kryesor mbetet përmbyllja e reformave shtetndërtuese, avancimi i negociatave dhe garantimi i respektit dhe dinjitetit për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo në botë, ndërsa diplomacia shqiptare do të vijojë të mbështesë këtë realitet të ri dhe të bëjë që zëri i arsyes dhe i Evropës të dëgjohet për Shqipërinë dhe qytetarët e saj.
Marrë nga ATSH



















