
Rama viziton kantierin e “Kengo Art Park”, qendër e re për artin dhe kulturën
Kryeministri Edi Rama inspektoi sot kantierin e “Kengo Art Park”, një projekt që po ndërtohet në mes të natyrës së Petrelës e që do të shërbejë si një qendër e re për artin dhe kulturën.

Kryeministri Edi Rama inspektoi sot kantierin e “Kengo Art Park”, një projekt që po ndërtohet në mes të natyrës së Petrelës e që do të shërbejë si një qendër e re për artin dhe kulturën.
I projektuar nga mjeshtri i arkitekturës, japonezi Kengo Kuma, ky park shtrihet në një sipërfaqe prej 32 mijë metra katrorë dhe vjen në vazhdën e investimeve të qeverisë për transformimin e aseteve publike duke i kthyer godinat e amortizuara, në qendra arti, kulture, ekspozimi, inovacioni, e hapësira socializimi për të rinjtë.
I shoqëruar nga drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, kryeministri ndoqi nga afër punën që po kryhet në këtë kantier, i cili do të shndërrohet në një park ku do të gjejnë hapësirën e tyre të gjitha moshat.
Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, shpjegoi se projekti shtrihet në dy zona kryesore dhe se kanë përfunduar të gjitha punimet e përforcimit të strukturave ekzistuese, të cilat ishin të degraduara dhe janë rindërtuar nga e para, duke respektuar kërkesat e veçanta arkitekturore të projektit.
“Këto ishin godina të rrënuara. Tani ka filluar të bëhet edhe pjesa e suvatimeve të brendshme që po realizohet me suva artistike dhe kundër lagështirës”, tha ai.
Agolli theksoi se ky projekt vjen në vazhdën e projekteve që qeveria shqiptare ka ndërmarrë për transformimin e aseteve publike që kanë degraduar, duke i kthyer në qendra zhvillimi si nga pikëpamja arkitekturore edhe nga pikëpamja funksionale.
Me përfundimin e këtij projekti, Agolli u shpreh se do të kemi një qendër arti, novacioni dhe kulture dhe një qendër socializimi për të rinjtë dhe fëmijët.
Ndërkohë, ai informoi se në një pjesë të mirë të projektit arkitekti ka dashur të ruajë memorien historike të këtyre godinave.
Parku do të përfshijë pavijone ekspozimi të përhershme dhe të përkohshme, ambiente për workshope dhe punishte arti, shtëpi për artistë, hapësira administrative, si edhe zona shërbimi si bar-restorant dhe ambiente pritjeje e informacioni.
Një element i veçantë i projektit është krijimi i shesheve dhe hapësirave të hapura, përfshirë një strukturë që funksionon si një amfiteatër natyror, e përshtatshme për evente kulturore dhe artistike të ndryshme, duke e kthyer parkun në një hapësirë dinamike socializimi për të rinjtë dhe familjet.
Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli tha se sipas planit të zbatimit, “Kengo Art Park” pritet të përfundojë në shtator të vitit të ardhshëm.
Me një sipërfaqe ndërtimi prej rreth 7 400 metrash katrorë, ky projekt do të jetë një nga hapësirat më të mëdha të artit, kulturës dhe ekspozimit në Tiranë, duke shtuar një tjetër pikë referimi në hartën kulturore dhe turistike të vendit.
Burimi ATSH



















