
Rama thirrje ndërtuesve: Deklaroni pagat reale të punonjësve
Kryeministri Edi Rama u bëri sot thirrje ndërtuesve që të deklarojnë pagat reale të punonjësve.

Kryeministri Edi Rama u bëri sot thirrje ndërtuesve që të deklarojnë pagat reale të punonjësve.
Në një takim me sipërmarrës nga sektorë të ndryshëm, ku u diskutua mbi Paqen Fiskale, Rama u shpreh se “Çfarë mbështetje kërkoni akoma kur deklaroni punonjës me 50 mijë lekë. E dimë shumë mirë se nuk ekziston punonjës me 50 mijë lekë, me pagë minimale në ndërtim, jo në Tiranë por askund. Nuk të vjen njeri me 50 mijë lekë të të shtrojë një pllakë jo më të marri rrogë”, u shpreh Rama.
Ndërkohë, Rama theksoi se sektori i ndërtimit vijon ende të deklarojë paga minimale.
“Nuk keni faj ju, na i ka lidhur duart Gjykata Kushtetuese para disa viteve që ka vendosur që ne nuk mund t’ju vendosim tavan dhe ju luani. Por bëjini deklarimet dhe jo vetëm paguajini njerëzit, por i deklaroni me ato paga”, iu drejtua Rama ndërtuesve.
Sipas tij, sektori i ndërtimit është sektori me më shumë fitim në Shqipëri dhe sektori ku shfrytëzohen punonjësit më shumë se në çdo sektor tjetër.
“Tani keni filluar ta kuptoni, pak si vonë, se nuk luhet me punonjësit sepse nuk gjen punonjës. Tani që mos t’ju ngelen ndërtimet pa bërë, shkundini mirë xhepat se i keni të fryrë shumë dhe paguani punonjësit me 1000 euro apo 1500 euro rrogë”, tha Rama.
Marrë nga ATSH



















