
Rama: Përgatitja e fermerëve për anëtarësimin në BE duhet të nisë që tani
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se përgatitja e fermerëve shqiptarë për anëtarësimin në Bashkimin Europian duhet të nisë që tani dhe të jetë një proces i përditshëm, i fokusuar te investimi në dije, burime njerëzore dhe standarde cilësie.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se përgatitja e fermerëve shqiptarë për anëtarësimin në Bashkimin Europian duhet të nisë që tani dhe të jetë një proces i përditshëm, i fokusuar te investimi në dije, burime njerëzore dhe standarde cilësie.
Gjatë aktivitetit “Me fermerët në Shqipërinë 2030”, ku u prezantuan mekanizmat praktikë për përgatitjen hap pas hapi drejt BE-së, Rama u bëri thirrje sipërmarrësve të sektorit bujqësor që të mos humbasin asnjë ditë pa investuar në zhvillimin e kapaciteteve të tyre.
“Mos lini ditë të kalojë pa investuar tek mendja e kompanisë, pa investuar tek fuqia njerëzore e kompanisë. Mos lini ditë të kalojë pa trajnuar dhe pa përditësuar dijen”, u shpreh Kryeministri.
Sipas Ramës, mungesa e dijes dhe e përgatitjes ka sjellë falimentime të menjëhershme në vende të tjera në momentin e hapjes së tregut europian.
“Dija është ajo që, kur ka munguar, ka sjellë falimentim të menjëhershëm në momentin e hapjes së dyerve të BE-së. Vendoset dryni dhe nuk të pranon më njeri ato që prodhon”, tha ai.
Kreu i qeverisë theksoi se pas anëtarësimit në BE, Shqipëria nuk do të trajtohet më si vend eksportues nga jashtë BE-së, por si pjesë e tregut të brendshëm europian, ku standardet janë shumë më të rrepta.
“Sot, ti je një fermer që prodhon jashtë BE-së dhe kontrollohesh përpara se të hysh atje. Nesër ti do prodhosh në një vend të BE-së. Është njësoj si të prodhosh në Lushnje për Tiranën. Nëse je problem për sigurinë ushqimore, bllokohesh aty dhe mbaron”, nënvizoi Rama.
Ai shtoi se instrumentet e kontrollit dhe mënyra e funksionimit të fermave në tregun e përbashkët europian janë shumë më rigoroze krahasuar me realitetin aktual në Shqipëri.
“Rreptësia, rigoroziteti, saktësia dhe cilësia në BE nuk kanë asnjë krahasim me atë që bëjmë sot këtu”, deklaroi Kryeministri.
Rama e cilësoi si përgjegjësi të përbashkët përgatitjen për këtë fazë, duke theksuar rolin e shtetit në informimin e fermerëve dhe detyrimin e tyre për t’u përditësuar vazhdimisht.
“Do të ishte fatkeqësi që Shqipëria të bëhej anëtare e BE-së dhe qoftë edhe një sipërmarrës i vetëm të thoshte: nuk e dinim me çfarë kushtesh do përballeshim”, u shpreh ai.
Në përfundim, Kryeministri theksoi se kjo periudhë duhet shfrytëzuar për të rritur kapacitetet dhe për të forcuar një sektor që, sipas tij, është jetik për zhvillimin e vendit.
“Detyra jonë është t’ju informojmë sa më shumë dhe në mënyrë sa më sistematike. Detyra juaj është të informoheni dhe të kërkoni vazhdimisht të dini çfarë duhet të bëni për të qenë gati”, theksoi Rama.
Pas çeljes së Grupit të Kapitullit 5 në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare, hapet kështu një fazë e re për bujqësinë shqiptare, me kapitujt 11, 12 dhe 13 në qendër të reformave drejt Bashkimit Europian.
Burimi ATSH



















