
Dron për monitorimin inteligjent të kulturave bujqësore në Fushë-Krujë e Shkodër
Kryeministri Edi Rama solli sot në vëmendje këtë risi që po përdoret në bujqësi, duke u ardhur në ndihmë fermerëve.

Për herë të parë një dron bujqësor është vënë në dispozicion si mjet pune për monitorimin në kohë reale të kulturave bujqësore në zonën e Fushë-Krujës dhe Shkodrës.
Kryeministri Edi Rama solli sot në vëmendje këtë risi që po përdoret në bujqësi, duke u ardhur në ndihmë fermerëve.
Rama theksoi se droni ndihmon në vlerësimin e shëndetit të bimëve dhe përdorimin më efikas të inputeve, duke ulur kostot, rritur rendimentin dhe cilësinë e prodhimit.
Ky dron, sipas tij, do t’u shërbejë fermerëve dhe Qendrave të Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Fushë-Krujë dhe Shkodër.
“Bujqësia inteligjente është pjesë e vizionit tonë Bujqësia 2030, për një sektor më të qëndrueshëm dhe konkurrues, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian”, tha Rama.
Bujqësia inteligjente është ende një nocion i ri për vendin tonë por që shihet me shumë interes nga sipërmarrjet bujqësoren.
Në Shqipëri kanë filluar të aplikohen elementë të bujqësisë precize. GPS dhe imazhet satelitore për hartëzimin e tokave bujqësore po përdoren nga fermerët për një trajtim të personalizuar të sipërfaqes së tokës.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, prezantoi sot në Qendrën e Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Fushë-Krujë teknologjinë më të re në shërbim të bujqësisë shqiptare.
Gjatë aktivitetit, Ministri Salla theksoi rëndësinë e këtij investimi për modernizimin e sektorit bujqësor dhe mbështetjen konkrete për fermerët.
Sipas tij, përdorimi i dronit do të mbulojë një sërë procesesh të rëndësishme në bujqësi, duke rritur efikasitetin dhe duke ulur kostot për fermerët. “Shpresoj që të avancojmë më tej dhe ta shtojmë flotën e dronëve, në mënyrë që kjo teknologji të shtrihet edhe më gjerë në shërbim të fermerëve,” shtoi Ministri Salla.
Investimi realizohet në kuadër të projektit TYPIC-AL, i financuar nga Qeveria Italiane, zbatuar nga CIHEAM Bari dhe në partneritet me AICS, me qëllim modernizimin e sektorit bujqësor përmes teknologjisë së avancuar. Droni bujqësor do të shërbejë si mjet pune për monitorimin në kohë reale të kulturave, vlerësimin e shëndetit të bimëve dhe përdorimin më efikas të inputeve, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e rendimentit dhe cilësisë së prodhimit.
Ky mjet do të vihet në dispozicion të QTTB Fushë-Krujë, QTTB Shkodër dhe fermerëve, si pjesë e një pakete më të gjerë investimesh që përfshin edhe mekanikë bujqësore moderne, si traktorë, freza, pompa spërkatëse, kultivatorë dhe korrëse.
Ministri Salla nënvizoi se bujqësia inteligjente është një nga shtyllat kryesore të vizionit “Bujqësia 2030”, duke synuar një sektor më të qëndrueshëm, më konkurrues dhe tërësisht në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.
Burimi ATSH


















