
Rama: Tryeza e udhëheqësve të komuniteteve fetare të Ballkanit, vitin e ardhshëm në Tiranë
Shqipëria ishte këtë javë në krah të Jordanisë, duke bashkëkryesuar tryezën e madhe të udhëheqësve të komuniteteve fetare të Ballkanit, në kuadër të Procesit të Aqabes.

Shqipëria ishte këtë javë në krah të Jordanisë, duke bashkëkryesuar tryezën e madhe të udhëheqësve të komuniteteve fetare të Ballkanit, në kuadër të Procesit të Aqabes.
Në kuadër të këtij eventi të organizuar në Jordani, kryeministri Edi Rama u mikprit nga Mbreti i Jordanisë Abdullah II.
Duke folur për këtë ngjarje të javës në podkastin “Flasim”, Rama e cilësoi Mbretin e Jordanisë Abdullah II, një monark të respektuar botërisht, një mik të çmuar të popullit shqiptar dhe një mik shumë të mirë të tijin personalisht.
“Patëm iniciuar bashkërisht, një dekadë më parë Procesin e Aqabes, një nismë kuptimplotë e udhëhequr dhe fokusuar në përballjen e qartë me terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm, nën kujdesin e veçantë të Madhërisë së tij. Në raundin e takimit të dhjetorit, Shqipëria ishte në krah të Jordanisë, duke bashkëkryesuar tryezën e madhe të udhëheqësve të komuniteteve fetare të Ballkanit”, tha Rama.
Kryeministri bëri të ditur se në këtë takim morën pjesë edhe udhëheqësit e komuniteteve tona fetare, ndërsa u shpreh se “Këtë gjë do ta përsërisim, duke e zgjeruar vitin e ardhshëm, këtu në Shqipëri, së bashku me Madhërinë e Tij”.
/Marrë nga ATSH



















