
Mendimet tona janë përcaktueset e pandryshueshëm të fatit tonë
“Jeta jonë është narrativa që shkruhet çdo ditë në mendjen tonë dhe realizohet çdo ditë në realitetin tonë”

Nga Albert Vataj
Përtej spiritualizmit dhe një misteri të pashpjegueshëm që ne jemi rrekur t’i atribuojmë nënshkruesit të fatit tonë, si një qasje për t’i dhënë kuptim atë çfarë ne jemi, vetëdijësimi na thërret në një zgjim për të besuar se, janë mendimet ato që përcaktojnë veten tonë, madje deri në atë shkallë sa të mund të ndryshojnë edhe paraqitjen.
Gjithçka që ne jemi, gjithçka që ne bëjmë, është gjithçka që ne mendojmë, pavarësisht rethanave në të cilat ndodhemi.
Ka një të vërtetë që e zbulojmë ngadalë, shpesh pas shumë përvojave dhe pafund lutjesh të brendshme, se jeta jonë nuk vjen drejt nesh si një dhuratë e paparashikueshme, por si pasojë e mendimeve me të cilat e përgatisim çdo ditë, duke e projektuar atë sipas asaj që ushqen mendimet tona.
Ne jemi formuar nga jashtë, por konfigurohemi nga brenda. Dhe pikërisht aty, në laboratorin e mendjes, vendoset se kush jemi dhe çfarë do të bëhemi.
Që prej kohëve të hershme i jam qëndruar besnik domosdosë së ushqyerjes me mendime pozitive, jo si një arratisje naive nga realiteti, por si një disiplinë e ndërgjegjshme: një mënyrë për t’i dhënë shpirtit tim hapësirën ku të rritet, të projektohet, të fluturojë.
Mendimet pozitive nuk janë një lloj mirëqenieje artificiale; janë dritaret prej nga hyn oksigjeni i brendshëm.
Pse është thelbësore zgjedhja e mendimeve?
Sepse mendimi është ushqim. Ajo që hamë, jemi.
Ashtu siç kujdesemi me përpikëri për librat që lexojmë, për ushqimet që vendosim në pjatë, për shoqërinë me të cilën frekuentohemi, po aq duhet të kujdesemi edhe për cilësinë e mendimeve që bluajmë në heshtje.
Ne shpesh harrojmë se mendja ka një stomak të vetin; ajo tret, përthith dhe shpërndan energjinë e mendimeve në të gjithë qenien tonë.
Mark Aureli, filozofi-perandor, i kristalizoi këto ide në një fjali të vetme që ka peshuar epokat, “Jeta e njeriut është e tillë siç e formësojnë mendimet e tij.”
Kjo nuk është metaforë. Është matematikë shpirtërore.
Duke ndryshuar mendimet, ne ndryshojmë mënyrën si e përjetojmë botën; dhe duke ndryshuar përjetimin, ndryshojmë rrjedhën e realitetit tonë.
Në një bisedë të thjeshtë dikush më tha dikur se mësimi më i çmuar që kishte nxjerrë nga jeta ishte:
“Nëse di çfarë mendon njeriu, di kush është.”
Kjo fjali e vërteton se mendimi është identiteti i fshehtë, karta jonë e brendshme e prezantimit.
Mënyra se si vendosemi ndaj botës, me besim apo me dyshim, me guxim apo me dorëzim, është vendimtare në zhvillimin e fatit tonë. Ne e shpikim veten përmes mendimeve tona dhe e riparaqesim botën përmes qëndrimeve tona.
Ralph Ëaldo Emerson, i cili e pa mendjen njerëzore si një fole të forcave krijuese, thoshte: “Njeriu është përmbledhja e asaj çka mendon çdo ditë.”
Ai e dinte se mendimi i përditshëm është argjila e ekzistencës. Jeta nuk është një shpërthim i rastësisë, por një ritëm i përditshëm i përpjekjes së brendshme.
Studimet moderne të neuroshkencës tregojnë se mënyra se si mendojmë krijon rrugë të reja sinaptike në trurin tonë. Mendimi i përsëritur ndërton qarkun e vet.
Përqendrimi në frikë prodhon një tru të mësuar me ankthin; ushqimi i mendimeve të qeta ndërton një tru të pajisur për qetësi dhe durim.
Pra, filozofët e lashtë, pa asnjë instrument laboratorik, e dinin atë që shkenca sapo po përpiqet të analizojë.
Stoikët, nga Epikteti te Aureli, e dinin se mendja është e vetmja gjë që ne e kontrollojmë vërtet.
Ata na mësojnë të zgjedhim mendimet jo për ta zbukuruar jetën, por për ta jetuar me virtyt dhe qartësi; të mos jemi skllevër të impulsit, të mos jemi viktima të emocioneve të turbullta, të mos dorëzohemi para të papriturave, por të qëndrojmë në qendër të vetes.
Nëse nuk zgjedhim mendimet tona, dikush tjetër do t’i zgjedhë për ne, shoqëria, frika, rrethanat.
Nietzsche do të shkonte edhe më tej duke menduar se: Njeriu nuk duhet vetëm të kontrollojë mendimet e tij, por të krijojë vetveten prej tyre.
Ai besonte se individi ka fuqinë të projektojë një “vetvete më të lartë” dhe të jetojë drejt saj, duke shkelur gjithçka që e tkurr, e zbeh, e ul.
Krijimi i vetes është akt mendimi.
Kush nuk guxon të mendojë madhërishëm për veten, nuk ka për të jetuar madhërishëm.
Në qasjen e tij, mendimi nuk është pasqyrë; është çekan.
Me të ne godasim formën e vjetër të qenies sonë dhe skicojmë të renë.
Pse mendimet janë vendimtare për fatin tonë?
Sepse, mendimi është fara, realiteti është lulëzimi; mendimi është orientimi, jeta është udhëtimi; mendimi është premtimi, jeta është përmbushja.
Nuk mund të jetojmë ndryshe nga ajo që mendojmë.
Nuk mund të bëhem një njeri i lirë, nëse mendoj si rob.
Nuk mund të bëhem krijues, nëse ushqehem me mendime të mpira.
Nuk mund të gëzoj jetën, nëse mendoj me trishtim të sistemuar.
Mendimet janë muzika e brendshme e shpirtit, ato i japin ritëm hapave tanë.
Mendimet janë konturet e vetes sonë, busulla që orienton pritshmëritë, drita që bën të dukshme rrugët që duhet të marrim.
Jeta jonë është narrativa që shkruhet çdo ditë në mendjen tonë dhe realizohet çdo ditë në realitetin tonë.
Kemi aq fat sa mendim.
Kemi aq jetë sa vetëdije.
Kemi aq liri sa guxim për të menduar ndryshe.
Dhe veç atëherë kur e kuptojmë këtë, ne nuk jemi më pasojë e botës.
Ne bëhemi shkaku i saj.
Mendo bukur që të jesh i/e bukur!
(Marrë nga faqja në Facebook e autorit)


















