
Korčula School mbledh të rinjtë nga rajoni dhe Evropa në Tiranë
Në Tiranë u organizua këtë vit Shkolla Politike e Socialdemokratëve (Korčula School), një forum ideologjik-politik, i orientuar drejt forcimit të politikave socialdemokrate, për të promovuar barazinë gjinore.

Në Tiranë u organizua këtë vit Shkolla Politike e Socialdemokratëve (Korčula School), një forum ideologjik-politik, i orientuar drejt forcimit të politikave socialdemokrate, për të promovuar barazinë gjinore.
Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale ndau momente nga aktiviteti i organizuar sot në Tiranë, ku ishin të pranishëm të rinj nga rajoni dhe Evropa.
“Sot, në Shkollën Politike të Socialdemokratëve – Korčula School – e cila këtë vit u organizua në Tiranë me të reja e të rinj nga rajoni dhe Europa”, shkruan Rama.
Korčula School bashkon udhëheqëse politike gra dhe burra nga partitë e qendrës së majtë dhe socialdemokrate, ekspertë, aktiviste politike dhe feministe, veçanërisht nga Evropa Juglindore, për të diskutuar çështje të barazisë gjinore.
Shkolla u themelua në vitin 2012 nga Rrjeti për Çështje Gjinore në Evropën Qendrore dhe Lindore (CEE Gender Network) dhe është projektuar të jetë një hapësirë unike politike, ideologjike dhe e të menduarit të lirë, mbi transformimin e politikës, për të promovuar barazinë gjinore.
Në thelb, Korčula School është një platformë strategjike që ndihmon në formësimin e politikave progresive në Ballkan dhe më gjerë. Korčula School formulon rekomandime dhe propozime specifike për politikëbërësit e partive politike progresive për veprime të mëtejshme politike mbi barazinë gjinore.



















