
Miqësoret ndaj Moldavisë e Ukrainës, Bushi: Dy sfida të forta, çdo ndeshje na shërben për Europianin
Trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, ka folur pas publikimit të listës me 23 lojtarët e grumbulluar për dy ndeshjet miqësore ndaj Moldavisë dhe Ukrainës.

Trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, ka folur pas publikimit të listës me 23 lojtarët e grumbulluar për dy ndeshjet miqësore ndaj Moldavisë dhe Ukrainës.
Tekniku kuqezi ka komentuar listën e lojtarëve, mungesat në skuadër, risinë në grumbullim, dy kundërshtarët dhe përgatitjet për Kampionatin Europian U-21.
Bushi u shpreh se lista është pothuajse e njëjtë me ndeshjen e fundit ndaj San Marinos. Ka shumë pak ndryshime. Kemi dy mungesa shumë të rëndësishme si Zylyf Muça mbrojtës i djathtë dhe Enes Osmani mbrojtës i majtë, janë zëvendësuar nga Vokrri dhe disa të tjerë.
Tekniku kuqezi vlerësoi prurjen e re të Kombëtares U21, mbrojtësin Diar Vokrri, për të cilin tha se ai është një prurje shumë e rëndësishme për ekipin.
“Dua ta falënderoj që zgjodhi Shqipërinë. Është një lojtar shumë i mirë, mendoj që do na ndihmojë shumë”, tha Bushi.
Ai dha edhe konsideratat e tij për kundërshtarët e Shqipërisë U21 në dy ndeshjet miqësore të radhës, Moldavinë dhe Ukrainën.
“Për ne nuk ka ndeshje miqësore, e kam thënë dhe më para. I marrim shumë seriozisht sepse janë ndeshje shumë të rëndësishme për ne, janë si ndeshje zyrtare, sepse na presin ekipe shumë të forta në Europian. I kemi vlerësuar maksimalisht”, u shpreh Bushi.
Tekniku kuqezi u shpreh se e njeh shumë mirë lojën e Moldavisë, sepse kemi luajtur para një viti në Tiranë. Në përballjet me moldavët një ndeshje ka dalë barazim, dhe një ndeshje e kemi mundur.
Bushi e vlerësoi ekipin e Moldavisë duke theksuar se gjithsesi janë një ekip që janë zhvilluar së fundmi, ashtu si ne.
“Jemi përmirësuar goxha, grupi pothuajse është alternuar dhe e njohin më mirë njëri-tjetrin. Kemi krijuar një sistem loje që na përshtatet për lojtarët që ne kemi. Mendoj që do të bëjmë mirë dhe janë 8-9 ditë që do të na shërbejnë shumë mirë.
Ndeshja me Ukrainën është krejt tjetër. Një ndeshje e nivelit shumë të lartë. Ekipi i Ukrainës ka bërë mirë në vitet e fundit. E kemi ndeshjen në “Elbasan Arena” dhe mendoj që duhet të bëjmë maksimumin, për të dhënë gjithçka se çfarë ne kemi për të treguar se sa jemi përmirësuar dhe për të parë përpara”, u shpreh trajneri.
Bushi vlerësoi paraqitjen e U21 në ndeshjet e fundit miqësore për përgatitjet e Kombëtares U21 për Europianin e radhës, duke veçuar karakterin dhe dëshirën për fitore që futbollistët kuqezinj kanë treguar në fushë.
“Janë shumë grumbullime të rëndësishme për ne. I shërbejnë gjatë gjithë kohës Europianit. Europiani e dimë se ka nivel shumë të lartë. Ekipet janë shumë të mirë, por edhe ne jemi shumë të fortë. Pavarësisht se jemi mundur, edhe ndaj Gjermanisë dhe Zvicrës kemi treguar që kemi karakter, luftojmë deri në fund dhe jemi në lojë deri në fund. Nëse lufton dhe sakrifikon, ke dëshirë dhe qëllim për të arritur diçka nuk duhet të kesh frikë asnjë kundërshtar”, tha ai.
Kujtojmë se Kombëtarja shqiptare e U21 është e kualifikuar automatikisht për në Evropianin U21, duke qenë se Shqipëria është një prej vendeve organizatore të këtij kompeticioni të rëndësishëm.
Burimi ATSH



















