
GJK: Përtëritja e gjyqtarëve të Kushtetueses, brenda vitit 2025
Gjykata Kushtetuese shqyrtoi sot kërkesën e Presidentit Bajram Begaj për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese shqyrtoi sot kërkesën e Presidentit Bajram Begaj për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese.
Pas gjykimit të kërkesës së Presidencës, Gjykata Kushtetuese ka sqaruar interpretimin mbi mandatin e anëtarëve aktualë, duke theksuar se, në këtë fazë tranzitore, do të zbatohet parimi i përtëritjes së pjesshme të përbërjes së saj. Ky vendim i hap rrugë Presidentit të Republikës për të shpallur vakancën për mandatin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese.
Ky parim vjen si rrjedhojë e nevojës për rikthimin e funksionimit të rregullt dhe të balancuar të institucionit pas krizës kushtetuese të viteve të fundit.
“Në vlerësimin e Gjykatës, parimi i përtëritjes së pjesshme për këta gjyqtarë mbizotëron në raport me parimin e kohëzgjatjes së mandatit të gjyqtarit kushtetues, duke vënë theksin se kohëzgjatja e këtyre mandateve si më sipër ka qenë e kufizuar në kohë që në krye të herës, pasi vetëm në këtë mënyrë dhe vetëm përmes këtij interpretimi do të garantohet qëllimi kryesor i dispozitës kalimtare, nenit 179, pika 3, të Kushtetutës. Të njëjtit qëllim i shërben edhe parashikimi i shprehur në po këtë dispozitë për përcaktimin e dy mandateve më të shkurtra se 9 vjet”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Më tej Gjykata Kushtetuese “vlerëson të theksojë se në këtë dispozitë, në funksion të garantimit të përtëritjes së rregullt, është bërë parashikimi edhe për gjyqtarët e tjerë, kohëzgjatja e mandateve të të cilëve bëhet sipas ligjit, i cili ishte pjesë e së njëjtës paketë legjislative me ndryshimet kushtetuese”.
Gjykata Kushtetuese thekson më tej se “ndonëse në pikën 4 të nenit 86 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” nuk parashikohet shprehimisht koha e mbarimit të mandatit të gjyqtarit kushtetues, në përmbajtje të kësaj dispozite është përcaktuar skema kohore e përtëritjes së përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, skemë sipas të cilës përtëritja e parë me një të tretën bëhet në vitin 2025, përtëritja e dytë me një të tretën bëhet në vitin 2028 dhe përtëritja e tretë me një të tretën bëhet në vitin 2031”.
Në përfundim, Gjykata Kushtetuese vendosi që “kompetenca për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtarit kushtetues i përket Gjykatës Kushtetuese dhe vetëm pas kësaj organi i emërtesës ushtron kompetencën e tij të emërimit/zgjedhjes të gjyqtarit kushtetues”.
“Shqyrtimin veçmas të kërkimit të Presidentit të Republikës për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese”, njoftoi Gjykata Kushtetuese.
Gjykata ka interpretuar nenin 179, pika 3, të Kushtetutës, duke vënë në dukje se ky nen synon garantimin e përtëritjes së rregullt të përbërjes së Gjykatës Kushtetuese.
Në bazë të ligjit nr. 8577 për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, përtëritja e përbërjes së Gjykatës Kushtetuese do të ndodhë në vitet 2025, 2028 dhe 2031.
“Për këtë arsye, neni 179, pika 3, i Kushtetutës ka përcaktuar shkurtimin me më pak se 9 vjet të mandateve të dy gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, njëri deri në vitin 2025 dhe tjetri deri në vitin 2028. Për sa i përket “kohëzgjatjes së mandatit, sipas ligjit” të gjyqtarëve të tjerë, kjo dispozitë kushtetuese i referohet nenit 86, pika 4, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, i cili ka përcaktuar skemën kohore të përtëritjes së përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, duke parashikuar përtëritjen e parë me një të tretën në vitin 2025, përtëritjen e dytë me një të tretën në vitin 2028 dhe përtëritjen e tretë me një të tretën në vitin 2031”, njoftoi Gjykata Kushtetuese.
Sipas Gjykatës Kushtetuese “fillimi i mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese përgjatë këtij regjimi tranzitor përkon me datën e deklaruar nga Gjykata Kushtetuese të mbarimit të mandatit të gjyqtarit që ai zëvendëson”.
Burimi ATSH