Begaj dekreton 9 nëntorin si datë të zgjedhjeve të pjesshme në 6 bashki

Presidenti i Republikës dekretoi sot datën 9 nëntor 2025, si datën për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme lokale për kryetar të bashkive Tiranë, Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik


Presidenti i Republikës dekretoi sot datën 9 nëntor 2025, si datën për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme lokale për kryetar të bashkive Tiranë, Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik, pas marrjes së njoftimit për vakancat nga Këshilli i Ministrave në datën 30 shtator.

Vakancat në bashkitë Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik janë krijuar për shkak të dorëheqjes së kryetarëve të bashkive, kurse vakanca në Bashkinë Tiranë është krijuar për shkak të shkarkimit të kryetarit të bashkisë nga Këshilli i Ministrave, pas propozimit nga Këshilli Bashkiak Tiranë, i cili me votën e këshilltarëve të shumicës dhe të pakicës (50 vota pro dhe vetëm 1 kundër) kërkoi që t’i hapet rruga zgjedhjeve të parakohshme për kryetar bashkie në Tiranë.

Për shkak të interesit të lartë publik, institucioni i Presidentit të Republikës sqaron se, për vakancën e krijuar në Tiranë, Presidenti shqyrtoi rregullshmërinë e procedurës së ndjekur, në këndvështrim të respektimit të pavarësisë dhe autoritetit propozues të këshillit bashkiak dhe konstatoi se deklarimi i vakancës është bërë në përfundim të një procesi konstatimi dhe verifikimi, të kryera sipas kompetencës nga Këshilli Bashkiak Tiranë dhe nga Këshilli i Ministrave.

Në respekt të neutralitetit institucional, Presidenti i Republikës nuk shqyrton meritën e çështjes.

Nga praktika dokumentare e çështjes rezulton, se Këshilli i Ministrave ka referuar tek kuadri ligjor, i cili përcakton se shkarkimi për “mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë” përbën rast të ndryshëm nga shkarkimi “për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve” që parashikon neni 115 i Kushtetutës, gjë që do të thotë se për VKM nr.539, datë 25.09.2025 nuk zbatohet juridiksioni kushtetues për të drejtën e ankimit, por juridiksioni gjyqësor administrativ.

Vendimi i Këshillit të Ministrave që shkarkon kryetarin e bashkisë “për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve” pezullohet, në rastin kur ndaj tij paraqitet ankim në Gjykatën Kushtetuese. Çdo vendim tjetër që shkarkon kryetarin e bashkisë për shkakun, se ky i fundit “dënohet për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë, nga gjykata” ose se “propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë”, përveçse ankimohet në Gjykatën Administrative (jo në Gjykatën Kushtetuese), pezullohet vetëm nëse pezullimi urdhërohet posaçërisht nga Gjykata Administrative.

Sikurse rezulton nga dokumentacioni shoqërues i VKM-së, ky sqarim ligjor ka qenë në dispozicion të palës dhe të publikut që në datën 25 shtator.

Presidenti i Republikës konstaton se në periudhën nga data e miratimit të VKM-së nuk është regjistruar ankim në organin kompetent gjyqësor dhe nuk ka një vendim pezullimi nga ana e tij, ndërkohë që afati i Presidentit të Republikës për shpalljen e zgjedhjeve është vetëm 48 orë nga marrja e njoftimit.

Me daljen e dekretit, mjetet ligjore mbeten në dispozicion të palëve me qëllim që ato të realizojnë mbrojtjen e interesave të tyre të ligjshme.

Duke shpallur zgjedhjet e pjesshme për bashkitë Tiranë, Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik, Presidenti i Republikës bën thirrje për një fushatë konkurruese, etike dhe në respektim të plotë të Kodit Zgjedhor, sikurse shpreh dëshirën që qytetarët e këtyre bashkive të përfshihen gjerësisht dhe të votojnë masivisht në këto zgjedhje.

Lexo më shumë nga

Gonxhja në Vlorë për sezonin e ri turistik

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja dhe ekipet e MTKS-së shkuan në Vlorë, në prag të sezonit të…

Global 360

Osmani shpërndau parlamentin dhe njoftoi zgjedhjet e reja në Kosovë, reagon kreu i LDK-së

Pas konferencës për shtyp të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka bërë të ditur shpërndarjen e Kuvendit të…

Diplovista

Gonxhja për “Forbes”: Prioritet investimet cilësore në turizëm, Shqipëria po pozicionohet si porta hyrëse në Ballkan

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhja shpjegoi mënyrën se si qeveria shqiptare e sheh modelin spanjoll të turizmit…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Kosovë!

Fjala e Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Gonxhja në Vlorë për sezonin e ri turistik

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja dhe ekipet e MTKS-së shkuan në Vlorë, në prag të sezonit të…