
Begaj për Diellën: Institucionet janë aty për ta vlerësuar, jetojmë në epokën e Inteligjencës Artificiale
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj iu përgjigj sot deklaratave të opozitës, e cila pretendon se në rastin e ministres së Shtetit për Inteligjencën Artificiale, Diella u shkel Kushtetuta.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj iu përgjigj sot deklaratave të opozitës, e cila pretendon se në rastin e ministres së Shtetit për Inteligjencën Artificiale, Diella u shkel Kushtetuta.
Në një intervistë televizive nga Nju-Jorku, Begaj u shpreh se nga pikëpamja kushtetuese dekreti i tij flet qartë, dhe nëse ka pretendime për ligjshmërinë, atëherë institucionet janë aty për të vlerësuar dhe gjykuar.
“Nga pikëpamja kushtetuese dekreti flet vetë. Dhe nëse dikush mendon që ky dekret është në kundërshtim apo bie ndesh me Kushtetutën patjetër, që institucionet janë aty për ta vlerësuar dhe për ta gjykuar. Patjetër që ka qenë një diskutim shumë i gjatë në lidhje me këtë çështje dhe mund të them që jetojmë në epokën e Inteligjencës Artificiale”, tha Begaj.
Sipas tij, “jetojmë në kohë kur zhvillimet teknologjike janë të shumta dhe janë të shpejta”.
“Teknologjia ndryshon me shpejt sesa moda sot, dhe patjetër ne duhet të jemi kreativë duhet të jemi njerëz që duhet ti përshtatemi kohës. Duhet të përshtatemi me zhvillimet e reja të inteligjencës artificiale patjetër që, në këtë algoritëm mendoj që për sa kohë algoritmi nuk komandon njerëzit, por njerëzit komandojnë algoritmin dhe përgjegjësia është aty”, shtoi ai.
Begaj theksoi se “këto zhvillime të vrullshme teknologjike të lidhura edhe me inteligjencën artificiale, duhet të na bëjnë ne të përshtatemi dhe të punojmë fort që qoftë Kuvendi, ligjet që do miratohen, të jenë të tilla që t’i paraprijnë ndërhyrjeve që ne anatemojmë apo kemi frikë se mund të ndodhin në të ardhmen”.
Lidhur me Diellën, Begaj theksoi se “qëllimi është serioz. Algoritmi është për të ndihmuar njerëzit dhe për të ndihmuar në proceset administrative si për shembull në rrugëtimin tonë drejt BE-së për përkthimin e legjislacionit. Ky program ka qenë i pranishëm në 95% të shërbimeve që janë dhënë nga e-Albania. Mendoj është një zgjidhje më e shpejtë për proceset që ne kemi në të ardhmen”.
Dy ditë më parë, Partia Demokratike depozitoi dy padi në Gjykatën Kushtetuese për shfuqizimin e ndryshimeve të bëra në Rregulloren e Kuvendit si dhe për shfuqizimin e dekretimit të ministres virtuale për Inteligjencën Artificiale, Diella.
Sipas PD-së, “dekretimi i Diellës cenon parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, pasi Presidenti krijon një strukturë të re ministrore, ministrin virtual të inteligjencës artificiale, dhe i cakton Kryeministrit përgjegjësi të reja atë për ngritjen dhe funksionimin e ministrit virtual”.
Burimi ATSH