
Rama: Ndërmjetësim me inteligjencë artificiale të çështjeve civile
Kryeministri Edi Rama parashtroi sot gjatë prezantimit të ministrit të Drejtësisë Besfort Lamallari se duhet menduar për ndërmjetësimin me inteligjencë artificiale të çështjeve civile.

Kryeministri Edi Rama parashtroi sot gjatë prezantimit të ministrit të Drejtësisë Besfort Lamallari se duhet menduar për ndërmjetësimin me inteligjencë artificiale të çështjeve civile.
Kryeministri theksoi se është plotësisht e mundur që njerëzit mos të harxhojnë lekë, mos harxhojnë kohë, mos harxhojnë energji dhe të mos lënë mendtë e kokës në procese të pafundme kur fare mirë mund të kalojnë në procese të ndërmjetësimit të fëmijëve.
Ai vuri në dukje se Diella do ketë së shpejti dhe plot të tjera gjëra.
“Ajo që unë besoj fort dhe duhet ta ndajmë të gjithë bashkë këtë besim është që teknologjia digjitale dhe inteligjenca artificiale janë bekimi i vendeve ne zhvillim sepse na japin mundësinë që të bëjmë kapërcime të atilla që kurrë nuk do t’i bënim në kushtet e progresit linear. Si mund të bënim ne një kohë kaq të shpejt sa ç’na e mundësoi teknologjia dhënien e shërbimeve për qytetarët nëse nuk do kishim teknologjinë dhe s’do kishim platformën E – Albania? Parafytyrojeni për një moment Covidin dhe pa platformën E-Albania sesi do mundej dot që të shërbeheshin njerëzit pa dalë të gjithë në rrugë për të mbajtur radhën dhe në këtë kuptim këtu ka qenë Covid gjithë jetën”, nënvizoi Rama.
Rama u ndal edhe tek debatet në lidhje me ministren virtuale të Shtetit për Inteligjencën Artificiale.
“‘Sot bëhet diskutim i madh, si ka mundësi, c‘është ky provokim, c‘është ky mëkat, c ‘është kjo çmenduri, ministër shteti jo njeri. Unë mendoj që në një kohë shumë të shkurtër ministrat jo njeri në qeveri do jenë një normalitet”, tha Rama.
“Diskutojnë sot si do vjedhë Diella sepse kur je hajdut, aty te rri mendja, si do vjedhë ai tjetri atë që ti do ta vjedhësh për vete por që nuk po të bie rruga andej. Si i shkon një njeriu normal mendja, mund të ketë 1000 pyetje për Diellen por nuk i shkon mendja si do vjedhë kjo. I shkon mendja vetëm atyre që ose kanë vjedhur ose vjedhin ose do vidhnin në rast se i caktonte njeri ne vend të Diellës”, theksoi Rama.
Ndërkohë, vijoi Kryeministri, që ajo që Diella do të bëjë është shumë e thjeshtë.
“Çfarë ndodh me tenderat dhe ku hyn korrupsioni në një proces tenderimi. Në dy faza, procesi ka dobësi; dobësi që i shfrytëzon korrupsioni. Faza e parë janë termat e referencës që mund të bëhen të orientuara siç ishte një tender epik në kohën përpara se sa ne të merrnin detyrën në 2013, ku për të bërë një tunel, ishte vënë një kriter të ketë eksperiencë edhe në sisteme muzikore, në foni, edhe natyrisht, tuneli i shkon dikujt që ka instaluar foninë në ndonjë miting. Pra, tek termat e referencës dhe e dyta, tek gjykimi mbi dokumentacionin. “Jo, nuk ma ke sjellë me vulë të freskët”, “Jo, s’më ke sjellë letrën në kohë se sa punonjës ke”, “Jo, ke sjellë me vonesë këtë, atë”. Atëherë tek terma e referencës, Diella e bën të pamundur trajtimin me preferencial, të dikujt përmes referencave dhe për këtë, ne jemi duke, ne, domethënë ata që po merren me këtë, po punojnë”, theksoi Rama.
E dyta, shtoi Rama, të gjitha dokumentet pafund që bëjnë kompanitë dhe mbledhin lart e poshtë për shkruar ndonjë tender janë fakte publike.
“Pra ekzistojnë në sistemin shtetëror të Republikës së Shqipërisë. Sa punonjës ke? E kanë në Sigurimet Shoqërore, e kanë Taksat. Sa xhiro ke? Sa kështu ke? Sa ashtu ke? Sa makineri ke? Të gjitha këto janë dhe Diella do i mbledhin vetë. Nuk ka nevojë fare të shkojnë njerëzit lart e poshtë, edhe t’i mbledhin, bëjnë dosjet, pastaj del një anëtar komisioni edhe thotë: “Jo, nuk e ke me vulë të freskët”. Do ti mbledhi të gjitha vetë”, tha Rama.
Pra, shtoi Rama, termat e referencës transparent dhe të barabartë dokumentacioni mblidhet në mënyrë uniforme për të gjithë dhe në fund është oferta.
“Oferta flet vetë, ashtu sikundër të gjitha ato kritere që janë kritere të cilësisë, askush nuk i gjykon dot më objektivisht se sa Inteligjenca Artificiale, bazuar te të gjitha këto dhëna që thashë, kaq e thjeshtë është, në të thënë, është shumë e komplikuar në të bërë. Gjitha arkitektura e sistemit tani është ndërtuar dhe tani do të ecet me implementimit. Do të duhen edhe disa bashkëpunëtorë të Diellës, jo njerëz prapë, që jemi shumë besimplotë, “Diella do t’i lindi në maternitetin e Inteligjencës Artificiale”. Kjo është e gjitha, nuk ka ndonjë shkencë të madhe”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama mori si shembull edhe sigurinë ushqimore dhe për sigurinë e të gjitha mallrave që vijnë nga importi dhe për sigurinë e cilësisë. “Ne përsëri me Inteligjencë Artificiale do të ndryshojmë komplet mënyrën se si do të kontrollojmë”, theksoi Kryeministri.
“Kemi krijuar një kompani “AlbTrace” me partnerë, një ndër pesë kompanitë më të mira në botë të gjurmimit, pikërisht të mallrave, të produkteve dhe tani po ndërtojmë sistemin. E njëjta gjë për naftën, e kështu me radhë”, përfundoi Rama.
/Burimi ATSH