
Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Spiropali: Drejtësia duhet ta mundë njëherë e mirë padrejtësinë
Në Dhomat e Specializuara në Hagë, mbrojtja ka nisur të paraqesë provat dhe dëshmitarët e saj lidhur me çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në Dhomat e Specializuara në Hagë, mbrojtja ka nisur të paraqesë provat dhe dëshmitarët e saj lidhur me çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
I pari që po dëshmon është James Rubin, ish-zyrtar i lartë amerikan dhe një njohës i zhvillimeve në Kosovë gjatë periudhës së luftës.
Ministrja e propozuar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali reagoi duke u shprehur se paraqitja e provave dhe dëshmive të mbrojtjes do të largojë përfundimisht njollat e fantazisë mbi emrin e UÇK-së.
“Në Hagë nisën sot dëshmitë e mbrojtjes për çlirimtarët e Kosovës, të gjendur prej kohësh në pritjen e pafund dhe të pamerituar”, u shpreh Spiropali.
“Në këtë moment, kur paraqitja e provave dhe dëshmive të mbrojtjes do të largojë përfundimisht njollat e fantazisë mbi emrin e UÇK-së, drejtësia duhet ta mundë njëherë e mirë padrejtësinë”, theksoi ajo.
Siropali nënvizoi se, “çdo vendosje ekuivalence mes akuzave të fajësisë mbi çlirimtarët dhe lirisë që ata sollën për shqiptarët e Kosovës do të ishte një barazim i turpshëm i së keqes me të mirën, një pllakë turpi në historinë e popujve për liri dhe drejtësi”.
James Rubin, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, është duke paraqitur sot dëshminë e tij në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Ky është dëshmitari i parë i mbrojtjes së ish-presidentit të Kosovës, e cila ka parashikuar që në gjykë të sjell rreth 11 dëshmitarë. Më pas, procesi gjyqësor do të vazhdojë me dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.
Bashkë me Thaçin dhe Krasniqin, po gjykohen edhe ish-kryekuvendari Kadri Veseli dhe ish-deputeti Rexhep Selimi. Avokatët e tyre nuk synojnë të paraqesin dëshmi mbrojtëse. Zyra e Prokurorit të Specializuar i ngarkon ata me krime të pretenduara të luftës. ZPS-ja ka thënë se ata ishin pjesë e “një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.
Në anën tjetër, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Paraqitja e provave të mbrojtjes vjen katër muaj pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar përfundoi me dëshmitarët e saj dhe e mbylli çështjen. Prokuroria i pati sjell 125 dëshmitarë në sallë dhe është mbështetur në mbi 130 dëshmi ne shkrim. Mbrojtja e katërshes së UÇK-së i mohon akuzat dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk ka pasur strukturë të organizuar komanduese.
Aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së, u bënë publike vjeshtën e vitit 2020. Prej atëherë, ata qëndrojnë në qendrën e paraburgimit në Sheveningen të Hagës. Gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill të vitit 2023.
Gjyqtarët në Speciale presin që mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së të paraqesë shkresat përfundimtare deri më 22 dhjetor të këtij viti.
Dje shqiptarë nga e gjithë bota u mblodhën në Hagë në protestën e thirrur në orën 14:00 në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Duke reaguar pas protestës së zhvilluar në Hagë, Kryeministri Edi Rama theksoi se e vetmja kërkesë është drejtësia.
“Drejtësi pra, drejtësi, vetëm drejtësi. Asgjë më shumë e asgjë tjetër përveç drejtësisë, për Kosovën dhe çlirimtarët e saj”, u shpreh Rama.
Protesta e 14 shtatorit, e thirrur nga diaspora shqiptare dhe e mbështetur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), bashkoi shqiptarë nga vende të ndryshme të botës në shenjë solidariteti.
/Burimi ATSH