
Manastirliu uron nxënësit e mësuesit: Investojmë në teknologji dhe arsim gjithëpërfshirës
Me rastin e nisjes së vitit të ri shkollor 2025-2026, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ka përcjellë një videomesazh urimi për nxënësit, mësuesit dhe prindërit në të gjithë vendin, duke ndarë emocionet e kësaj dite të veçantë dhe duke prezantuar risitë që do të shoqërojnë këtë vit shkollor.

Me rastin e nisjes së vitit të ri shkollor 2025-2026, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ka përcjellë një videomesazh urimi për nxënësit, mësuesit dhe prindërit në të gjithë vendin, duke ndarë emocionet e kësaj dite të veçantë dhe duke prezantuar risitë që do të shoqërojnë këtë vit shkollor.
Mesazhi i plotë i Ministres Manastirliu:
“Të dashur nxënës, mësues dhe prindër!
Sot është një ditë e veçantë. Një ditë që përsëritet çdo vit, por që gjithmonë sjell emocione të reja. Është dita e parë e shkollës. Një ditë që na kujton se arsimi është fillimi i çdo rruge të bukur, i çdo ëndrre që duam të realizojmë.
Në këtë mëngjes shtatori, të gjithë së bashku ndajmë një simbolikë të fortë për fëmijët që për herë të parë hedhin hapin në klasën e parë. Për mbi 26,500 nxënës, kjo ditë është dritarja më e re që sot hapet drejt dijes. Çantat sot janë të mbushura jo vetëm me libra të rinj, por edhe me ëndrra, kuriozitet dhe gëzimin e një rrugëtimi të bukur që nis në bankat e shkollës.
Sot ju, të dashur prindër, dorëzoni më të shtrenjtët tuaj në duart e shkollës. Faleminderit për besimin dhe për bashkëpunimin. Së bashku, jemi partnerë në edukimin e brezit të ri, duke ndërtuar mbi dashurinë tuaj për fëmijët një bazë të fortë për të ardhmen e tyre.
Të dashur mësues,
Ju jeni themeli i çdo suksesi që vendi ynë arrin në fushën e arsimit. Me përkushtimin dhe profesionalizmin tuaj, ju nuk mësoni vetëm matematikën, gjuhën, shkencën apo artin. Ju mësoni vlera, mësoni shpresën, mësoni përgjegjësi, ndaj jemi krenarë për punën e secilit prej jush.
Ky vit i ri shkollor sjell të reja të rëndësishme. 30 shkolla të reja e të rehabilituara mirëpresin fëmijët të cilët rikthehen në klasat e tyre me standardet më të mira. Ne kemi vijuar punën, kemi bërë më të mirën që ta riorganizojmë dhe rikthimin në shkollë ta bëjmë sa më të kënaqshëm për ju.
Në shkolla tashmë kemi 340 laboratorë inteligjentë, ku nxënësit mund të eksperimentojnë, të krijojnë dhe të shfrytëzojnë teknologjinë moderne për të mësuar më mirë dhe po punojmë për ta çuar në 1000 numrin e laboratorëve inteligjentë në shkolla. Për herë të parë, kemi përfshirë nocionet bazë të inteligjencës artificiale në kurrikulën e TIK nga klasa e IV duke përgatitur nxënësit për një botë ku dijet dhe teknologjia ecin bashkë.
Po ashtu, nisim një program të ri për zhvillimin profesional të mësuesve, që do t’i ndihmojë ata për të zgjeruar aftësitë në platformat digjitale dhe për t’iu përgjigjur nevojave të brezit të ri. Mësues më të përgatitur do të thotë nxënës më të aftë dhe një shkollë më cilësore.
Por arsimi nuk është vetëm teknologji dhe reforma. Arsimi është mbi të gjitha njeriu. Për këtë arsye, ne përgatitemi të forcojmë mbështetjen psikosociale për nxënësit, duke i ndihmuar ata të jenë edhe më të sigurt, edhe më të përfshirë në një mjedis të qetë dhe miqësor në shkollë.
Në këtë vit, në shkolla do të kemi 340 oficerë sigurie, rreth 100 oficerë sigurie më shumë se vjet që do të punojnë sipas protokolleve dhe standardeve të përditësuara. Do të thotë një garanci më shumë për sigurinë në shkolla.
930 psikologë dhe punonjës socialë do të jenë pranë nxënësve për të adresuar çdo nevojë sociale apo emocionale të tyre.
Për nxënësit me aftësi të veçanta kemi rritur numrin e mësuesve ndihmës. 2260 mësues ndihmës do të mbështesin këta nxënës me aftësi speciale sipas planeve të personalizuara në mbështetjen e tyre në shkollë.
Shkollat tona po bëhen gjithnjë e më shumë hapësira ku nxënësit zhvillojnë talentet dhe janë më të angazhuar e të lidhur gjithnjë e më shumë me komunitetin.
300 shkolla ofrojnë programin “Art dhe Zeje”, teksa mbi 12 mijë nxënës do të jenë pjesë e programit të ekipeve sportive në shkolla, duke përfshirë në këtë program për herë të parë, veç basketbollit dhe volejbollit, edhe shahun.
Siç e dini, shkolla nuk është vetëm mësimi në klasa; këtë vit do të jetë shkolla një ekran, një skenë ku nxënësit tanë do të shfaqin talentet në konkurset që realizojmë për herë të parë këtë vit. Në Konkursin Kombëtar të Teatrit, i cili do të nxisë krijimtarinë, vetëbesimin, punën në grup dhe do u sjellë nxënësve një tjetër përvojë të vlefshme kulturore e edukative.
Për herë të parë do të zhvillojmë Festivalin e Shkencës për gjimnazet, për të nxitur tek nxënësit të eksperimentojnë me ide të reja dhe të përjetojnë shkencën si krijim dhe aventurë. Do të vijojmë me edicionin e 4-t të Konkursit Kombëtar të Gjuhës, organizimi i të cilit tashmë është kthyer në një traditë të bukur.
Të dashur nxënës,
Jam e bindur se ky vit për secilin prej jush do të jetë një eksperiencë e jashtëzakonshme që ju do ta përjetoni të rrethuar nga shoqe e shokë fantastikë, me mësues të gatshëm t’ju mbështesin në çdo hap tuajin dhe me prindërit, që jam e bindur që ju do t’i bëni kaq shumë krenarë për arritjet tuaja.
Në emër të gjithë sistemit arsimor, ju uroj të gjithëve një vit të mbarë, të mbushur me suksese, dije dhe gëzim.
/Burimi ATSH