
Lirimi i hapësirave publike, Rama ndan pamjet: Pa ndalim deri në çlirimin e çdo trotuari
Aksioni ka nisur në fillim të muajit korrik dhe do të vijojë të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të cilësisë së jetës në komunitet.

Në të gjithë vendin vazhdon puna për lirimin e hapësirave publike nga subjektet që kanë zaptuar trotuaret dhe ambientet e dedikuara për komunitetin.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga lirimi i hapësirave publike në kryeqytet, që kishin zaptuar pa leje hapësirën publike.
“Pa ndalim deri në çlirimin e çdo trotuari”, shkruan Rama, teksa ndan një video ku tregohet lirimi i hapësirave në Rrugën e Kosovarëve, në Tiranë.
Lirimi i hapësirave publike shihet si pjesë e vizionit të qeverisë “Rilindja Urbane 2.0”.
Në këtë kuadër, Rama ka paralajmëruar se po hartohet edhe Rregullorja Kombëtare në të cilën do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojë biznesi.
Lirimi i hapësirave publike është i domosdoshëm për rritjen e cilësisë së shërbimeve, por edhe funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.
Aksioni ka nisur në fillim të muajit korrik dhe do të vijojë të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të cilësisë së jetës në komunitet.
Burimi ATSH