
Rama: Vijojmë me Rilindjen Urbane 2.0, projekte urbanistike për të krijuar hapësira të bukura publike
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se në kuadër të programit “Rilindja urbane 2.0”, hapësirat publike do të transformohen në hapësira të bukura për komunitetin.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se në kuadër të programit “Rilindja urbane 2.0”, hapësirat publike do të transformohen në hapësira të bukura për komunitetin.
Përmes një videomesazhi në rrjetet sociale, Rama foli për masat që po merren në territor për lirimin e hapësirave publike, ndërsa theksoi se “jemi duke u përgatitur dhe kemi ngritur grupe që hap pas hapi këto hapësira t’i kthejmë në hapësira të bukura për komunitetin”.
Në këtë proces, Rama u shpreh se ndëshkimet janë shumë të rëndësishme për ata që shkelin ligjin.
“Kemi vendosur plazhet publike, jemi shumë më mirë se vjet, por nuk jemi aq mirë sa duhet, sepse nga njëra anë është bërë si lojë macja me miun, por nga ana tjetër bashkitë nuk janë angazhuar në mënyrë të plotë për të vendosur çadra dhe shezlongë të tyret. Pra nuk është plazh publik, thjesht një territor bosh. Në plazhet publike duhet të përmirësohen kushtet.”
Nga ana tjetër, Rama siguroi se për ata që e bëjnë këtë lojë, “macja me miun”, ndëshkimet janë shumë të forta.
“Pra, nuk mund të jetë që ne të angazhojmë forcat, të angazhojmë policitë, të angazhojmë inspektorët, të paguajmë naftë, të angazhojmë kohë për të shkuar dhe për të marrë masë dhe pastaj, sa kthejnë kurrizin forcat e ligjit, përsëri fillon loja nga e para. Do të jenë ndëshkime të atilla që mos t’i shkojë mendja njeriut aq kollaj që të fillojë lojën e parë”, shtoi Rama.
Kryeministri theksoi se “do duhet të ndërhyhet me projekte urbanistike për të krijuar hapësira të bukura publike”.
“Atëherë mbrapa vjen Rilindja Urbane 2.0. Jemi duke u përgatitur, kemi ngritur grupe, që hap pas hapi, këto hapësira t’i kthejmë në hapësira të bukura për komunitetin. Për shembull, pastrojmë tek “21 Dhjetori”, pastrojmë tek “Komuna e Parisit”, pastrojmë tek “5 Maji”, etj., por nuk mundet dot që gjërat të mbeten ashtu. Ata që kanë prona dhe që i përdorin si parkime në mënyrë të paligjshme, janë të ftuar të vijnë të kërkojnë leje dhe të ndërtojnë parkime. Nuk mund të ndërtojnë dot pallatet brenda pallatit. Po mund të ndërtojmë parkime, parkime me dy apo tre kate, të cilat mund të jenë godina shumë të bukura që mund të shfrytëzohen”, shtoi Rama.
Kryeministri siguroi se ka filluar puna me një prej ekspertëve më të famshëm në botë, i cili ka punuar në shumë qytete dhe faktikisht është bërë shumë i famshëm me të ashtuquajturit super blloqet e Barcelonës, për reduktimin e trafikut, për rritjen e hapësirave pedonale, për uljen e shpejtësisë.
Burimi ATSH