Dokumentet që nevojiten për të përfituar nga marrëveshja e pensioneve me Italinë

Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani bëri të ditur sot në një intervistë televizive listën e dokumenteve që qytetarët shqiptarë dhe ata italianë duhet të paraqesin për të përfituar nga njohja e ndërsjellë të pensioneve nga marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë.


Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani bëri të ditur sot në një intervistë televizive listën e dokumenteve që qytetarët shqiptarë dhe ata italianë duhet të paraqesin për të përfituar nga njohja e ndërsjellë të pensioneve nga marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë.

Disa nga dokumentet kryesore janë vërtetimi i punësimit, dëshmia për kryerjen e shërbimit ushtarak, certifikata familjare, karta e identitetit, karta e shëndetit, dokumentacioni bankar apo kopja e kodit fiskal.

“Shtetasit shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali dhe ata italianë që jetojnë e punojnë në Shqipëri mund të paraqiten në Institutin e Sigurimeve Shoqërore ose Istituto Nazionale della Previdenza Sociale (INPS) për të kërkuar njohjen e pensioneve. në rastin e Shqipërisë, aplikimi kryhet drejtpërdrejt në portalin qeveritar e-Albania”, thotë Manjani.

Ndërsa formulari i quajtur “Formular aplikimi për pension të huaj” shkarkohet nga faqja zyrtare e Institutit e Sigurimeve Shoqërore.

Dokumentet që i bashkëlidhen kërkesës për përfitim nuk kanë nevojë të përkthehen, noterizohen apo të firmosen nga zyrat konsullore. Ato do të merren si të mirëqena nga zyra pritëse dhe më pas verifikohen nga zyra ndërlidhëse e palës tjetër.

“Pensionet, sipas legjislacionit të të dy vendeve, jepen vetëm me kërkesë. Për këtë arsye, data e dorëzimit të kërkesës është thelbësore për fillimin e procedurës së përfitimit dhe të drejtën e pagesës. Në zbatim të marrëveshjes dypalëshe, një kërkesë e paraqitur për pension në Shqipëri, vlen njëkohësisht edhe si kërkesë për pension në Itali, dhe anasjelltas nëse e drejta për pension ka lindur njëkohësisht në të dy vendet”, thotë Manjani.

Procesi i shqyrtimit të kërkesës për përfitim në Shqipëri, zgjat deri në dy muaj nga data e mbërritjes së kërkesës përmes shkëmbimit ndërinstitucional.

“Personi paraqet kërkesën për pension në INPS, në përputhje me procedurat administrative të institucionit kompetent italian. Për informacion të detajuar mbi procedurën e aplikimit në Itali, qytetarët mund t’i referohen faqes zyrtare të INPS-it ose strukturave të patronateve apo ndërmjetësve të autorizuar, për të siguruar informimin e duhur dhe shmangien e humbjes së të drejtave për përfitim”, shpjegon Manjani.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka hartuar udhëzuesin i cili përcakton rregullat e qarta të zbatimit përmes së cilit do t’i vihet në ndihmë qytetarëve, të cilët kanë punuar dhe kanë kontribuar në skemat e sigurimeve shoqërore të të dy vendeve, të përfitojnë nga të drejtat e tyre.

Udhëzuesi, përmban procedurat e aplikimit, kriteret dhe dokumentacionin sipas të cilave lindin edhe përfitimet konkrete sipas marrëveshjes në fuqi.

Kjo marrëveshje mbulon sipas legjislacionit shqiptar:

Pension pleqërie;

Pension invaliditeti;

Pension familjar;

Përfitime për sëmundje dhe barrëlindje;

Përfitime nga papunësia.

Sipas legjislacionit italian mbulon:

Pension pleqërie, invaliditeti dhe familjar për punonjës të sektorit privat, publik, të vetëpunësuar dhe të regjistruar në skema të veçanta;

Përfitime nga papunësia;

Përfitime në para për sëmundje, tuberkuloz dhe barrëlindje.

Nëse personi i interesuar jeton në Shqipëri, aplikimi bëhet pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore ose online në e-Albania. Nëse jeton në Itali, aplikimi bëhet pranë Istituto Nazionale della Previdenza Sociale në Itali.

Sipas udhëzuesit procesi i shqyrtimit të kërkesës për përfitim në Shqipëri, zgjat deri në 2 muaj nga data e mbërritjes së kërkesës përmes shkëmbimit ndërinstitucional.

Në udhëzues sqarohet se për të përfituar pension pleqërie në Shqipëri, personat e siguruar duhet të kenë një periudhë minimale sigurimi, jo më pak se 15 vite në të dyja vendet; Të kenë arritur moshën e përcaktuar me ligj për përfitimin e pensionit të pleqërisë, për burrat deri në vitin 2032 është 65 vjeç. Nga viti 2032 deri në vitin 2056, mosha e daljes në pension rritet me 1 muaj çdo vit, deri sa të arrijë 67 vjeç.

Ndërsa për gratë prej vitit 2015 mosha rritet me 2 muaj çdo vit, deri sa të arrijë 67 vjeç në vitin 2056. Në vitin 2025 mosha e daljes në pension për gratë është 61 vjeç e 10 muaj.

Dokumentacioni i nevojshëm:

1. Deklaratë personale e historikut të punësimit;

2. Librezë pune (nëse e disponon);

3. Certifikatë martese (vetëm për gratë);

4. Vërtetim nga gjendja civile, në rastet kur ka pasur ndryshim të gjeneraliteteve;

5. Diplomë e shkollës së lartë vetëm për gratë (nuk kërkohet pas datës 31.12.2032);

6. Vërtetim për faktin e dënimit për motive politike dhe periudhën e vuajtjes së tij (nëse e disponon);

7. Vendim gjykate për njohjen e vjetërsisë në punë (nëse e ka);

8. Të dhëna bankare të firmosura nga institucioni bankar për pagesën e pensionit;

9. Kopje e dokumentit të identifikimit shqiptar/italian.

Sipas legjislacionit italian përfitimi i pensionit i jepet punonjësve që kanë arritur moshën dhe kontributet e përcaktuara ligjërisht. Kushtet për përfitim janë mbushja e moshës 67 vjeç si për burrat, edhe për gratë, si dhe personi të ketë grumbulluar 20 vite periudha sigurimi (sistem i përzier ose kontributiv).

Për ata persona që kanë periudha kontributive vetëm pas vitit 1996, kërkohet që pensioni i llogaritur të jetë të paktën sa shuma e asistencës/ ndihmës sociale, në Itali, ose mund të kërkohet në moshën 71 vjeç me të paktën 5 vite kontributive efektive.

Dokumentacioni i nevojshëm gjatë paraqitjes së kërkesës për pension në Itali është:

Dokumentacion që dëshmon punësimin ose sigurimin shoqëror në Itali;

Dokumentacion italian për kryerjen e shërbimit ushtarak, në rastin e shtetasve italianë, rezidentë jashtë shtetit, që kanë kryer shërbim ushtarak në Itali, periudha sëmundjesh, periudhë barrëlindjeje, etj;

Dokumentacion lidhur me ndërprerjen e aktivitetit punëdhënës;

Certifikatë familjare;

Kopje e kodit fiskal të vërtetuar nëpërmjet zyrës së taksave (ose përmes Konsullatës Italiane në Shqipëri) të familjarit/ëve në ngarkim që nuk ka/kanë punuar kurrë në Itali;

Dokumentacion bankar ku të specifikohet titullari/bashkëtitullari i llogarisë bankare në të cilën duhet kryer pagesa e përfitimit;

Kopje e dokumentit të identitetit.

Kjo marrëveshje do të funksionojë duke bashkuar periudhat kontributive. Pensioni llogaritet sipas legjislacionit të të dy shteteve me bashkimin e periudhave. Nëse nuk mjaftojnë periudhat për përfitim në një shtet, totalizimi i periudhave në të dy vendet lejon përfitimin e pensionit proporcional.

Pensioni nuk llogaritet nëse periudha e sigurimit në një shtet është më pak se 1 vit (52 javë), por kjo periudhë mund të bashkohet me periudhat e realizuara në shtetin tjetër, vetëm nëse personi ka të drejtë për përfitim në atë shtet.

Burimi ATSH

Çelet “Java e Administratës Publike 2025”, Pirdeni: Trajnime në IA për 600 punonjës

Rikthehet “Java e Administratës Publike 2025 – Edicioni II”, organizuar nga Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.

Global 360

Ibrahimaj: Mbështetje ekosistemeve të startup-eve me mbi 10 milionë euro vetëm në 3 vitet e fundit

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në edicionin e 7-të të “Startup City…

Diplovista

Hasani për ”Kathimerini”: Të thellojmë bashkëpunimin bazuar në interesat strategjike

Tri javë pas rizgjedhjes së Edi Ramës, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani vizitoi Athinën, ku u takua edhe…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Rikthim në tempullin e poezisë

Tre vite më parë, me 18 shkurt 2022 u nda nga jeta poeti Bardhyl Londo!

Profil

Koçi Tahiri, veprimtar i respektuar i elitës intelektuale dhe i politikës shqiptare

"Pishtari i Demokracisë" dhe ish-deputet (2017-2021) ka veprimtari të gjerë aktive 35-vjeçare, me karakter krahinor dhe kombëtar.

Masmedia

Çelet “Java e Administratës Publike 2025”, Pirdeni: Trajnime në IA për 600 punonjës

Rikthehet “Java e Administratës Publike 2025 – Edicioni II”, organizuar nga Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.