“Durrësi i Humbur” – Një homazh për qytetin dhe njerëzit që nuk harrohen

Tjetër goditje e fuqishme artistike i shkrimtarit të njohur Fatmir Minguli. Një recense e thellë e shpirtit të qytetit


Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh

Në tryezën e lexuesit durrsak por edhe më gjerë, vjen me forcë të veçantë libri më i fundit i shkrimtarit dhe kronikanit të kujtesës urbane, Fatmir Minguli. Titulli “Durrësi i humbur” nuk është thjesht metaforë e ëmbël mallëngjyese, por thirrje e thellë shpirtërore, një apel i ndërgjegjshëm për të parë përtej betonit të kohës dhe për të kërkuar qytetin e brendshëm, atë që jeton në kujtesën e brezave, në lagjet e vjetra, në godinat e rrënuara apo të fshira nga hartat urbane, në njerëzit e harruar të një qyteti, që ka ditur të japë shumë e sot kërkon të rikthejë identitetin e vet.

Ky është botimi i 22-të i autorit dhe padyshim ndër më personalët, më të dhimbshmit dhe më shprehësit në aspektin emocional. Është homazh i gjatë, i strukturuar, i veshur me nostalgji të thellë, por edhe me përpjekje analitike për të mos mbetur vetëm në zonën e kujtimeve, por për të rikuperuar edhe pjesë të identitetit urban, historik dhe njerëzor të Durrësit.

Ka autorë që shkruajnë për të ndërtuar jetë të re letrare. Ka të tjerë, të cilët shkruajnë për të shpëtuar atë që po shuhet. Fatmir Minguli i përket kësaj të dytës. Është prej atyre kronikanëve të qytetit, që ka kuptuar se koha nuk është gjithmonë aleat i kujtesës, por shpesh armik i saj i heshtur. Me botimin e tij të 22-të, “Durrësi i Humbur”, ai nuk shpik gjëra të reja, përkundrazi: ringjall me përkushtim, përmes punës së kujdesshme dokumentare, gjithçka ishte dikur, që u harrua, u rrënua, apo nuk gjeti vendin e merituar në kujtesën kolektive të qytetit.

Një libër që rikthen ndërgjegjen qytetare

Në hyrje të veprës, autori shpreh falënderimet e tij për bashkëpunëtorët e çmuar si Luan Jaupi, Art Shahini, Pol Milo, që kanë ndihmuar në përmbajtje dhe fotografi, si dhe për të ndjerin Piro Minguli, vëllai biologjik, krijues i njohur. Ky falënderim nuk është thjesht formalitet. Tregon se si kjo vepër është e lindur nga bashkëpunimi, nga kujtesa kolektive dhe nga ndjenja e thellë qytetarie.

Një libër i ndarë në dy rrëfime

“Durrësi i humbur” ndahet natyrshëm në dy pjesë: në të parën, deri në faqen 130, autori përqendrohet në atë që ai e quan me të drejtë “objektet e harruara e të zhdukura” — një listë e çmuar prej 15 monumentesh, institucioneve apo hapësirave me ngarkesë simbolike për qytetin.

Në pjesën e dytë, nga faqja 131 deri në faqen 226, vëmendja kalon te personazhet, figurat njerëzore që mbajnë gjallë kujtesën qytetare: artistë, ekonomistë, inxhinierë, kapitenë, muzikantë e krijues të cilët kanë jetuar për Durrësin, por historia zyrtare shpesh i ka lënë jashtë hartave të lavdisë.

Kjo ndarje nuk është thjesht strukturore. Ajo është filozofike. Objektet dhe njerëzit janë dy komponentët themelorë të një qyteti: pa to nuk ka frymë, nuk ka memorje, nuk ka lidhje brezash. Duke i bashkuar këto dy shtylla në vepër të vetme, Minguli na jep jo vetëm një mozaik, por edhe tempull të kujtesës urbane, ku secili durrsak mund të shkojë për t’u përkulur me respekt.

Objektet si kujtesë arkitekturore dhe emocionale

Pjesa e parë: Topografia e nostalgjisë dhe arkitektura e mungesës

Në këtë pjesë, Minguli na jep 15 rrëfime të mbështetura mbi vendet, objektet, ndërtesat dhe hapësirat që nuk janë më, por që kanë lënë gjurmë të pashlyera në memorien durrsake.

Ai na sjell kinemat e humbura, ku ekrani ndriçonte ëndrrat e brezave të tërë; stacionin e vjetër të trenit, ku fillonin udhëtime të pafundme njerëzore dhe emocionale; pistën Breshka dhe hotelin legjendar pranë saj, ku pushimet kishin shije vërtet pushimi. Ai evokon fabrikën “Stamles”, një industri model që prodhoi jo vetëm cigare, por edhe krenari lokale; Hotel Vollgën, si metaforë e ndryshimeve politike, stilistike dhe ekonomike.

Në vëmendje të veçantë qëndron Porti i Durrësit, jo vetëm si qendër tregtare dhe ekonomike, por si një emblemë shpirtërore e qytetit që gjithmonë ka parë nga deti.

Pastaj vijnë objekte të tjera: oficinat Papaj, Deliallisi e Zdrava, që përfaqësojnë teknologjinë dhe mjeshtërinë e viteve ‘30–‘40; muret e Porto Romanos dhe muri rrethues i qytetit, si dëshmi të vazhdimësisë historike; godinat e Princ Vidit, Kisha e Shën Spiridhonit, hangari i hidroplanëve austriakë, manastiri enigmatik i Shën Vlashit, dhe më tej – shatërvani në qendër të qytetit, që ishte simbol i përbashkët i jetës urbane.

Përmes këtyre kapitujve, autori nuk thjesht dokumenton – ai rikthen kujtesën e qytetit në vëmendjen publike me stil të qartë, ndonjëherë elegjiak, por gjithmonë plot respekt.

Njerëz të heshtur, figura të ndritura – që u fshinë nga kujtesa kolektive

Në pjesën e dytë të librit, Minguli ndryshon qasje: ai largohet nga struktura fizike për të ndriçuar strukturën shpirtërore të qytetit, njerëzit që kanë kontribuar në kulturën, artin, ndërtimin dhe kujtesën shoqërore të Durrësit.

Pjesa e dytë e librit është kolanë portretesh njerëzore, që përbëjnë kolonat e padukshme të qytetit. Ajo është dëshmi e fuqishme e ndihmesës njerëzore, në ndërtimin e kulturës dhe dinjitetit të qytetit. Janë njerëz që nuk janë përmendur shpesh në historiografi zyrtare, por kanë qenë motorë të jetës kulturore, artistike, teknike dhe qytetare.

Minguli nuk ngurron të theksojë, që shumica e këtyre njerëzve kanë dhënë për Durrësin në mënyrë të heshtur, pa kërkuar lavdi, pa u promovuar nga askush. Ata kanë dhënë ndihmesë për artin, ndërtimin, edukimin, identitetin e qytetit. Por janë lënë në harresë. Me këtë libër, autori i vendos ata aty ku duhet: në përmasën e mirënjohjes kolektive.

Duke filluar me Adham Priftin, mjeshtrin e enigmave dhe artit durrsak, dhe duke vijuar me figurat e harruara si Ismail dhe Niazi Hidri, Çlirim Kume, Uljanov Kreko, apo të njohurit e mëdhenj si Ylli Çifti, Pjetër Dungu, Naim Kërçuku, Esat Ypi, Bektash Shehu, Hasan Ulqini, Nikolaus (Klaus) Treska, autori krijon galeri të përmallshme, ku çdo emër është histori, kualitet, gjyrë në mozaikun e gjerë të qytetit.

Nën penën e Mingulit, secili nga këto objekte nuk është pikë në hartë. Është ndjesi, përvojë, zë që flet nga e kaluara. Fjalët e tij nuk janë thjesht përshkrime. Ato janë gjurmime: nga detaji arkitekturor, e deri te bisedat që zhvilloheshin përpara kinemasë, nga zhurmat e trenave në stacionin e vjetër, e deri te aroma e lagështisë në hangarët e hidroplaneve.

Ai shfaq vëmendje të hollë ndaj ndryshimeve të peizazhit urban dhe përdor gjuhë që shpesh kalon në dimensionin poetik: “Muret nuk flasin, por të shohin drejt në shpirt”, shkruan ai në një pasazh për Portin e Durrësit. Kjo është edhe forca e tij stilistike: gjuhë që ruan kthjelltësinë e gazetarit, por edhe ngrohtësinë e rrëfimtarit, duke e bërë leximin sa informues, aq edhe emocionalisht të ngarkuar.

Në analizën e tij, Minguli nuk ndalet vetëm në përshkrimin e objektit fizik. Zhbiron edhe në ndjesitë që ato objekte ngjallnin. Kinemaja e parë, ku të rinjtë durrsakë përjetonin magjinë e ekranit, shatërvani i qytetit që shërbente si pikë takimi, fabrika e Stamles që mbante në punë qindra familje, por edhe mbante gjallë një erë që ngulitej në kujtesë. Ato nuk janë objekte të ftohta: janë shenja të identitetit.

Kjo pjesë është kritikë e heshtur ndaj transformimit urban, në disa raste e mbingarkuar që ka përfshirë Durrësin. Përmes leksikut të thjeshtë, por të përpunuar emocionalisht, autori ngre akuzë ndaj harresës institucionale, ndaj mungesës së kujdesit për trashëgiminë materiale dhe shpirtërore.

Njerëzit që ruajnë shpirtin e qytetit

Për shumë prej tyre, ky libër është ndoshta përmendorja e parë dhe e vetme. Sepse, siç thotë autori në hyrje, ata janë “të harruar nga mediat qendrore dhe lokale, si në kohën e monizmit, ashtu edhe më pas”. Duke u rikthyer në vëmendje, Fatmir Minguli i ngre këta njerëz në vendin që meritojnë: në altarin e kujtesës qytetare. Analiza e këtyre figurave shkon përtej biografisë. Autori shtron pyetjen e madhe: si mund të ndërtohet një qytet, pa kujtuar njerëzit që e kanë bërë atë të jetë i tillë? Çfarë jemi ne sot, nëse nuk dimë kush ishim dje?

Veçanërisht prekës është përshkrimi i figurës së Esat Ypit, ekonomistit dhe intelektualit plot sharm dhe kulturë, të shuar në Trevizo të Italisë. Me penë të përmbajtur, por me intensitet emocional të lartë, Minguli rikthen jo vetëm emrin, por edhe frymën e atij njeriu që ndërtoi kontejnerin e parë në portin e Durrësit.

Po ashtu, përshkrimi i jetës dhe veprës së Nikolaus Treskës, emër thuajse i panjohur për publikun e gjerë, por me histori që sfidon harresën, është mësim për të gjithë ne: nuk ndërtohen vetëm rrugë, por edhe ura midis kohëve.

Një libër që rikthen ndërgjegjen qytetare

Në fund të librit, ndjesia që mbetet është ajo e një hidhërimi të ëmbël. Sepse ai Durrës që përshkruan Minguli nuk është më. Por, nga ana tjetër, vepra është thirrje për të mos harruar. Për të mbrojtur atë që ka mbetur. Për të kujtuar ata, që nuk duhen lënë në pluhurin e harresës. Ky është libër që nuk lexohet thjesht, por ndjehet.

Artistikisht dhe stilistikisht – libër që është pasqyrë dhe thirrje

Stili i Fatmir Mingulit nuk është thjesht dokumentar. Ai përdor një gjuhë të ngrohtë, njerëzore, të mbështetur në fakte dhe kujtime, por që shpesh kthehet në poezi përmes ritmit të fjalisë dhe strukturës figurative. Çdo personazh dhe objekt që sjell, ai e vesh me ndjeshmëri dhe dashuri, si një vëzhgues që nuk është i ftohtë, por i përfshirë.

Shkrimi i tij është i rrjedhshëm, i ndërtuar me kujdes, me përdorim të moderuar të fjalëve të rralla, por gjithmonë të goditura. Ai është gazetar, publicist dhe rrëfimtar i kujtesës, kombinim që i jep librit thellësi, stil dhe emocion.

Përmbyllje: Kur fjala bëhet ndërgjegje

Fatmir Minguli nuk shkruan për të shitur. Ai shkruan për të ruajtur. Nuk është vetëm autor. Eshtë rojtar i kujtesës së një qyteti që kërkon veten në rrënojat e së kaluarës, në portretet e harruara, në ndjesitë që koha përpiqet t’i fshijë.

“Durrësi i humbur” është më shumë se një libër. Është testament qytetar. Një fener që ndriçon jo të ardhmen, por rrugën që kemi përshkuar për të mos u humbur në mjegullën e harresës.

Pse është ky libër i rëndësishëm?

Sepse “Durrësi i Humbur” nuk është vetëm listë faktesh apo biografi. Është thirrje për të mos harruar rrënjët tona. Është kujtesë. Durrësi nuk është vetëm qytet modern, por histori e gjallë njerëzore dhe kulturore që duhet ruajtur me kujdes. Ky libër është dhuratë për çdo durrsak, që ka mall për qytetin, por edhe për çdo shqiptar i cili kupton se qyteti nuk është vetëm ndërtesa, është ndjesi, është kujtesë, është njerëz. Dhe për këtë, Fatmir Minguli meriton jo vetëm përgëzim të sinqertë, por vend të veçantë në altarin e kujtesës kulturore të Durrësit. Ai është kronikani i heshtur, që flet me zërin e kohës dhe na bën të dëgjojmë… edhe atë që është zhdukur.

Vepër që duhet lexuar, ndarë dhe ruajtur

Në kohën kur qytetet tona po i humbin kujtimet bashkë me ndërtesat dhe njerëzit e dikurshëm zëvendësohen nga harresa, ky libër është akt qytetar, thirrje për të mos harruar dhe homazh i ndjeshëm për Durrësin që jeton në zemrat tona, siç thotë edhe nëntitulli i vetë autorit.

Fatmir Minguli meriton jo vetëm përgëzim për këtë vepër, por edhe vend të përhershëm në rrëfimin modern të historisë urbane shqiptare. E ka kuptuar një gjë të thjeshtë, por të thellë: qytetet nuk mbahen gjallë nga betoni, por nga kujtesa. Dhe në këtë libër, ai i ka dhënë Durrësit jetë të dytë.
_____________________________
Durrës: 27 qershor 2025

Lexo më shumë nga

“Durrësi i Humbur” – Një homazh për qytetin dhe njerëzit që nuk harrohen

Tjetër goditje e fuqishme artistike i shkrimtarit të njohur Fatmir Minguli. Një recense e thellë e shpirtit të qytetit

Global 360

Ibrahimaj: Mbështetje ekosistemeve të startup-eve me mbi 10 milionë euro vetëm në 3 vitet e fundit

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në edicionin e 7-të të “Startup City…

Diplovista

Hasani për ”Kathimerini”: Të thellojmë bashkëpunimin bazuar në interesat strategjike

Tri javë pas rizgjedhjes së Edi Ramës, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani vizitoi Athinën, ku u takua edhe…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Rikthim në tempullin e poezisë

Tre vite më parë, me 18 shkurt 2022 u nda nga jeta poeti Bardhyl Londo!

Profil

Koçi Tahiri, veprimtar i respektuar i elitës intelektuale dhe i politikës shqiptare

"Pishtari i Demokracisë" dhe ish-deputet (2017-2021) ka veprimtari të gjerë aktive 35-vjeçare, me karakter krahinor dhe kombëtar.

Masmedia

“Durrësi i Humbur” – Një homazh për qytetin dhe njerëzit që nuk harrohen

Tjetër goditje e fuqishme artistike i shkrimtarit të njohur Fatmir Minguli. Një recense e thellë e shpirtit të qytetit