
Të ardhurat nga turizmi arrijnë rekord 874 milionë euro, në 3-mujorin e parë
Turizmi është kthyer në një motor për ekonominë e vendit duke gjeneruar të ardhura gjithnjë e në rritje të qëndrueshme.

Turizmi është kthyer në një motor për ekonominë e vendit duke gjeneruar të ardhura gjithnjë e në rritje të qëndrueshme.
Në tremujorin e parë të këtij viti, të ardhurat nga sektori i turizmit shënuan një tjetër rekord në krahasim me të njëjtën periudhë të viteve të mëparshme.
Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, turistët e huaj shpenzuan në Shqipëri 874,36 milionë euro, me një rritje rreth 11% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024 dhe 40% më shumë se në të njëjtin tremujor të vitit 2023.
Statistikat tregojnë se, Shqipëria ka rritur epërsinë në tërheqjen e turistëve elitar që shpenzojnë më shumë dhe në periudha më të zgjatura, fakt që përkthehet në një ndikim pozitiv dhe të shpërndarë në ekonomi.
Nga ana tjetër edhe bilanci neto i turizmit mbetet pozitiv për ekonominë shqiptare, duke reflektuar jo vetëm rritjen e turizmit hyrës, por edhe forcimin e ofertës turistike shqiptare jashtë sezonit veror.
Diferenca midis shpenzimeve të turistëve të huaj në vend dhe shqiptarëve që dalin jashtë ka arritur në 295, 32 milionë euro.
Në këtë kuadër, Shqipëria konfirmohet si një vend që fiton më shumë nga turizmi sesa që shpenzon për të, të paktën në bilancin ekonomik.
Burimi ATSH