
OSBE trajnon gazetarët për raportimin mbi armët e vogla, sigurinë dhe dhunën me bazë gjinore
Trajnimi ndërveprues u organizua nga Prezenca e OSBE-së si pjesë e mbështetjes së saj për përpjekjet e autoriteteve shqiptare për të forcuar ndërgjegjësimin publik mbi rreziqet dhe keqpërdorimin e AVL-ve.

Njëmbëdhjetë gazetarë nga media të ndryshme morën pjesë në një trajnim për përmirësimin e cilësisë së raportimit mbi incidentet lidhur me armët e vogla dhe të lehta (AVL), me fokus të veçantë mbi dhunën me bazë gjinore.
Trajnimi ndërveprues u organizua nga Prezenca e OSBE-së si pjesë e mbështetjes së saj për përpjekjet e autoriteteve shqiptare për të forcuar ndërgjegjësimin publik mbi rreziqet dhe keqpërdorimin e AVL-ve.
Gjatë trajnimit u prezantua dhe u përdor si material bazë manuali i ri i botuar nga Prezenca i titulluar “Përtej kryetitujve: Manual për gazetarët që raportojnë për çështjet e sigurisë, armët e vogla e të lehta dhe dhunën me bazë gjinore në Shqipëri”.
Diskutimet e hapura dhe rastet praktike u mundësuan pjesëmarrësve të shkëmbenin praktikat më të mira dhe parimet për raportim të përgjegjshëm.
Ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë mbi dhunën me bazë gjinore, përfaqësues të shoqërisë civile, partnerë rajonalë si SEESAC dhe ekspertë ndërkombëtarë të medias ndanë përvojat e tyre mbi kuadrin rregullator, praktikat më të mira dhe punën në terren, me qëllim rritjen e njohurive dhe sigurimin e një mirëkuptimi të përbashkët mes gazetarëve për këto tema.
Nisma theksoi rolin thelbësor të medias në formësimin e perceptimit publik, edukimin e komuniteteve dhe ndikimin në qëndrimet shoqërore, duke vënë në pah nevojën për saktësi, ndjeshmëri dhe përgjegjësi etike në mbulimin e lajmeve.
Vëmendje e veçantë iu kushtua ndikimit të mundshëm të narrativave mediatike në të kuptuarit publik të sigurinë dhe të dhunës me bazë gjinore.
Ky trajnim ishte pjesë e projektit të Prezencës së OSBE-së “Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta”, i cili financohet nga Bashkimi Evropian, Gjermania dhe Franca.
Si pjesë e përpjekjeve më të gjera, projekti ka krijuar marrëdhënie të ngushta me median dhe ka zhvilluar disa veprimtari me gazetarë që mbulojnë çështjet e sigurisë.
Burimi ATSH