
Qyteti i Përmetit nderoi sot figurën e rilindësit të madh Naim Frashëri, me rastin e 179-vjetorit të lindjes së tij, përmes një veprimtarie kulturore që përfshiu institucione dhe përfaqësues nga mbarë hapësira shqiptare.

Qyteti i Përmetit nderoi sot figurën e rilindësit të madh Naim Frashëri, me rastin e 179-vjetorit të lindjes së tij, përmes një veprimtarie kulturore që përfshiu institucione dhe përfaqësues nga mbarë hapësira shqiptare.
Aktiviteti “Naim Frashëri – Emblema Ndriçuese e Kulturës Shqiptare”, u organizua nga Shoqata Atdhetare Kulturore Mbarëkombëtare “Vëllezërit Frashëri” në bashkëpunim me bashkinë Përmet, Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, Këshillin e Qarkut Gjirokastër, shoqatën “Tomori”, Komunën e Rahovecit në Kosovë dhe shoqatën “Zëri Dardan”.
Gjatë veprimtarisë u mbajtën përshëndetje nga të ftuar dhe personalitete të fushës së kulturës dhe arsimit, ndërsa një vend të veçantë zuri konkursi letrar me pjesëmarrjen e nxënësve nga shkollat e Përmetit, Këlcyrës, Suharekës dhe Rahovecit. Nxënësit sollën përmes poezisë dhe eseve frymën rilindase dhe vizionin e Naim Frashërit për gjuhën, kombin dhe dijen.
Në kuadër të aktiviteteve u zhvillua edhe një vizitë në vendlindjen historike të vëllezërve Frashëri, për të reflektuar mbi trashëgiminë që ata lanë pas.
Mbrëmja do të kulmojë me festivalin mbarëkombëtar të poezisë “Në gjurmët Naimiane”, i cili do të mbahet në kinema “13 Shtatori”, ora 19:00, duke sjellë interpretime poetike dhe artistike të frymëzuara nga vepra e Naim Frashërit.
Naim Frashëri lindi në Frashër të Dangëllisë së Përmetit më 25 maj 1846. Mësimet e para i mori në vendlindje, ku nisi të mësonte persishten pranë teqesë bektashiane. Më 1865 familja e tij u shpërngul në Janinë, ku ndoqi gjimnazin “Zosimea”. Mbas kthimit në vendlindje, ai bëri provat e para të vjershërimit shqip nën ndikimin e bejtexhinjve, por edhe persisht, në përmbledhjen “Tehajylat” (Ëndërrime) që e botoi në vitit 1885.
Mori pjesë në ngjarjet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në mbledhjen e degëve të Jugut të Lidhjes Shqiptare në Frashër (1878). Ai iu kushtua punës për zgjimin kombëtar përmes lëvrimit të gjuhës shqipe e të letërsisë kombëtare dhe për ngritjen e shkollës shqipe e pajisjen e saj me tekste mësimore në gjuhën amtare. Më 1882 u vendos përfundimisht në Stamboll. Me përkushtimin dhe veprimtarinë e tij të dendur atdhetare e kulturore Naim Frashëri u bë figura qendrore e Rilindjes Kombëtare dhe u pagëzua për së gjalli si “Apostull i Shqiptarizmës”.
Për më pak se 20 vjet botoi një krijimtari të gjerë në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera, poema, përmbledhje lirikash, prozë artistike, si dhe vjersha e tekste për shkollat dhe përkthime. Veprat e tij më të shquara janë “Bagëti e Bujqësija” (1886), përmbledhja me lirika atdhetare e filozofike “Luletë e verësë” (1890), poema epike “Istori e Skënderbeut” (1898), lirikat në persisht “Ëndërrime” si dhe poemat në gjuhën greke “O alithis pothos ton Skyperaton” (Dëshira e vërtetë e shqiptarëve, 1886), etj.
Vepra e Naim Frashërit është botuar dhe vazhdon të botohet gjerësisht dhe është bërë objekt studimesh shkencore. Naim Frashëri vdiq në Stamboll më 20 tetor 1900. Eshtrat e tij u sollën në atdhe më 1937 dhe prehen në Memorialin e Rilindësve në Tiranë.
Burimi ATSH