
Laver Bariu, ustai i madh i kabasë përmetare!
Laver Bariu, klarinetisti që e shndërroi frymën në gjuhë të shpirtit shqiptar, tani i jetësuar në statujë

Nga Albert Vataj
Edhe pse kanë kaluar njëmbëdhjetë vite nga ndarja e tij nga jeta, Laver Bariu mbetet i gjallë në ndërgjegjen kolektive të kulturës sonë, i përjetësuar jo vetëm përmes tingullit të mrekullueshëm të klarinetës, por tashmë edhe në një vepër arti, në një statujë që e tregon, si gjithmonë, duke i rënë klarinetës.
Ai është aty, në zemër të Përmetit të luleve dhe dashurisë, në qytetin ku e nisi udhën ai tingull që mbushi eterin dhe u shndërrua në kujtesë shpirtërore të një kombi. Është aty ku tradita nuk tretet, ku muzika është më shumë se argëtim – është shpirt, është identitet, është bukuri e bërë zë.
Më 21 maj 2025, statuja e Laver Bariut u përurua në një ceremoni të thjeshtë, por prekëse, ashtu si këngët e usta Laverit. Në mesin e përmetarëve, miqve, të ftuarve, gazetarëve, turistëve dhe pesë fëmijëve të tij, tingujt e klarinetës dhe emocionet u ndërthurën për të nderuar një njeri që i dha muzikës shpirtin dhe shpirtit, muzikën.
Iniciativa për këtë përjetësim artistik nisi nga Bledi Mane dhe kryebashkiakja e Përmetit, znj. Alma Hoxha, dhe u konkretizua me përkushtim nga skulptori i ri, por i talentuar, Alem Toska. Vepra u bë realitet falë mbështetjes së përzemërt të shumë dashamirësve dhe miqve të kulturës: Vjosart Festival, Laert Kasaj, Jona Dervishi, Gjergj Luca, Behar Mançellari, Leonidha Komino, Elvis Toçi, Julinda Dhame, Edi dhe Ervin Manushi, Arlind Petuqi, Alma dhe Zamo Spathara, Ilia Tiko, Vangjush Dako, Kleo Kosta, Bujar Nurka, Bledar Kalaja, Edvin Gaçe, Adelina Stefani, Oriana Dervishi, Arben Mane, Gjergji Topoviti, Niko Shupuli, Ali Toska, Redi Xhillari, Hermes Ponoçi, Irma Tako, Stilian Jankulla… dhe shumë të tjerë që me kontributin e tyre nderuan jo vetëm një artist, por vetë shpirtin e muzikës popullore shqiptare.
Laver Bariu u lind më 2 maj 1929 në Përmet dhe u shua më 26 janar 2014. Ai ishte dhe do të mbetet një nga figurat më të ndritura të muzikës popullore shqiptare, mjeshtër i pakontestuar i gërnetës dhe një zë i rrallë në këngën tradicionale të Toskërisë.
Si themelues dhe udhëheqës i Sazeve të Përmetit, ai e ngjiti këtë formacion në majat më të larta të interpretimit folklorik shqiptar, duke i kthyer në ambasadorë të kulturës sonë brenda dhe jashtë vendit.
Që në fëmijëri, Laveri tregoi një dhunti të jashtëzakonshme për veglat muzikore, të cilat i ndërtonte vetë nga degë pemësh, kallam gruri apo materiale të thjeshta. Pas zhvendosjes së familjes në Korçë në vitin 1935, ai përthithi ndikimet e para muzikore nga mjeshtër të njohur si Islami në gajde dhe sidomos nga Feim Gajdexhiu, babai i mikut të tij të fëmijërisë, Skënderit. Rreth moshës 10-vjeçare, niste të ushtrohej në llautën e të atit, Bariut, dhe më vonë do të luante edhe në fyej metalike që shiteshin në dyqanet e qytetit.
Kthimi në Përmet në fund të vitit 1944 shënon një etapë të re në jetën e Laverit. Ai bie në kontakt me usta Vangjel Leskovikun, me të cilin punoi rreth një vit si lahutar, ndërsa në mënyrë autodidakte vazhdonte të perfeksiononte gërnetën – veglën që do të bëhej zëri i shpirtit të tij muzikor.
Në vitin 1951 themelon grupin e parë të Sazeve të Përmetit dhe një vit më vonë fiton çmimin e parë si instrumentist në Festivalin e parë Folklorik Kombëtar në Tiranë (1952). Kjo do të ishte nisja e një rruge të gjatë dhe të ndritshme, e shënuar nga regjistrime historike, pjesëmarrje në festivale kombëtare e ndërkombëtare dhe kontribute të vyera në ruajtjen dhe zhvillimin e muzikës popullore.
Në vitin 1954 realizon regjistrimin e parë me saze, ndërsa në vitin 1966 regjistron në Radio-Tirana tri kaba përmetare me klarinetë, të cilat konsiderohen si gurë themeli të repertorit klasik të kësaj muzike.
Formacioni i tij i qëndrueshëm i sazeve, i konsoliduar në vitin 1976, përbëhej nga gërneta, lahuta, fizarmonikë, def dhe violinë. Ky formacion, i njohur si “Bilbilat e Përmetit”, ishte unik jo vetëm për virtuozitetin e interpretimit, por edhe për faktin se sazet këndonin vetë, duke sjellë një përthyerje autentike të traditës.
Laver Bariu ishte jo vetëm një interpret brilant, por edhe krijues i shumë hyrjeve këngësh, kabash, valleve dhe reinterpretimesh të repertorit të vjetër të Sazeve. Ai ishte mësuesi i parë dhe më i rëndësishëm për një brez të tërë gërnetaxhinjsh nga Përmeti e rrethinat.
Në krijimtarinë e tij, Laver Bariu shfaqi edhe një anë tjetër befasuese: ishte i apasionuar pas astronomisë dhe parapsikologjisë. Kjo dëshmon për një shpirt kërkues, të hapur ndaj mistereve të botës dhe të qenies.
Kontributi i tij nuk u kufizua vetëm te muzika tradicionale. Ai ka bashkëpunuar edhe me estradën shqiptare, duke kontribuar në krijimin e këngëve të reja, përfshirë edhe disa prej projekteve të këngëtares shkupjane Tuna në vitet e fundit të jetës.
Në dekadat që pasuan, Laver Bariu performoi me emrat më të mëdhenj të këngës popullore: nga Behije Roçi dhe Qemal Ponoçi në vitet ’50, te Mentor Xhemali dhe Ylli Zeqiri në vitet ’70, Ardiana Daci, Drini Kanani në vitet ’80 dhe deri te Donika Pecollari, Evgjeni Çulli dhe Anastas Naqe në vitet ’90.
Në vitin 1977, së bashku me Çobanin dhe Mentor Xhemalin, realizon muzikën e filmit “Gjeneral Gramafoni” të Viktor Gjikës – një vepër monumentale për artin dhe historinë muzikore shqiptare. Në vitin 1989 bëhet protagonisti i filmit dokumentar “Këngët e zemrës” me regji të Todi Bozos, një përmbledhje emocionuese e rrugëtimit të tij artistik.
Ai realizoi disa disqe të rëndësishme në vitet ’90: në Angli (1994), Greqi dhe Australi (1995) – duke i dhënë një dimension ndërkombëtar trashëgimisë së tij muzikore. Aktiviteti i sazeve të tij vazhdoi me të njëjtin intensitet deri në fund të jetës, me pjesëmarrjen e fundit në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës në vitin 2000.
Në mars të vitit 2001, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në kulturën kombëtare, Laver Bariu dekorohet nga Presidenti i Republikës me titullin “Mjeshtër i Madh i Punës”. Po atë vit, Këshilli Bashkiak i Përmetit e shpall “Qytetar Nderi”, krahas figurave madhore si Vëllezërit Frashëri, Odhise Paskali dhe Mentor Xhemali.
Regjistrimet e tij muzikore ruhen në fondet e Radio-Tiranës, Televizionit Shqiptar, Institutit të Kulturës Popullore, si dhe në Radio Suedinë, që e regjistroi në festivalin folklorik të Falunit.
Trashëgimia e tij vijon të jetojë në zërin e gërnetës, në tingujt e sazeve të Përmetit dhe në kujtesën kulturore të kombit shqiptar.
Laver Bariu mbetet një figurë emblematike, jo vetëm si mjeshtër i gërnetës, por si simbol i shpirtit krijues dhe ruajtës i një prej identiteteve më të veçanta të muzikës popullore shqiptare: këngës përmetare.