“Andrra bjeshkësh e dritash t’argjendta”

(Cikël poezish nga poetja e mirënjohur Merita Gruda)


Nga Merita Gruda

***

PARA DIELLIT

Para diellit
në park vijnë pleqtë
ndonjëri me radio në dorë
hapur në një stacion që jep lajme
o muzikë të vjetër
me këngë të një dashurie të pamundur.
Vetëm a të shoqëruar,
me hapa të ngadaltë
çapiten sikur masin kohën e mbetur

Pastaj dalin ata që shëtisin qentë
ende përgjumësh mbahen në litarin
lidhur me kafshën besnike
ose i lëshojnë,
karrem për njohje të reja

Të tjerë duken më vonë
nxitojnë, vrapojnë…
gjendur diku mes kohësh,
më shumë se askush
i friken asaj që ikën

Kur dita ka marrë udhë
shpërfillshëm
zhurmojnë rruginash të rinjtë
që se pse besojnë
se kanë kohë për gjithçka…

— • —

GJEOGRAFI

Në viset e tua,
Drini del rrëmbyeshëm,
shkumon e zbardhon
e ngre n’ajri avuj të ylbertë,
tërbohet në theqafje shkrepash
e madhështi grykash që të lënë pa frymë.

Në viset e mia,
Drini vjen trazuar
në shtjellat e veta vlon
andrra bjeshkësh e dritash t’argjendta
ndizet e përndizet
në et’ fushash e ujërash të jeshilta Bune.

Nga viset e tua në viset e mia
Drini sjell mallin
e Bunës ia fal në përqafim.
E ashtu,
kapërthyer mallesh,
Drin e Bunë,
kridhen në det
e gjejnë paqtim.

–*–

KOHA

Era, shiu, dielli
me durim
kthejnë në pluhur
përkohësinë tonë

Nga e para
Dheu Uji Zjarri
ngrenë tjetër formë
dhe Fryma i fal shpirt

Koha
luan figurinash
me segmente përkohësie

— • —

ROZAFË

Ndoshta,
kur Cukali mëngjeseve lëshonte diellin
a kur Taraboshi e përkundte në perëndim,

Ndoshta,
kur qielli errej shiut që derdhej mbi Bujanë e Drin
a kur era lëshonte kujën në kala e faqen e liqenit rrudhte

Ndoshta,
Në ditënetët me peshë shekujsh, sa herë ke pyetur:
“Pse?
Pse plaku i moçëm zgjodhi
një grua?”

Ndoshta,
me kohën,
kur djalin dhe muret mëkoje me qumësht,
kuptove atë,
që urtësia e dinte,
por vëllezërve
nuk ua tha me fjalë:

Janë burrat ata që i ndërtojnë kështjellat,
por, në jetë,
i mbajnë
gratë.

Lexo më shumë nga

Filo: Turizëm gjatë gjithë vitit në Korçë, po shtohen vizitorët nga vendet fqinje

Prej vitesh turizmi në Korçë ka njohur vetëm rritje. Edhe sezoni veror që lamë pas nuk bëri dallim nga ky…

Global 360

Presidenti i Këshillit Evropian, Costa: Zgjerimi i BE-së, investim strategjik për paqen dhe të ardhmen e kontinentit

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, deklaroi sot se zgjerimi i Bashkimit Evropian është një nga sfidat më domethënëse dhe…

Diplovista

Hasani për ”Kathimerini”: Të thellojmë bashkëpunimin bazuar në interesat strategjike

Tri javë pas rizgjedhjes së Edi Ramës, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani vizitoi Athinën, ku u takua edhe…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Humanizmi sot në shoqëri sfidë për njerëzimin!

Humanizmi sot nuk është thjesht një koncept filozofik, por një nevojë absolute shoqërore dhe morale.

Profil

Elisabeta Katiaj – Zëri i gruas në biznes dhe në diasporë

Si nënkryetare e Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, Katiaj ka ndihmuar në ngritjen e një platforme të fortë për…

Masmedia

Filo: Turizëm gjatë gjithë vitit në Korçë, po shtohen vizitorët nga vendet fqinje

Prej vitesh turizmi në Korçë ka njohur vetëm rritje. Edhe sezoni veror që lamë pas nuk bëri dallim nga ky…