Duka: Tani duam të kualifikohemi në Botëror

Rrugëtimi i Kombëtares kuqezi në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024” është ende një nga temat më të diskutuara në mediet shqiptare e më gjerë.


Rrugëtimi i Kombëtares kuqezi në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024” është ende një nga temat më të diskutuara në mediet shqiptare e më gjerë. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Silvinjo nuk ia dolën të kalonin në fazën e 1/16-ve, teksa ishin pjesë e grupit B, përballë Spanjës, Italisë dhe Kroacisë.

Edhe pse morën vetëm një pikë në tre ndeshje, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka shprehet se skuadra ka bërë një paraqitje të mirë në këtë aventurë europiane. Në një intervistë për një media në Kosovë, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar tregon se kuqezinjtë kanë luftuar në çdo ndeshje deri në minutën e fundit, pavarësisht se përballë kishin skuadra kampione dhe nënkampione. Ndër të tjera, presidenti Duka flet edhe për kontratën e trajnerit Silvinjo, duke vlerësuar punën e teknikut brazilian në krye të ekipit tonë kombëtar; tregon emrat e kuqezinjve që u kanë bërë më shumë përshtypje në këto ndeshje; komenton vendimet e Komisionit të Disiplinës dhe Etikës së UEFA-s për gjobat e vendosura për FSHF-në dhe dënimin e Mirlind Dakut.

Numri një i futbollit shqiptar, Armand Duka flet në këtë intervistë edhe për marrëdhënien e shkëlqyer me Federatën e Kosovës dhe presidentin Agim Ademi, ndërsa thotë se nuk ka një marrëveshje mes dy federatave për kalimin e lojtarëve në ekipin tonë kombëtar, pasi çdokush e ka derën e hapur në Kombëtaren shqiptare. Presidenti Duka flet edhe për kandidaturën me Federatën Serbe për të mirëpritur finalet e Kampionatit Europian 2027 për grupmoshën U-21 ndërsa tregon edhe objektivat e Kombëtares për të ardhmen: ngjitjen në Ligën A në Nations League dhe kualifikimin për herë të parë në finalet e një Kampionati Botëror.

– Ishim në Grupin e ferrit në Evropian ku përballë kishim emra të mëdhenj si Kroacia, Spanja dhe Italia, sa je i kënaqur me paraqitjen e Kombëtares?

– Shqipëria ka bërë një paraqitje shumë të mirë në këtë Kampionat Evropian, pavarësisht se ishim në “grupin e ferrit” me ekipe që janë shpallur disa herë kampione Evrope dhe Bote si Spanja dhe Italia, apo edhe Kroacia që ka qenë finaliste në Kupën e Botës 2018 apo gjysmëfinaliste në këto kompeticione kaq të rëndësishme të futbollit.

Sigurisht që mund të bënim më mirë, kemi luajtur mirë në të trija ndeshjet, ose për të qenë më i saktë, në gjysmën e dytë të ndeshjes me Italinë dhe në takimet përballë Kroacisë dhe Spanjës. Me pak fat mund ta kishim fituar kundër Kroacisë, ashtu sikurse ndeshja mund të ishte mbyllur edhe në favor të kroatëve.

Por ne treguam që nuk kishim shkuar aty për pushime dhe luajtëm fort, me grintë dhe ishim aty deri në minutën e fundit të lojës, ku shënuam golin e barazimit me Gjasulën dhe kishim edhe një mundësi për t’i dërguar shifrat në 3-2. Por ky është futbolli, këto janë emocionet që ky sport dhuron dhe duhet të pranojmë në fund rezultatin. Në përgjithësi jam mjaft i kënaqur me atë që skuadra jonë bëri në fushë në këtë Kampionat Evropian, por e kam thënë dhe do vazhdoj ta them që mund të kishim marrë më shumë në tre ndeshjet, nëse do kishim guxuar, nëse do kishim besuar më shumë. Por, i falënderoj vërtetë çunat për emocionet, të gjithë stafin dhe sigurisht edhe tifozerinë shqiptare që shkëlqeu në Gjermani, në çdo qytet, në çdo shesh e në çdo stadium.

– Para evropianit keni pritur më shumë apo pas ndeshjes së parë u janë rritur pritshmëritë?

– Që kur u hodh shorti në dhjetor dhe mësuam se do të jemi në një grup me Spanjën, Italinë e Kroacinë e dinim që do ta kishim të vështirë, por kurrsesi në mendjen tonë nuk ekziston fjala ‘e pamundur’. Por që të rritesh në lojë, sigurisht që duhet të luash me kampionët. Në finalet e një kampionati evropian çdo skuadër jep mbi 100% në fushë. Ne kemi pretenduar që në ndeshjen e parë që të marrim pikë, pavarësisht se nuk ia dolëm. Por askush nuk futet në fushë me objektivin që të dalë i humbur. Është alogjike. Nuk morëm rezultatet që meritonim, për këtë jam i mërzitur. Por jam i kënaqur me paraqitjen e skuadrës në fushë.

– Hera e dytë që marrim pjesë në një Kampionat Evropian, cila Shqipëri e ka kënaqur më shumë Armand Dukën, ajo e vitit 2016 apo 2024?

– Hera e parë ka pasur më shumë emocione sigurisht, pasi nuk kishte ndodhur kurrë më parë që Shqipëria të kualifikohej në finalet e një Kampionati Evropian. Në Francë nuk kisha shumë presion për rezultatin, ishte e mrekullueshme që fituam një ndeshje dhe ne mund të kualifikoheshim në 1/16 nëse Portugalia nuk do të kishte golavarazh më të mirë se ne.

Por në këtë Evropian, veç të tjerash kisha shumë presion edhe për rezultatin. Besoja se do të merrnim rezultate më të mira, për këtë mund të them se jam pak ‘i zhgënjyer’, por kurrsesi nuk ndihem kështu për lojën e bukur dhe paraqitjen e skuadrës në këtë rrugëtim.

– Sylvinhos i skadon kontrata, do të ketë vazhdim të saj apo jo? Dhe sa je i kënaqur me punën e përzgjedhësit?

–  Silvinjos i ka mbaruar kontrata pas Evropianit. Ne i kemi propozuar në fakt rinovimin që në muajin janar. Për momentin trajneri është me pushime dhe javës që vjen do të takohemi për të diskutuar për këtë temë dhe për të vazhduar punën. Sigurisht ne duam të hedhim sa më shpejt firmën në kontratë dhe të vazhdojmë të punojmë së bashku.

Unë mendoj se Silvinjo ka punuar mirë, nën drejtimin e tij Shqipëria u kualifikua për në Euro 2024 pas një edicioni kualifikues shumë të mirë, ku bëri paraqitje shumë të mira në të gjitha ndeshjet dhe arriti të renditej në vendin e parë të grupit si kurrë më parë. Trajneri ka krijuar atmosferë pozitive në skuadër në një kohë shumë të shkurtër dhe rezultatet flasin shumë për punën e bërë.

– E dimë që ke vështirë të flasësh me emra, por kush nga lojtarët u ka lënë më shumë përshtypje në Evropian, na përmend disa nga ta?

– Vërtetë është e vështirë. Kemi një skuadër yjesh në fakt, që nga porta me Thomasin, që shkëlqeu në të trija ndeshjet e këtij Evropiani, duke vazhduar me mbrojtjen, mesfushën e sulmin. Vazhdon të më lërë pa fjalë dhe më mahnit në çdo ndeshje mbrojtësi i krahut të majtë, super Mario ynë si edhe truri i skuadrës, Kristian Asllani. Por janë të gjithë shumë të mirë, kemi një lider në mbrojtje si Berat Gjimshiti. Të gjithë, të gjithë më kanë lënë përshtypje shumë të mira.

– Mirlind Daku u pezullua nga UEFA me dy ndeshje. Përveç UEFA-s ku ju jeni nënkryetar a ka marrë masa edhe FSHF për atë apo thjesht e keni kuptuar futbollistin që e kanë kapluar emocionet?

– Sigurisht që kemi folur me futbollistin për atë që ndodhi. Ai e ka kuptuar dhe e ka thënë edhe vetë që është përfshirë nga emocionet në ato momente, por normalisht duhet pasur kujdes pasi në futboll nuk ka vend për racizëm, nuk ka vend për ofendime, nuk ka vend për gjeste anti-sportive. Futbolli ka fuqinë dhe misionin për të bashkuar njerëzit e popujt.

– Çfarë premio kanë pasur futbollistët për kualifikimin në Euro 2024 dhe na thuaj se çfarë premio kanë pasur për Kampionatin Evropian?

– Futbollistët dhe stafi kanë marrë një premio të majme për kualifikimin në Kampionatin Evropian, sigurisht edhe bonuse për çdo ndeshje të fituar në kualifikueset e këtij kampionati. Gjithsesi, pjesëmarrja në finalet e një Kampionati Evropian është në fakt bonusi më i madh që merr skuadra.

– FSHF është federata që ka paguar më së shumti dënime në Euro 2024, si i ke parë këto dënime?

– Sigurisht që askujt nuk i pëlqen që të gjobitësh aq shumë. Në tre ndeshje jemi gjobitur për të njëjtat arsye, për transmetimin e mesazheve anti-sportive, hedhjet e sendeve, ndezjen e flakadanëve, pushtimin e fushës. Megjithatë, vendimet kur janë të drejta respektohen dhe nuk diskutohen.

– Pas 2 pjesëmarrjeve në Kampionate Evropiane, a duhet të presin tifozët ta shohin Shqipërinë në një Kampionat Botëror dhe kur mund të ndodhë një gjë e tillë?

– Gjërat merren me radhë. Fillimisht kemi Ligën e Kombeve që nis në shtator dhe ne objektivi ynë është të ngjitemi në Ligën A. Luajmë përballë ekipeve si Republika Çeke, Ukraina e Gjeorgjia. Të gjithë e pamë se çfarë me grinte e pasioni luajtën këta të fundit në këtë Evropian, duke mposhtur Portugalinë e duke konkurruar denjësisht Spanjën. Pastaj është edhe Kampionati Botëror dhe objektivi ynë është sigurisht kualifikimi në finalet e Botërorit “Amerikë 2026”. E dëshirojmë pafund dhe jam i sigurt që me këtë skuadër yjesh që kemi, ëndrra mund të bëhet së shpejti realitet.

– Ka shumë zhurmë rreth futbollistëve nga Kosova që kalojnë në ekipet e moshave në Shqipëri. A keni ndonjë marrëveshje me FFK-në për mos t’i marrë lojtarë njëra-tjetrës?

– Me Federatën e Kosovës, me mikun tim Agim Ademi kemi marrëdhënie fantastike, të shkëlqyera. Nuk e shoh aspak shqetësuese këtë zhurmë, përkundrazi. Është shqetësuese kur shqiptarët luajnë për përfaqësuese si Zvicra, Italia, etj., por jo kur përfaqësojnë ngjyrat kuqezi. Çdokush e ka derën e hapur në Kombëtaren tonë.

– Kur keni vendosur për kandidaturën me Serbinë për Euro 2027, a keni menduar se mund të merrni shumë kritika nga shqiptarët, sidomos në Kosovë?

– Ka pasur shumë reagime nga tifozët, por edhe nga individë, në Kosovë e Shqipëri, gjithashtu edhe para familjes time të Federatës së Futbollit. Ne e kemi analizuar gjatë përpara se të shpallnim kandidaturën, por mendoj që edhe ata e kanë bërë, edhe në këndvështrimin politik, kanë parë më tutje, kanë menduar mesazhin që mund të japi ky bashkëpunim. Unë e kam konsideruar si një armë të fortë për ta fituar këtë garë e për ta siguruar këtë kampionat, sepse mesazhi që jep është shumë i rëndësishëm.

Është mesazh i paqes, tolerancës, bashkëpunimit dhe bashkëjetesës. E di mirë që dikush ka të drejtë të preket nga kjo, sepse plagën e kemi të freskët, por ne duhet të shohim më tej, duhet të mësohemi të bashkëjetojmë. Ne kemi në dorë të kontribuojmë që fëmijëve tanë t’i lemë një botë sa më të paqme. Nëse të gjithë punojnë në këtë drejtim, konfliktet do të jenë më të vogla. Patjetër, ne nuk e harrojmë atë çfarë ka ndodhur dhe sa më shumë nxjerrim mësime se çfarë ka ndodhur, duhet të luftojmë për paqe.

Lexo më shumë nga

Atentati ndaj Trump, Nikolla: Dhuna dhe demokracia janë të papajtueshme

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla reagoi sot atentatin ndaj ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Global 360

Biden dënon dhunën politike, pas atentatit kundër Trump

Presidenti i SHBA Joe Biden ka dënuar dhunën politike pas një sulmi në mitingun e ish-presidentit Donald Trump.

Diplovista

Bregu: Zero roaming me BE-në deri më 2027

Perspektiva e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor nuk është më një proces datash, BE-ja po ndryshon, ndoshta duhet të ndryshohet…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Lamtumirë mjeshtër!

Tani më shumë se kurrë ka zënë vendin e tij në panteonin e letrave botërore.

Profil

Një emër i njohur i elitës intelektuale dhe politike të çerekshekullit të fundit

75-vjetori I lindjes -- Rrugëtimi i Z. Koçi Tahiri nga galeritë e Bulqizës në sallën e legjislativit shqiptar (2017-2021)

Masmedia

Atentati ndaj Trump, Nikolla: Dhuna dhe demokracia janë të papajtueshme

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla reagoi sot atentatin ndaj ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.