
AKSK paralajmëron për mashtrime online pas problemeve me Outlook, Teams dhe Azure
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike informon se në disa rajone po konstatohen probleme me aksesin dhe funksionimin e shërbimeve Outlook, Teams dhe Azure.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike informon se në disa rajone po konstatohen probleme me aksesin dhe funksionimin e shërbimeve Outlook, Teams dhe Azure.
Sipas informacionit të raportuar nga Microsoft, ndërprerjet janë pasojë e ngarkesës së lartë në infrastrukturën e kompanisë dhe nuk lidhen me një incident kibernetik.
AKSK po ndjek situatën dhe do të informojë mbi zhvillimet e mëtejshme.
Në njoftimin e AKSK-së, thuhet se kjo situatë mund të shfrytëzohet nga aktorë keqdashës për të mashtruar përdoruesit, duke ofruar ndihmë të rreme për rikthimin e aksesit në shërbime.
AKSK u bën thirrje përdoruesve të tregojnë kujdes të shtuar ndaj email-eve që kërkojnë “rivendosje të fjalëkalimit Microsoft”; sms-ve për “llogari të bllokuar” dhe kërkojnë veprime të menjëhershme dhe telefonatave nga persona që paraqiten si “IT support” dhe ofrojnë ndihmë për rikthimin e aksesit.
Për të mbrojtur të dhënat dhe llogaritë tuaja, AKSK rekomandon që të mos klikoni lidhje të dyshimta për hyrje në llogari apo rivendosje fjalëkalimi. Aksesoni shërbimet drejtpërdrejt përmes faqeve ose aplikacioneve zyrtare, të mos ndani fjalëkalime, kode verifikimi apo të dhëna të tjera konfidenciale dhe mos u jepni akses në pajisjet tuaja personave të paverifikuar, të verifikoni çdo kërkesë për ndërhyrje teknike me stafin IT të institucionit ose kompanisë suaj, të informoni stafin për rrezikun e këtyre mashtrimeve dhe kontrolloni masat e parashikuara në planin e vazhdimësisë së punës, përfshirë aksesin në kopjet rezervë të dokumenteve kritike dhe përdorimin e kanaleve alternative të komunikimit.
Burimi ATSH

















