Arkitektura e heshtur e suksesit: provincat e pazbuluara të Kinës dhe roli i tyre në një shoqëri të balancuar

Ndërsa bota është mahnitur dekadat e fundit nga metropolet dinamike të Kinës dhe lokomotivat ekonomike të vendit si Pekini, Shangai, Guangzhou etj, ekziston edhe një grup provincash dhe rajonesh më pak të njohura nga bota por që shpeshherë parakalojnë në arritje edhe fqinjët e shquar.


Ndërsa bota është mahnitur dekadat e fundit nga metropolet dinamike të Kinës dhe lokomotivat ekonomike të vendit si Pekini, Shangai, Guangzhou etj, ekziston edhe një grup provincash dhe rajonesh më pak të njohura nga bota por që shpeshherë parakalojnë në arritje edhe fqinjët e shquar. Nga peizazhet e thyera të jugperëndimit deri te rajonet e larmishme bregdetare të juglindjes, çdo krahinë kineze ka historinë e saj unike të triumfit dhe inovacionit. Qoftë për praktikat pioniere të zhvillimit të qëndrueshëm, revolucionarizimin e nismave të energjisë së rinovueshme ose nxitjen e sipërmarrjes, këto provinca janë në pararojë të formësimit të së ardhmes së Kinës.

Thelbi i vërtetë i Kinës nuk qëndron vetëm në rrokaqiejt e saj dhe qytetet plot gjallëri, por edhe në historitë e patreguara të elasticitetit dhe përparimit që shpalosen në çdo cep të këtij kombi të madh. Në një peizazh të dominuar nga fuqia ekonomike e Kinës rrëfimet e nuancuara të provincave më pak të frekuentuara nga vëmendja ndërkombëtare vlejnë për tu rrëfyer, pasi nga zonat e brendshme të Kinës deri në periferitë bregdetare, çdo krahinë shfaq një profil unik.

Mekanizmat themelorë që drejtojnë historitë e suksesit

Në simfoninë e ndërlikuar të përparimit të një kombi, stafeta e dirigjentit shpesh qëndron në duart e mirëqeverisjes. Roli kryesor i luajtur nga qeverisja efektive në zhbllokimin e potencialit të provincave është evidentuar nëpërmjet një ndërthurjeje delikate midis transparencës, llogaridhënies dhe gjithëpërfshirjes.

Në Kongresin e 19-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) në vitin 2017, u prezantua një koncept kyç i cili është bërë një gur themeli i planifikimit strategjik të vendit: zhvillimi me cilësi të lartë! Ky nocion u parashtrua si një udhëzues primar për të drejtuar përparimin e Kinës përgjatë Planit të 14-të Pesëvjeçar (2021-2025). Në kontekstin e rritjes së shpejtë ekonomike të vendit gjatë dekadave të mëparshme, ky udhëzues nënvizon një modifikim nga rritja e orientuar nga sasia, në rritjen e fokusuar në cilësi – duke reflektuar kështu një vizion më të gjerë dhe më të qëndrueshëm për të ardhmen e vendit.


Qyteti Shenzhen i Kinë jugore/CFP

Zhvillimi me cilësi të lartë, siç artikulohet nga udhëheqësit kinezë, thekson inovacionin, efikasitetin dhe gjithëpërfshirjen. Ai kërkon të adresojë disbalancat që janë shfaqur nga dekada të zgjerimit ekonomik me ritme të shpejta dhe me volum të lartë. Kina synon të kalojë nga të qenit “fabrika e botës”, e varur nga puna me kosto të ulët dhe prodhimi masiv, në një lider global në industritë e teknologjisë së lartë, kërkimin dhe zhvillimin. Investimet e rëndësishme në arsim, teknologji dhe infrastrukturë janë thelbësore në këtë transformim. Duke nxitur një vrull të fuqishëm inovacioni, Kina punon të gjenerojë nxitës të rinj të rritjes ekonomike që janë më elastike dhe të qëndrueshme.

Gjithëpërfshirja është komponent kritik i zhvillimit me cilësi të lartë. Adresimi i pabarazive rajonale dhe sigurimi që përfitimet e rritjes ekonomike të ndahen gjerësisht në të gjitha segmentet e shoqërisë janë prioritetet kryesore. Iniciativat për të reduktuar varfërinë, për të rritur mirëqenien sociale dhe për të përmirësuar sistemet e kujdesit shëndetësor dhe arsimor, janë integrale për krijimin e një shoqërie më të ekuilibruar dhe të barabartë. Kuadri i zhvillimit me cilësi të lartë në Kinë përfshin gjithashtu reformat institucionale dhe qeverisjen e përmirësuar. Forcimi i shtetit ligjor, përmirësimi i kuadrit rregullator dhe rritja e transparencës dhe llogaridhënies janë thelbësore për krijimin e një mjedisi të favorshëm për zhvillim të qëndrueshëm. Udhëheqja politike e Kinës propozon dhe kornizon konceptet kryesore të politikave të qeverisjes ndër të cilat ‘prosperiteti i përbashkët’ është një ide qendrore.

Nxitje e zhvillimit cilësor do të thotë se nga zhvillimi përfitojnë të gjithë brenda një komuniteti. “Askush nuk do të mbetet pas” ka qenë lajtmotivi i fushatës madhore të çrrënjosjes së varfërisë në Kinë, një frazë që nuk është një slogan politik por një plan veprimi i qartë nga epiqendra e pushtetit deri në provincat më të largëta.

Pesë histori që meritojnë vëmendje

Kina është e ndarë në 23 provinca, pesë rajone autonome, katër komuna nën juridiksionin e drejtpërdrejtë të qeverisë qendrore (Pekinin, Shangain, Tianjin dhe Chongqing), dhe dy rajone të veçanta administrative (Hong Kong dhe Makao). Pesë rajonet autonome janë Mongolia e Brendshme, Xinjiang-Ujgur, Ningxia-Hui, Guangxi-Zhuang dhe Xizang (Tibeti). Në fund të majit 2024, në Pekin, janë mbajtur një sërë konferencash shtypi për zhvillimin e cilësisë së lartë në krahina të ndryshme të Kinës, dhe vëmendja është përqendruar në disa faktorë specifikë të këtyre rajoneve.


Mongolia e Brendshme/CFP

Mongolia e Brendshme, është sa pak e njohur për botën por është aq magjepsëse me kulturën nomade, kullotat e gjera, shkretëtirën mahnitëse të Gobi-t, kontrastet natyrore e shumë të tjera. Edhe pse me terren shumë të ashpër, Mongolia e Brendshme renditet e para në Kinë në pyllëzim. Me katër shkretëtira të mëdha dhe zona të konsiderueshme ranore, rajoni luan një rol vendimtar në përpjekjet e Kinës kundër shkretëtirëzimit. Iniciativat e Mongolisë së Brendshme jo vetëm që mbrojnë ekosistemet lokale, por gjithashtu kontribuojnë në agjendën më të gjerë të Kinës për restaurimin ekologjik dhe kujdesin mjedisor. Rajoni ka shtuar më shumë se 660 mijë hektarë pyllëzim dhe 2 milionë hektarë bar mesatarisht çdo vit.

Vitin e kaluar, në një turne kyç inspektimi në Mongolinë e Brendshme, Presidenti Xi Jinping, përshkroi një vizion që rezonon me parimet thelbësore të modernizimit kinez : një rrugë e vendosur për zhvillimin e gjelbër, pozicionimin strategjik dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Fjalët e tij nënvizuan një rrëfim të transformimit dhe këmbëngulja e Xi për t’u kthyer nga industritë tradicionale të energjisë drejt zhvillimit të fuqishëm të energjisë së gjelbër, paralajmëron një ndryshim paradigme në peizazhin ekonomik të Mongolisë së Brendshme. Për më tepër, Xi artikuloi një udhërrëfyes strategjik për rajonin, një qasje që shfrytëzon atributet unike të Mongolisë së Brendshme për të skalitur një identitet të veçantë ekonomik, e gjitha në kuadrin e përbashkët të zhvillimit aktual kinez.

Theksi i Presidentit në adresimin e pabarazive të zhvillimit në zonat kufitare me popullsitë e pakicave etnike nënvizon angazhimin e Kinës për të nxitur rritjen gjithëpërfshirëse dhe kohezionin social. Të gjitha sa më sipër shërbejnë si një thirrje për ndryshim transformues – një vizion i ankoruar në zhvillimin e gjelbër, largpamësinë strategjike dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.


Xinjiang-Ujgur

Xinjiang-Ujgur, është një udhëkryq qytetërimesh përgjatë rrugës së lashtë të Mëndafshit. Ai krenohet me një histori të pasur, e dukshme në qytetet historike, rrënojat e lashta dhe grupet e ndryshme etnike që jetojnë atje. Çfarë nuk përmendet jashtë Kinës për Xinjiang-un është fakti se rajoni po përjeton një rritje të jashtëzakonshme ekonomike, me rritjen e PBB-së, investimeve, konsumit, importit dhe eksportit, të ardhurave fiskale dhe niveleve të të ardhurave rezidente, duke e vendosur atë ndër pesë rajonet e para në shkallë kombëtare.

Rëndësia strategjike e Xinjiang në sigurinë e energjisë dhe burimeve të Kinës, së bashku me rolin e saj si një furnizues i rëndësishëm i produkteve bujqësore dhe baritore me cilësi të lartë, nënvizon më tej vitalitetin e tij ekonomik. Veçanërisht, rajoni ka ruajtur pozicionin kryesor në vend për prodhimin e naftës dhe gazit për tre vjet radhazi, ndërsa prodhimi i tij i grurit u rrit ndjeshëm në vitin 2023. Në përputhje me angazhimin për modernizimin dhe hapjen, Xinjiang po intensifikon përpjekjet për të zgjeruar rezervat e naftës dhe gazit, për të zhvilluar burime të pastra të energjisë, si energjia e erës dhe fotovoltaikët dhe për të nxitur rritjen e industrive të lidhura me bujqësinë. Për më tepër, Xinjiang po pozicionohet si një qendër logjistike vendimtare që lidh Azinë dhe Evropën, ndërsa gjithashtu i jep përparësi nismave për të rritur cilësinë dhe efikasitetin e tregtisë, duke përfshirë tregtinë e përpunimit, tregtinë e shërbimeve dhe tregtinë elektronike ndërkufitare.


Ningxia-Hui/CFP

Ningxia-Hui, i vendosur në Kinën veriperëndimore, është një vend ku përzierja e traditave Han kineze dhe muslimane Hui krijon një peizazh unik të zakoneve dhe besimeve. Lumi i Verdhë kalon nëpër fusha të gjera por atraksioni i Ningxia-Hui shtrihet përtej bukurisë natyrore; është një qendër kurioziteti, me vizitorë të tërhequr nga ndërtesat e saj historike, tregjet e gjalla dhe kuzhinën magjepsëse. Ningxia po bën hapa përpara në forcimin aftësive kompjuterike për të kontribuar në ndërtimin e një “Kine Digjitale”. Sipas zyrtarëve, PBB-ja e Ningxia u rrit me 6.6% në vitin 2023, e pesta më e shpejtë në Kinë dhe në tremujorin e parë të këtij viti, ajo u rrit me 5.8% nga viti në vit, duke u renditur ndër 10 më të mirat në normën e rritjes për tetë tremujorë radhazi në vend.

Është i dukshëm angazhimi për të zbatuar masa të synuara për të mbështetur industritë kryesore dhe për të nxitur zhvillimin e specializuar, duke e pozicionuar Ningxia si ‘kryeqytetin e fuqisë kompjuterike’ në Kinë. Ningxia ka krijuar dy zona demonstrimi duke integruar burimet e internetit me arsimin dhe kujdesin shëndetësor.

Përveç përparimeve teknologjike, Ningxia i jep përparësi nismave që promovojnë unitetin etnik dhe përpjekjet e ruajtjes përgjatë lumit të verdhë. Për më tepër, me fokus në përmirësimin e mirëqenies së banorëve, rajoni ka dëshmuar një rritje të të ardhurave të familjeve që tejkalojnë rritjen e PBB-së, dhe duke tejkaluar mesataren kombëtare për dy vite radhazi deri në vitin 2023.


Xizang/CFP

Xizang, ndryshe Tibet, njihet si një rajon ku spiritualiteti dhe historia ndërthuren ndër shekuj në zemër të Himalajave, ose çatia e botës. Një vend që ka magjepsur botën dhe strehon ato ndjesitë mistike më peizazhet madhështore në reliev. Por çfarë nuk dihet shumë jashtë saj është fakti se rajoni është shfaqur si një fener i rritjes së shpejtë ekonomike dhe përmirësimit të standardeve të jetesës, siç u njoftua nga zyrtarët e qeverisë rajonale në Pekin. Vitin e kaluar, PBB-ja e Xizang-ut u rrit në 33.1 miliardë dollarë, duke shënuar një rritje të fuqishme prej 9.5% nga viti në vit. Kjo normë mbresëlënëse e rritjes e vendos Xizang ndër rajonet me performancën më të lartë të nivelit provincial në Kinë. Për më tepër, PBB-ja për frymë u rrit në mbi 9,000 dollarë $.

Që nga fillimi i Planit të 14-të pesë-vjeçar (2021-2025), peizazhi ekonomik i Xizang-ut është transformuar ndjeshëm. Kjo performancë e jashtëzakonshme ekonomike është paralele me të ardhurat e disponueshme për frymë si për banorët urbanë ashtu edhe për ato rurale, vazhdimisht ndër më të lartat në vend. Këto arritje janë rezultat i një fokusi strategjik në zhvillimin me cilësi të lartë të përshtatur me kushtet unike të ekonomisë vendase. Kjo qasje jo vetëm që ka nxitur metrika mbresëlënëse ekonomike, por gjithashtu ka përmirësuar ndjeshëm cilësinë e jetës për banorët e rajonit. Theksimi i rritjes së qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse siguron që përfitimet e progresit ekonomik të ndahen gjerësisht, duke nxitur një shoqëri të begatë dhe të qëndrueshme.


Guangxi-Zhuang/CFP

Guangxi-Zhuang, qëndron në udhëkryqin e angazhimit dinamik të Kinës me Shoqatën e Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN), e pozicionuar në mënyrë strategjike si një portë kryesore dhe një lidhje jetike përgjatë Korridorit të Ri Ndërkombëtar të Tregtisë Tokësore-Detare. Ky korridor, i inauguruar në vitin 2017, përfaqëson më shumë sesa thjesht një arterie logjistike – ai mishëron një forcë transformuese, duke katalizuar evolucionin ekonomik të Guangxi dhe duke nxitur trajektoren e saj të rritjes. Në fakt, Guangxi po harton një kurs drejt zhvillimit të hapur, të orientuar nga oqeani, duke i drejtuar ambiciet e tij drejt sferës së rritjes me cilësi të lartë. Vitet e fundit, ndjekjet strategjike të Guangxi janë karakterizuar nga një fokus i dyfishtë në hapjen dhe orientimin e oqeanit, të mbështetur nga një përpjekje e për të përfituar nga mundësitë në zhvillim në peizazhin ekonomik global. Guangxi ka ambicje të mëdha për të kapërcyer kufijtë tradicionalë dhe për të përqafuar një të ardhme të përcaktuar nga bashkëpunimi, qëndrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse, ndërsa shfaqet si një qendër dinamike e tregtisë, kulturës dhe ndërlidhjes.

Së fundmi, një qeveri që ka në fokus njerëzit bëhet arkitekte e një shoqërie më të zhvilluar, më gjithëpërfshirëse dhe më të drejtë. Këto histori të triumfit dhe përtëritjes, që rrëfejnë përparimin e thellë dhe potencialin e padukshëm të Kinës, na kujtojnë se çelësi për një shoqëri të ekuilibruar dhe të përparuar qëndron në përkushtimin ndaj zhvillimit të gjithanshëm dhe përfshirjes së të gjithëve. Me arkitektët e saj të heshtur të suksesit, Kina po rindërton panoramën e zhvillimit rajonal, duke treguar se vizioni i një të ardhmeje më të mirë dhe më të drejtë nuk është vetëm një plan në sirtare pushteti, por një realitet që ndërtohet kur ka vullnet… dhe kur punohet fort, edhe shkretëtirat kthehen në oaze zhvillimi.

Burimi: CRI.CN

Lexo më shumë nga

CNN: “Bond Tower” – rrokaqielli i frymëzuar nga baleti së shpejti në Tiranë

Bond Tower, do të jetë një ndërtesë banimi dhe hotel 50-katëshe, i projektuar nga kompania portugeze e arkitekturës OODA

Global 360

CNN zbulon prapaskenën e tërheqjes së Biden

Vendimi përfundimtar i Presidentit Joe Biden për t’u larguar nga gara u mor në 48 orët e fundit

Diplovista

Rakipi: Bisedimet Kosovë-Serbi të përqendrohen tek njohja, jo më në çështje teknike

Kryetari i Institutit për Studime Ndërkombëtare Albert Rakipi thotë se ka ardhur koha për një qasje tjetër në dialogun mes…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Lamtumirë mjeshtër!

Tani më shumë se kurrë ka zënë vendin e tij në panteonin e letrave botërore.

Profil

Një emër i njohur i elitës intelektuale dhe politike të çerekshekullit të fundit

75-vjetori I lindjes -- Rrugëtimi i Z. Koçi Tahiri nga galeritë e Bulqizës në sallën e legjislativit shqiptar (2017-2021)

Masmedia

CNN: “Bond Tower” – rrokaqielli i frymëzuar nga baleti së shpejti në Tiranë

Bond Tower, do të jetë një ndërtesë banimi dhe hotel 50-katëshe, i projektuar nga kompania portugeze e arkitekturës OODA