“Të kapërcesh vetëveten”- Një ditar që frymëzon

Ditari rrëfimtar “Të kapërcesh vetëveten”, i autorit Shpresim Kasaj.


Nga Laureta Petoshati

Ditari rrëfimtar “Të kapërcesh vetëveten”, i autorit Shpresim Kasaj , herë herë duket si një roman, që trajton në mënyrë të përkorë përvojën e tij njerëzore. Nuk kemi asgjë të shpikur, asgjë imagjinare, veçse një zinxhir ngjarjesh që përfshijnë familjen , fisin, fshatin e tij Armen brenda një sfondi të caktuar historik dhe zakonor. Armeni dhe sidomos lagjja “Adresulaj”, ku ai lindi dhe kaloi fëmijërinë sigurojnë sfondin epik për këtë rrëfimin në vetë të parë dhe vendos tërë jetën e tij si në një mozaik me tone të qarta aventurash fëmijënore, rinore, ngjyra romantike fshatareske dhe baritore, realiste, tragjike, historike, kombëtare dhe jo vetëm . Është thelbësore të thuhet se në këtë libër- ditar autori Shpresim Kasaj është munduar të paraqesë diçka më të madhe se jeta e tij, sepse ai ka pasur si synim përfaqësimin e një shoqërie të tërë rurale shqiptare në tre periudha të caktuara historike , qasja kronologjike e të cilave është në një gjatësi vale me jetën e vetë autorit. Ajo ndahet në tre perudha: atë të pushtimit nga okuptori nazifashist, që përkon me lindjen e Shpresim Kasaj, peridha e mbasçlirimit që përcakton ecjen e Shqipërisë, paralel me atë të një djali të vogël që burrërohet dhe kërkon rrugën e vështirë të jetës me shpresën dhe entuziazmin e një fëmije, që rritet me frikën e luftës së klasave, me tmerrin dhe madhështinë e gënjeshtërt propagandistike të periudhës komuniste. Ndërsa periudha e tretë është ajo e rënies së komunizmit dhe ardhjes së demokracisë.
Nga kodrat e mrekullueshme dhe fushat magjepsëse të Armenit, me lumin që dilte rrap më rrap, me misrin që rritej sa një bojë njeriu, me bagëtitë që luanin të gëzuara, me zogjtë e shumtë që çukisnin thërrime e ullinj nëpër pemë, që ende shihen të gjalla në faqet e këtij libri, çdo gjë e përshkruar i kapërcen kufijtë e hapësirës, kohës dhe kulturës. Thellësia e depërtimit psikologjik në këtë mjedis të Labërisë dhe Lumit të Vlorës, dinamika personale jetësore kanë një rëndësi të jashtëzakonshme në të gjithë këtë rrëfim. Në një kornizë metafizike kemi rrugëtimin e jetës së një njeriu, që lind, ngrihet në këmbë dhe nuk pushon, nuk ndalon së ecuri drejt dijes, drejt përmirësimit ekonomik, kulturor dhe shpirtëror. Rruga e tij ka situata psikologjike, të cilat shoqërohen me gjendje të ndryshme ndërgjegjësimi dhe këndvështrimi. Ai vjen nga një baba tepër i dhembsur që e ndihmon në çdo drejtim, si të vetmin djalë të familjes së tij. I mbetur pa shkollë si pasojë e kushteve jetësore, ky baba tepër njerëzor sa rrit si të tijët dhe fëmijët e vëllait të larguar nga kjo jetë, ndihet i plotësuar kur sheh djalin e tij që përparon në shkollë, pavarësisht se duhet të kapërcejë shumë vështirësi, duke ecur me kilometra të tëra në këmbë për të kryer tetëvjeçaren, gjimnazin, institutin, universitetin. Ecja, lëvizja, ngritja drejt lartësimit edukativ dhe kulturor si nxënës, mësues, drejtues dhe prind japim një shpërfaqje të natyrës njerëzore të një labi dhe një vetënjohje të realitetit shqiptar. Një fëmijë, që përpiqet jo vetëm të mësojë, por dhe të punojë duke ndihmuar babanë në arë, nënën në bagëti, duke kapur mëllënja për vete si ushqim, por dhe duke i shitur për ca lekë më shumë, duke kalëruar mbi kalë sikur të fluturonte, duke ngarkuar gomarin me ujë, drithëra, apo mjete ndërtimi, na mëson se në potencialet e jetës njerëzore duhet ecur me kurajë, me një ndjenjë ndriçimi dhe dashurie ndaj punës dhe ndaj librave, që janë magjepsja kryesore. Autori Shpresim Kasaj, si në një hierarki sipas moshës dhe brezave vendos qëllimisht elementin njerëzor, duke filluar nga gjyshi, gjyshja, babai, xhaxhai, nëna, dajot, motrat, kushërinjtë e pastaj fillon një hierarki të re me familjen e tij, bashkëshorten dhe fëmijët, që i vendos një nga një në rrëfimin e tij. Dikur ishte babai i tij, ai që në mes të ujqërve dhe të dimrit shkonte me kalë për t’u kujdesur për të birin e tij në spitalin e Vlorës, tashmë është ai vetë babai, që ecën me këmbë natën dhe troket në derën e mjekut për fëmijën e tij. Kohët kanë ndryshuar, por dashuria është njësoj, përpjekjet për të rritur cilësinë dhe mirëqenien e jetës kanë forma të ndryshme në kohë të ndryshme. Objektet brenda familjes kanë historinë e tyre, ashtu si dhe njerëzit që i përdorin ato. Njerëzit dhe objektet plotësojnë njëra tjetrën. Si fragmente të vogla lidhen me të tërën, me shtëpinë, me lagjen, me fshatin, me krahinën, me atdheun. Është e pabesueshme se sa thellë mund të arrijë ky rrëfim në shpirtin e dikujt, që nuk e ka jetuar atë kohë, por që kthehet pas në kohë për të kujtuar fëmijërinë e tij, pafajësinë e tij, atë fëmijën e vogël të dikurshëm, që mbetet ende fëmijë brenda shpirtit të një njeriu të rritur. Duke lexuar këto kujtime dikush mund të ndihet fëmijë, i pastër dhe i çiltër. Dikush mund të ndihet një student ëndërrimtar, emocional dhe pasionant. Dikush mund të ndihet një burrë elegant, i sjellshëm dhe tradicional si Refat Ali Kasaj, atje mes maleve frymëzuese dhe madhështore, mes njerëzve të thjeshtë dhe heroikë të Armenit, që kanë lënë gjurmë për ta bërë këtë vend më të mirë për brezat e ardhshëm. Ky është një libër që frymëzon këdo që e lexon.

“Bolonja”… Universiteti i parë në botë!

Universiteti i Bolonës është themeluar në vitin 1088, ai i Parisit, në 1160.

Global 360

Kurti pas takimit me Spiropalin: Diskutuam mbi bashkëpunimin e gjerë dhe të fuqishëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me kryeparlamentaren e Shqipërisë Elisa Spiropali

Diplovista

Rakipi: Bisedimet Kosovë-Serbi të përqendrohen tek njohja, jo më në çështje teknike

Kryetari i Institutit për Studime Ndërkombëtare Albert Rakipi thotë se ka ardhur koha për një qasje tjetër në dialogun mes…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

“Bolonja”… Universiteti i parë në botë!

Universiteti i Bolonës është themeluar në vitin 1088, ai i Parisit, në 1160.