Turizmi në Shqipëri, shkëlqimi dhe errësira e tij

Turizmi nuk është thjesht shkëlqimi që prezantojmë, përkundrazi është industria më delikate


Nga Mimoza Prifti

400,000 turistë në Berat, lexova një lajm para disa ditësh.

Ksamilit i bëhet reklamë në Manhatan, e me dhjetëra lajme të tjera që nxjerrin në pah shkëlqimin në rritje të turizmit.

Turizmi po kthehet në një industri të fortë, në një industri që synon përthithje monetare, zhvillim ekonomik, zbutje të varfërisë dhe një hapje të vendit drejt botës.

Është kënaqësi të shohësh shkëlqimin e vendit tënd, lumturinë e turistëve teksa shkelin bukuritë natyrore shqiptare, teksa shkruajnë për përvojat e tyre, për kulturën dhe gatimin shqiptar.

Por monedha i ka te dyja anët, shkëlqimin dhe errësirën.

A është turizmi një instrumet ekonomik afatgjate për Shqipërinë?

A ka pasoja ekonomike, kulturore, sociale e natyrore? Në se po, a janë afatshkurtra apo afatgjata këto pasoja?

Bukur të shohësh vetëm shkëlqimin, shumë lehtë për të anashkaluar aspektet negative.

Por të qenurit i vetëdijshëm për pasojat, ndihmon në planifikimin dhe parandalimin e tyre.

Ndaj në tryezë gjithmonë duhet të paraqiten të dyja anët, mjetet për zhvillimin në rritje duke mundësuar gjithmonë e më shumë zvogëlimin e pasojave.

Vetëm kështu do të jemi të vetëdijshëm për një industri përfituese dhe jo një kaos në vazhdim.

Një vend që turizmin e huaj kërkon ta ketë si industri të parë, dashur pa dashur lë në hije zhvillimin bujqësor e industrial të vendit. Shpërndarja e të ardhurave në fusha të tjera, është politikë e domosdosshme për siguri dhe ekuilibër ekonomik.

Në raste pandemish apo fatkeqësish natyrore, kjo industri kalon në kolaps, duke mos pyetur për furnizmin e buxhetit të shtetit, duke mos pyetur për të punësuarit stinorë, duke mos pyetur për dëshirën e turistëve.

Nga ana tjetër mosinvestimi në fusha të tjera, shton varësinë ekonomike duke rritur importet, duke rritur çmimet dhe inflacionin.

Një vend që turizmin e huaj kërkon si industri të parë, duhet të investojë shumë në infrastrukturë, por dhe në mbrojtjen e cilësisë së natyrës dhe mjedisit.

Dhënia e natyrës për turizëm, fluksi i madh i turistëve, fluksi i madh makinave dhe mjeteve ujore e ajrore, përdorimi pa kriter i burimeve natyrore, krijimi i mbeturinave dhe hedhja e tyre vend pa vend, shkaktojnë një dëm të pariparueshëm të natyrës.

Ndotja e ambjentit, erozioni, shkatërrimi i jetës së egër në ujë, në tokë e në ajër, kanë pasoja të forta për vetë jetën njerëzore.

Një vend që turizmin e huaj kërkon si industri të parë, duhet të investojë në politika mbrojtëse të trashëgimisë kulturore, në të kundërt kjo trashëgimi do të shkojë drejt shkatërrimit dhe humbjes.

Butrinti ndoshta rasti më i pastër i këtij shkatërrimi, qytetet e lashta që mbrohen nga UNESCO, ndërtesat e lashta fetare, etj.

Turistët jo të gjithë janë të edukuar, qytetarët shqiptarë po ashtu.

Të kesh privilegjin të ndjesh nga afër trashëgiminë kulturore të një kombi do të thotë ta ruash atë me fanatizëm, mos ta prekësh, ta shohësh si një mrekulli e jo ta përdorësh si objekt turizmi.

Një vend që turizmin e huaj kërkon si industri të parë, duhet të investojë në përforcimin e kulturës, dhe jo tjetërsimin e saj.

Turisti duhet të ndjejë kulturën shqiptare e jo të shohë shqiptarin që përpiqet të jetë si ai, që ha si ai, që mendon si ai, që vishet si ai.

Interesi afatshkurtër i detyron bizneset apo individët të plotësojnë dëshirat e turistit të huaj, duke harruar që turisti kërkon të shohë kulturën dhe jo adoptimin e të zotit të shtëpisë.

Një vend që turizmin e huaj kërkon si industri të parë, duhet të përdori politika që zbusin varfërinë.

Turizmi vërtet krijon vende pune, sezonale këto, por nga ana tjetër pjesa më e madhe e fitimit i faturohet kontrolluesve të tregut. Zvogëlohet mundësia e qytetarit të thjeshtë të jetë turist në tokën e tij, sepse çmimet janë rritur shumë, plazhet publike janë reduktuar, shërbimi që i ofrohet nuk është në interes të biznesit përfshirës në turizëm.

Turizmi shtrenjtëson jetën e një vendi, lë vend për manipulime çmimesh dhe shkel rëndë dinjitetin e qytetarit të thjeshtë.

Një vend që turizmin e huaj kërkon si industri të parë, duhet të ketë politika ekonomike dhe sociale të forta, jo favorizuese lokale.

Mungesa e tyre çon në shpërndarje të pabarabartë të të ardhurave, çon në varësi sezonale ekonomike të zonave të favorizuara, çon në rritjen e kostos së jetesës dhe varfërisë, çon në neglizhencë të fushave të tjera të ekonomisë, cenon rëndë stabilitetin ekonomik dhe vetë të ardhmen e Kombit.

Mbipopullimi gjithmonë shkakton dëm natyror, ekonomik, kulturor e social. Pa harruar rritjen e krimit, influencën dhe prezencën e të huajit në tregun e pasurive të paluajtshme, uljen e sigurisë dhe rritjen akoma më shumë të varfërisë së një shtrese të caktuar.

Turizmi nuk është thjesht shkëlqimi që prezantojmë, përkundrazi është industria më delikate që kërkon planifikim, manaxhim strategjik dhe përpjekje tepër të qarta e të pastra të të gjithë instancave politike si në qendër ashtu dhe në lokalitet.

Ndaj sa herë ndajmë shkëlqimin e turizmit le të ndajmë dhe masat e marra për të reduktuar pasojat e tij.

Veliaj: TEDA Tirana prezantohet së shpejti në Samitin e Teknologjisë në Tokio

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim ambasadoren e Japonisë në Tiranë, Kikuko Kato.

Global 360

Meloni: Marrëveshja me Shqipërinë për migrantët frymëzim edhe për vendet e tjera

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni interviste me gazetarin Maurizio Belpietro, në kuadër të eventit ”Il giorno della verita”

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Shkolla e shkrimtarit

Shkrimtari nuk bëhet nga shkolla, shkrimtari lind.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Veliaj: TEDA Tirana prezantohet së shpejti në Samitin e Teknologjisë në Tokio

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim ambasadoren e Japonisë në Tiranë, Kikuko Kato.