Një ditë krenarie, për shtetin e Kosovës!

Në Pallatin e Rinisë u mbajt ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 57-të e Policisë së Republikës së Kosovës.


Nga Nënkolonel Fatos Haziri

Më datën 13.02.2023, në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë u mbajt ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 57-të e Policisë së Republikës së Kosovës.

Policisë së Kosovës e cila është sinonim i një force multietnike, profesionale që përbëhet nga gra e burra nga të gjitha komunitetet e Kosovës, iu bashkëngjiten edhe 433 kadetë të gjeneratës së re. Në mesin e të diplomuarve janë edhe 17 serbë, 5 boshnjakë, 2 goranë, 1 turk dhe 1 rom. Në
mesin e këtyre kadetëve, janë 53 vajza e gra. 53 gra të guximshme, të disiplinuara e të përkushtuara për t’i shërbyer vendit.

Nga sot ata mbajnë përgjegjësi të dyfishtë: së pari të dashura vajza do t’i shërbeni vendit dhe qytetarëve tuaj me qëllim të garantimit të rendit dhe sigurisë, e njëkohësisht, do të shndërroheni në model dhe inspirim për shumë vajza e gra të tjera të cilat do të ndjekin rrugën tuaj në vitet në vijim. Policia e Republikës së Kosovës është shërbim publik në kuadër të fushëveprimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Policia ka uniformën,
flamurin dhe emblemën e vet e cila vepron nëpërmjet zinxhirit të unifikuar komandues në Republikën e Kosovës.

Policia mban përgjegjësinë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike dhe për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me autoritetet vendore dhe ndërkombëtare. Policia e Republikës së Kosovës është profesioniste dhe pasqyron shumëllojshmërinë etnike të popullit të Kosovës. Policia e Kosovës synon të jetë organizatë e avancuar profesionale, me kapacitete moderne dhe cilësore, që ofron shërbime efikase, që gëzon besimin e qytetarit dhe bashkësisë, me qëllim që të garantojë ambient të sigurt për jetë, zhvillim dhe prosperitet të përgjithshëm shoqëror.

“Policia e Kosovës i përmbahet kodit të etikës dhe demonstron profesionalizëm dhe integritet të lartë”

Integriteti në Policinë e Kosovës udhëhiqet nga vlerat etike të përcaktuara qartë të tilla si: objektiviteti, paanshmëria, profesionalizmi, respekti ndaj shumëllojshmërisë dhe gjinisë, drejtësia, barazia, ndershmëria, llogaridhënia, diveristeti, respekti për të drejtat e njeriut. Policia e Kosovës është një ndër institucionet më të besueshme në vend.

Policia e Kosovës është kategori kushtetuese e cila funksionon në kuadër të legjislacionit në fuqi të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht është e përkushtuar për anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtare në fushën e zbatimit te ligjit.

Këtë ceremoni solemne, me praninë e tyre e nderuan edhe personalitetet më të larta shtetërore: Presidentja e Republikës së Kosovës, Shkëlqesia e Saj znj. Vjosa Osmani-Sadriu, Shkëlqesia e Tij, Kryeministri i RKS-së z. Albin Kurti, Ministri i Punëve të Brendshme z. Xhelal Sveçla, zëvendësministra, ambasadorë, përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, eprorë dhe zyrtarë të Policisë së Kosovës si dhe familjarë të kadetëve policorë që diplomuan sot.

Në këtë ceremoni përveç ndarjes së certifikatave për 433 kadetë policorë, nga Ministri i Punëve të Brendshme u bë edhe ndarja e dy medaljeve për meritë, për Kryesuesin e Misionit të OSBE në Kosovës, Ambasadorin Davenport si dhe znj. Kimberly Riffe – Atashe për Programin Ndërkombëtar të Asistencës për Trajnime në Hetimet Penale, të Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së.

Personalitetet e larta shtetërore Presidentja, Kryeministri, Ministri i Punëve të Brendshme dhe u.d. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Hoti, të pranishmeve iu drejtuan me nga një fjalë rasti duke uruar kadetët policorë për diplomimin e tyre si dhe ju dëshiruan mirëseardhje në
familjen e madhe policore.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Shkëlqesia e Saj znj. Vjosa Osmani-Sadriu, shprehu mirëseardhje në këtë rrugëtim të ri në shërbim dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës në çdo cep të saj pa asnjë dallim.

Faleminderit për vendimin tuaj për t’i shërbyer shtetit dhe qytetarëve tanë e suksese në rrugëtimin tuaj fisnik.

Policia buron nga qytetarët dhe gjithnjë është në shërbim të qytetarëve. Ju keni zgjedhur një profesion që kërkon guxim, disiplinë,vullnet dhe përkushtim për rend dhe ligj. Ndërsa niseni në këtë rrugëtim, dua t’ju kujtoj vlerat themelore të forcës sonë policore: integriteti, profesionalizmi, respekti dhe paanshmëria.

Si oficer policie, ju duhet të veproni gjithnjë në përputhje me këto vlera dhe duhet të jeni të përkushtuar për t’ju shërbyer të gjithë qytetarëve të Kosovës, pavarësisht nga përkatësia, bindjet apo rrethanat.

Si policë, nga ju pritet që të jeni qytetarë model të Republikës së Kosovës të cilët përkujdesen ta zbatojnë ligjin, ta luftojnë krimin, ta ruajnë rendin dhe të shërbejnë si kujdestarë të sigurisë publike.

Ju jeni ata që betoheni dhe garantoni se të gjithë qytetarët tanë, pa dallim, do të ndihen të sigurt dhe që secili prej tyre do të trajtohet me dinjitet dhe me respekt.

Sot është një ditë fantastike për të festuar punën dhe angazhimin e pashoq të Policisë së Kosovës, e cila ndër vite mbetet një ndër institucionet më të besueshme nga qytetarët tanë.

Kjo pjesëmarrje e grave në polici reflekton po ashtu angazhimin e përbashkët e serioz që të rritet numri i grave në radhët e Policisë së Kosovës, me ç’rast dua të përgëzoj edhe drejtuesit dhe gjithë shërbimin policor për angazhimin e tyre. E tani është koha natyrisht që gratë të jenë edhe në krye të detyrave e funksioneve më të larta.

Besoj fuqishëm se pjesëmarrja e grave në polici, por edhe në të gjitha strukturat e sigurisë, është një investim i nevojshëm dhe i duhur në siguri të shtuar për të gjithë shoqërinë, e gjithë shtetit tonë.

Përmes Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili u mbajt në tetorin e vitit e kaluar në Prishtinë, jemi munduar që të përçojmë pikërisht këto mesazhe. Sepse, sa më shumë vajza e gra në pozita vendimmarrëse përfshirë edhe në Polici, aq më shumë siguri do të ketë për qytetarët tanë e për shtetin tonë. E sot, duke ju parë juve, dua edhe njëherë të inkurajoj Policinë e Kosovës të angazhohet vazhdimisht jo vetëm drejt rritjes së numrit të vajzave e grave në uniformë, por mbi të gjitha për avancimin e tyre në Policinë e Kosovës në pozita mbikëqyrëse, vendimmarrëse dhe udhëheqëse.
Diversiteti gjinor dhe etnik në Policinë e Kosovës është pasqyrim i shtetit tonë dhe reflektim i një mjedisi të sigurt, të cilin e meritojnë familjet, lagjet, komunat dhe e gjithë Republika jonë.

Gjersa flasim për angazhimin tuaj të vazhdueshëm për të punuar gjithnjë e më mirë e me profesionalizëm të shuar, dua të flas edhe për një kapitull të rëndësishëm të punës suaj. Policia e Kosovës prej dy dekadash ka treguar shkallë të lartë të profesionalizmit duke marrë pjesë në
operacione rajonale e ndërkombëtare, sikurse edhe duke bashkëpunuar në mënyrë bilaterale e multilaterale me partnerë të shumtë, ndaj Republika jonë ka dëshmuar se i përmbushë të gjitha kriteret e për t’u bërë pjesë e organizatës ndërkombëtare INTERPOL, si dhe shumë e shumë organizmave të tjerë rajonal e ndërkombëtarë.

Prandaj, do të vazhdojmë që kërkojmë mbështetjen ndërkombëtare nga miqtë e aleatët tanë që sa më parë edhe shteti ynë nëpërmjet Policisë sonë të jap kontributin në këto organizata.

Ju duhet të jeni krenarë me uniformën që keni veshur, të përgjegjshëm dhe të vetëdijshëm se përpara keni edhe sfida të shumta që duhen adresuar. Ju takon secilit në mënyrën e vetë, të punoni për një shoqëri të sigurt, të barabartë e të drejtë.

Kam besimin e fuqishëm se do t’i qaseni detyrave tuaja me seriozitet, mendje të hapur e përkushtim ndaj shërbimit me nder, respekt dhe llogaridhënie. Ju nuk e përfaqësoni vetëm veten tuaj, por edhe gjithë Policinë e Kosovës, qytetarët e Kosovës dhe shtetin e Kosovës!

Keni punuar fort për t’u përgatitur për t’i përballuar sfidat e punës me të cilën jeni ngarkuar. Nga ju do të kërkohet të merrni vendime të vështira, ta zbatoni ligjin, e madje edhe ta vini në rrezik sigurinë tuaj për t’i mbrojtur të tjerët. Ky, natyrisht është detyrimi juaj i shenjtë, ky është misioni juaj, ndaj besoj se ju tashmë jeni të përgatitur për punën që ju pret. Kam bindjen e fuqishme që secili nga ju është i gatshëm ta bëjë këtë veprim, sa herë që të jetë nevoja.

Mbrojtja e kufijve të Republikës së Kosovës dhe ofrimi i sigurisë publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës është obligim i yni i përhershëm. Policia e Kosovës e ka bërë këtë në mënyrë të shkëlqyer ndër vite, e po vazhdon ta bëj këtë edhe sot. Prandaj, dua ta shprehë mirënjohjen time të thellë dhe të falënderoj policët tanë, sidomos ata që po shërbejnë edhe në këto minuta për angazhimin maksimal të treguar gjatë zhvillimeve në veri të vendit, duke mbrojtur cdo cep të territorit tonë.

Ju keni dhënë maksimumin në menaxhimin e situatës me profesionalizëm, përkushtim e guxim në shërbim të atdheut, në funksion të mbrojtjes së rendit, ligjit dhe sigurisë publike. Kjo është dëshmi se ju jeni gati kurdoherë kur ka nevojë për ta garantuar një ambient të qetë dhe
të sigurt për qytetarët tanë; për bashkëqytetarët tuaj. Sundimi i ligjit është synim i çdoditshëm i juaji dhe i yni nga i cili asnjëherë nuk do të heqim dorë, sepse nëpërmjet kësaj ne ofrojmë siguri publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Siç jeni dëshmuar përgjatë këtij angazhimi, unë besoj fort se këtë e bëni çdo ditë në dobi të qytetarëve të Kosovës. Prandaj, shembullin tuaj do ta ndjekin edhe gjenerata e sapodiplomuar e kadetëve.

Për fund, të nderuar kadetë, dua t’ju shpreh urimet e mia të sinqerta për secilin prej jush e për familjet tuaja për këtë ditë të veçantë. Mos harroni se po i bashkoheni një profesioni fisnik dhe se keni mbështetjen e respektin jo vetëm të familjeve tuaja, por të kolegëve tuaj, të institucioneve të Republikës së Kosovës e mbi të gjitha të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Qofshi përherë
faqebardhë e uroj të krenohemi përherë me punën tuaj!

Shkëlqesia e Tij, Kryeministri i RKS-së z. Albin Kurti

Jam i lumtur që sot jam me ju në festimin e kësaj arritje të rëndësishme në jetën tuaj, diplomimit. Ky çast është kulmi i punës së palodhur dhe rezultati i përkushtimit të përditshëm. Andaj, urime të gjithëve, secilës dhe selit prej jush! Jam dyfish i lumtur që jemi sot këtu, në prag të festimit të 15-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, tek po shtojmë dhe po forcojmë radhët e Policisë së shtetit tonë. Sikurse vendi ynë,
edhe Policia jonë ka kaluar në etapa të ndryshme. Të gjithë jemi krenarë që sot ajo mbron jetën dhe pronën e të gjithë qytetarëve tanë pa dallim dhe me përkushtim zbaton ligjshmërinë në tërë territorin e Republikës.

Për Qeverinë tonë, mbrojtja dhe siguria e vendit, vendosja e rendit dhe ligjit janë prioritet. Vetëm gjatë vitit të kaluar:

-U realizuan 854 operacione policore kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës;
-U arrestuan 3202 veta, prej tyre 301 zyrtarë publikë;
-I mbyllëm 16 rrugë ilegale në veri të vendit;
-I shkatërruam 69 grupe kriminale;
-Mbi 14 milionë euro janë ngrirë nën dyshimin e keqpërdorimeve dhe shpërlarjes së parave;
-U konfiskuan mbi 1.8 ton substanca narkotike, me ç’rast u shkatërruan pesë laboratorë të drogës në veri të Kosovës, me vlerë qindra milionëshe në substanca dhe në pajisje si dhe tre laboratorë për prodhimin e kriptovalutave, po ashtu në veri. Ndërkaq dje, atje policia e Kosovës ka
shkatërruar tre laboratorë droge.

Në vitin 2022, i ndërtuam katër objekte dhe stacione policore në veri të Kosovës si dhe bëmë shtrirjen e rrjetit optik në atë pjesë të vendit tonë, duke mundësuar shtrirjen e valëve telefonike, rrjetit të internetit dhe komunikimit me radiolidhje.

Krijuam Njësitin e Ndërhyrjes së Shpejtë të Kufirit, në kuadër të Policisë së Kosovës, i cili angazhohet në luftimin e kontrabandës, trafikimit me qenie njerëzore dhe keqpërdorimeve të tjera përgjatë vijës kufitare.

Policia e Kosovës qëndron e palëkundur në mision e ruajtjes së rendit dhe të sigurisë publike. Ajo është në të përditshmen e qytetarëve, andaj ndryshimin dhe avancimin e saj e ndjejnë dhe përjetojnë sidomos qytetarët. Jemi të lumtur që Policia vazhdon të renditet ndër tre institucionet
më të besueshme për qytetarët tanë.

Kolegët tuaj, zyrtarët policorë, veçanërisht në dy vitet e fundit, me angazhimin e tyre kanë treguar se nuk bëjnë kompromis me bandat e me krimin. Janë sulmuar, janë plagosur, por nuk janë dorëzuar. Përkundër kësaj, ata janë akoma aty, qëndrojnë në krye të detyrës. Të dashur kadetë që po diplomoni.

Sot betoheni se do t’i shërbeni vendit me profesionalizëm, përgjegjësi e ndershmëri. Se do ta mbroni sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Se do të punoni në interes të të gjithë qytetarëve pa dallim etnie, gjinie apo religjioni.

Pas një sfide pothuajse tetë mujore të kaluar me sukses, ju nga sot do të filloni një etapë të re të jetës suaj. Nga këtu, në ditën tuaj të diplomimit, ju bëj thirrje t’i qëndroni besnik betimit tuaj dhe vendit tonë.

Vendi ynë e gëzon lirinë falë sakrificës së shumë brezave, që luftuan e u flijuan për të. Që punuan e kontribuan për të. Në këtë ditë, dhe çdoherë nderojmë kujtimin për të gjithë ata. Kujtojmë po ashtu kolegët tuaj, që nuk u dorëzuan përballë asgjëje, duke zbatuar misionin e
përbashkët. Rënia e tyre në mbështetje të sovranitetit tonë shtetëror dhe respektimit të integritetit territorial, e kundër krimit dhe paligjshmërisë, mbetet shembull i dashurisë së pakusht për Republikën tonë për secilin prej nesh.

Uroj të shohim secilin e secilën nga ju në nivelin më të lartë të detyrës, ashtu siç e kanë bërë gjeneratat para juve. E sikurse ata, besoj që edhe ju do të jeni shembull i gjeneratave që do të vijnë më pas, duke vepruar me profesionalizëm të lartë e duke qëndruar me guxim të madh. Angazhimi i juaj është siguria e jonë. Institucionet do t’i keni mbështetjen tuaj më të madhe, pa rezervë e pa kursim.

Ministri i Punëve të Brendshme z. Xhelal Sveçla

Jemi të bindur se nga sot në Republikën tonë do të kemi në detyrë një gjeneratë të përgatitur, të përkushtuar e të ndershme. Moment i veçantë krenarie sot për të gjithë ne dhe Republikën e Kosovës me rastin e diplomimit të Gjeneratës së 57-të të Kadetëve Policor. 433 të reja e të rinj dhanë betimin për shërbim ndaj vendit dhe ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim. Në profesionin më fisnik që ata kanë zgjedhur, të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, janë vlerë e shtuar në arritjen e aspiratave të vendit tonë. Respektimi i ligjit, paanshmëria në shërbim, përkushtimi ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim, ruajtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit tonë do të jenë synimet e kësaj gjenerate e të gjitha të tjerave që do të vijnë në vijim.

Integriteti moral e profesional i secilit dhe ngritja profesionale e akademike që garantojnë polici edhe më efikase janë synimet tona të përbashkëta.

Në shenjë falënderimi për kontributin e vazhdueshëm për Policinë e Kosovës, u dekoruan me Medalje për Meritë z. Michael Davenport, Ambasador i OSBE-së në Kosovë dhe znj. Kimberly Riffe, Udhëheqëse e Programit Ndërkombëtar të asistencës për trajnime në hetimet penale të departamentit të drejtësisë në kuadër të Ambasadës Amerikane.

Po ashtu një fjalë rasti pat edhe U. D. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Fehmi Hoti i cili u uroi kadetëve mirëseardhje në familjen e madhe të Policisë së Kosovës dhe po ashtu ju uroj suksese në përmbushje të detyrave kushtetuese e ligjore ndaj shërbimit për komunitetin
dhe shtetin e Kosovës.

Në kuadër të përpjekjeve për parandalimin dhe luftimin e krimit Policia vepron brenda mekanizmit ndërinstitucional të percaktuara në Strategjitë shtetërore dhe planet e veprimit në fushat siç janë: kundër krimit të organizuar; kundër drogave; kundër trafikimit me njerëz; për
sigurinë në bashkësi; sigurisë kibernetike, kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta; për policimin e drejtuar nga inteligjenca dhe policimit në komunitet: korrupsionit, terrorizimit, ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit etj.

Korniza ligjore e Republikës së Kosovës është në harmoni me praktikat më të mira Evropiane në luftën kundër formave të rënda të kriminalitetit. Policia e Kosovës vazhdon te jete institucion i sundimit të ligjit më i besueshëm në Kosovë.

Urime edhe njëherë të gjithë kadetëve,
Zoti e Bekoftë Policinë e Kosovës,
Zoti e Bekoftë Republikën e Kosovës,
Zoti e Bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës,
Zoti i Bekoftë Miqtë e Vendit

—————————————–


Nënkolonel Fatos Haziri
Drejtor i Drejtorisë për Mbështetje, Trajnimeve të Specializuara dhe të Avancuara
DPP Prishtinë
Policia e Kosovës

Dita e Drejtësisë, Begaj: SPAK dhe GJKKO tronditën pandëshkueshmërinë

Presidenti Bajram Begaj shprehu sot në mbledhjen e Përbashkët Vjetore të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të…

Global 360

Baku Kryeqyteti Botëror i Sportit për vitin 2026

Baku, kryeqyteti i Azerbajxhanit, është emëruar Kryeqyteti Botëror i Sportit për vitin 2026 nga Federata Evropiane e Kryeqyteteve dhe Qyteteve…

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Një libër për poetin e pakohë…

“Mes jush Jetoj” është një libër jo i zakonshëm, në përmbajtje dhe në kohë.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Dita e Drejtësisë, Begaj: SPAK dhe GJKKO tronditën pandëshkueshmërinë

Presidenti Bajram Begaj shprehu sot në mbledhjen e Përbashkët Vjetore të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të…