
Rama: Përfundimi i negociatave në 2027 i arritshëm, do bëj çmos që askush mos e vërë në pikëpyetje anëtarësimin në BE
Kryeministri Edi Rama deklaroi se udhërrëfyesi orientues i paraqitur nga Komisioni Europian për procesin e anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian përcakton qartë etapat dhe objektivat që vendi duhet të përmbushë gjatë vitit të ardhshëm

Kryeministri Edi Rama deklaroi se udhërrëfyesi orientues i paraqitur nga Komisioni Europian për procesin e anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian përcakton qartë etapat dhe objektivat që vendi duhet të përmbushë gjatë vitit të ardhshëm, duke e cilësuar këtë proces si një mundësi historike që nuk duhet humbur.
Në një konferencë për mediet nga Kryeministria, së bashku me ambasadoren e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, pas dorëzimit të Raportit të Progresit për Shqipërinë, Rama u ndal te rëndësia e udhërrëfyesit orientues të Komisionit Europian për vendet më të avancuara në procesin e negociatave.
Kryeministri theksoi se ky dokument përfshin katër vende, Malin e Zi, Shqipërinë, Ukrainën dhe Moldavinë, duke përcaktuar për secilin prej tyre etapat dhe objektivat për vijimin e procesit të integrimit.
Sipas Ramës, “për Shqipërinë udhërrëfyesi përcakton qartë punën që duhet të bëhet gjatë vitit sfidues që ka përpara vendi, duke i dhënë procesit më shumë qartësi dhe parashikueshmëri”.
Ai nënvizoi se “Komisioni Europian e konsideron objektivin e Shqipërisë për përfundimin e negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027 ambicioz, por të arritshëm. Dhe ky është një vlerësim tejet i rëndësishëm për Shqipërinë, i cili duhet kuptuar nga të gjithë me peshën dhe kushtëzimet e tij”.
Kryeministri sqaroi se udhërrëfyesi nuk përcakton një datë anëtarësimi në Bashkimin Europian dhe as nuk paracakton rezultatin e negociatave, por shërben si një orientim konkret për përmbushjen e objektivit kombëtar të integrimit.
Në kontekst, Rama nënvizoi se “kjo do të thotë që koha merr çdo ditë më shumë rëndësi dhe çdo ditë bëhet më e çmuar në raport me këtë objektiv. Këtë duhet ta kuptojnë mirë që të gjithë ata, që janë përfshirë në vijën e parë të këtij procesi, në radhë të parë parlamenti, qeveria, gjyqësori dhe, para të gjithëve, duhet ta kuptojë shumica jonë qeverisëse. Mundësia që kemi sot për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian është unikale, është historike dhe nuk është aty si një e dhënë e palëvizshme njëherë e përgjithmonë”.
Në përfundim, Rama deklaroi se do të angazhohet për të garantuar vijimin e procesit dhe për të mos lejuar që kjo mundësi të humbasë për shkak të pengesave të brendshme.
“Historia nuk do na e falë kurrë bjerrjen e kësaj mundësie për shkakun tonë, të shqiptarëve. Prandaj, bashkë me të gjithë ata që e duan pa kushte suksesin e Shqipërisë, unë do bëj çmosin tim që të ndodhë e kundërta e fatkeqësisë që i ka ndodhur këtij vendi sa herë ka pasur mundësinë të ngjitet lart dhe që askush dhe asgjë, të mos e vërë në pikëpyetje këtë mundësi historike për “mustaqet e asnjë Çeloje” ”, përfundoi Kryeministri Rama.
Marrë nga ATSH


















