
Rama: Procesi i integrimit, për shtetbërjen europiane të Shqipërisë
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk duhet parë thjesht si një objektiv politik apo diplomatik, por mbi të gjitha si një proces që synon përmirësimin e standardeve të jetesës së qytetarëve shqiptarë.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk duhet parë thjesht si një objektiv politik apo diplomatik, por mbi të gjitha si një proces që synon përmirësimin e standardeve të jetesës së qytetarëve shqiptarë.
Në konferencën për mediet, së bashku me ambasadoren e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, pas dorëzimit të Raportit të Progresit për Shqipërinë, Rama u ndal te rëndësia që ka integrimi europian për të ardhmen e qytetarëve dhe krijimin e mundësive të barabarta brenda vendit.
Kryeministri theksoi se për shumë vite shqiptarët kanë përjetuar një kontrast të madh mes mundësive që kanë gjetur jashtë vendit dhe atyre që u ka ofruar Shqipëria, duke bërë që emigracioni të shihet nga shumë familje si rruga drejt një jete më të mirë.
“Për shumë familje, emigracioni ka qenë rruga drejt një pune më të mirë, një shkolle më të mirë, një shërbimi shëndetësor më të mirë, apo thjesht fare një marrëdhënie më të sigurt me shtetin”, u shpreh Rama.
Ai nënvizoi se ky realitet duhet të mbahet parasysh në çdo diskutim mbi procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, pasi thelbi i tij nuk lidhet vetëm me përmbushjen e kritereve europiane, por me transformimin e vetë shtetit shqiptar sipas standardeve të vendeve anëtare.
“Në thelbin e tij i gjithë ky proces nuk është për Brukselin, nuk është për Parisin, nuk është për Berlinin, nuk është për të gjithë ata së bashku, por është shtetbërja europiane e Shqipërisë, ku shqiptarët të kenë institucionet, mundësitë ekonomike, sigurinë juridike dhe vendrritjen e fëmijëve këtu, si në Europë”, deklaroi Kryeministri.
Sipas tij, qytetarët duhet ta kuptojnë procesin e negociatave për anëtarësim në BE në funksion të përfitimeve konkrete që ai sjell në jetën e tyre, pavarësisht nëse jetojnë brenda apo jashtë Shqipërisë.
Ai theksoi se pikërisht përmirësimi i standardeve të jetesës së shqiptarëve përbën arsyen kryesore të angazhimit të tij në procesin e integrimit europian.
Në këtë kontekst, Rama u shpreh se Raporti i Progresit përbën një vlerësim objektiv të përparimit të bërë nga Shqipëria, duke theksuar kënaqësinë për ecurinë e vendit në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Dhe pikërisht kjo është arsyeja kryesore që unë jam kaq i përkushtuar ndaj këtij procesi, po edhe arsyeja kryesore pse mua më gëzon shumë ky raport i progresit, si një dëftesë shumë objektive e përparimit të madh të Shqipërisë”, përfundoi Rama.
Burimi ATSH


















