
Demo: Bashkitë, potenciale për të krijuar ekonominë lokale të qëndrueshme
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo deklaroi sot, se bashkitë duhet të luajnë një rol aktiv në procesin e rritjes ekonomike në vend.

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo deklaroi sot, se bashkitë duhet të luajnë një rol aktiv në procesin e rritjes ekonomike në vend.
Demo ishte i pranishëm në takimin e thirrur nga Kryeministri Edi Rama me kryebashkiakët, ku u diskutuan sfidat e bashkive për vitin 2026, sezoni turistik dhe betejat e përbashkëta politike e shoqërore kundër mbetjeve plastike.
Ministri Demo, gjatë fjalës së tij tha se qasja e qeverisë është qasje e një partneriteti të sigurt me autoritetet lokale.
“Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm për të kërcyer lartësi të cilat do të krijonin një transformim rrënjësor jo vetëm ekonomik, por edhe social. Në këtë kuadër, bashkitë kanë një rol shumë të rëndësishëm pasi energjia që çlirohet në nivel lokal është shumë e rëndësishme. Burimet e rritjes ekonomike janë ato ku bashkitë duhet të luajnë një rol proaktiv në këtë kontekst”, tha Demo, ndërsa theksoi se duhet një ndryshim rrënjësor për sa i përket asaj që ndodh në territor dhe rritjes ekonomike në nivel vendor.
“Sfidat me të cilat bashkitë përballen janë dinamike, diverse për shkak të arsyeve që mund të vijnë nga elemente që janë të paparashikueshëm siç janë edhe përmbytjet e ditëve të fundit, por besoj që ne të gjithë duhet të bëjmë shumë për parandalimin e këtyre situatave. Ndihma që këto bashki do të marrin nga qeverisja qendrore do të bëjë të mundur që jo thjesht të jemi të përgatitur për situata emergjente, mbi të gjitha për t’i parandaluar ato dhe për të krijuar zhvillim territoral, sidomos kur flasim për logjistikë, për mirëmbajtje infrastukture rurale”, theksoi ai.
Ministri Demo u ndal edhe te Paketa e Maleve, Granti i Performancës, për rolin që ka Akademia e Pushtetit Vendor, për Strategjinë Kombëtare të Turizmit, për rregulloren e plazheve dhe një përgatitje më të mirë, edhe një qasje më të lehtë të qytetarit në plazhet e jashtëzakonshme të vendit.
“Suksesi i Shqipërisë sa i përket turizmit në 12 muaj të vitit, është jo vetëm nga bregdeti. Të 61 bashkitë e vendit duhet të jenë të përgatitura. Kjo tregon potencialin e jashtëzakonshëm që kanë të gjitha bashkitë, për të krijuar ekonominë lokale të qëndrueshme. Pasi në çdo cep të territorit ne mund të kemi një aktivitet ekonomik”, tha Demo.
Demo shtoi se viti 2026 mbart shumë sfida për Shqipërië, edhe në aspektin e punës për procesin e integrimit, ndërsa tha se të gjitha bashkitë duhet të jenë të përgatitura për një “cunami” nga pikëpamja rregullative që bashkitë do kenë në jetën administrative dhe që këto të përkthehen në shërbime në territor për qytetarët.
Burimi ATSH



















