
800 ha tokë bujqësore e përmbytur në qarkun Shkodër, në rrugët malore kalimi me zinxhirë
Prefektura e qarkut Shkodër informoi sot mbi situatën në këtë qark gjatë orëve të fundit, ku ka pasur rritje të sipërfaqeve me prezencë të ujit.

Në qarkun e Shkodrës aktualisht ka rreth 800 hektarë tokë bujqësore në prani uji, ndërsa akset rrugore malore janë të kalueshme vetëm me goma dimërore dhe zinxhirë.
Prefektura e qarkut Shkodër informoi sot mbi situatën në këtë qark gjatë orëve të fundit, ku ka pasur rritje të sipërfaqeve me prezencë të ujit.
Sipas raportimeve nga Agjencia Rajonale Bujqësore vlerësohen në rreth 800 ha tokë bujqësore në prezencë uji, kryesisht kultura foragjere, grurë, jonxhë, toka të pambjella dhe kullota.
Në bashkinë Shkodër situata paraqitet e qëndrueshme, por ka pasur rritje të sipërfaqes së tokave me prezence të ujit. Deri në këto momente nuk raportohen banesa të rrezikuara nga prania e ujit.
Pranë fshatit Obot, në rrugën kryesore ka pasur rritje të nivelit të ujit. Forcat Tokësore janë të pranishme prej disa ditësh me 3 mjete me kalueshmëri të lartë për të lehtësuar kalimin e banorëve në segmentin e rrugës të bllokuar nga prania e ujit.
Situata e lumenjve ka vijuar me rritje 10–20 cm gjatë 24 orëve të fundit në nivelet e lumenjve Bunë dhe Drin, të cilat janë nën kuotat kritike.
Në bashkinë Malësi e Madhe nuk raportohen probleme të emergjencave civile. Në Vukpalaj niveli i ujit është në tërheqje të ngadalshme. Ka prurje të përroit në fshat, por nuk raportohen banesa të rrezikuara.
Nga bashkitë Vau Dejës, Pukë, Fushë-Arrëz raportohen reshje intensive shiu, por deri në këto momente pa situata emergjente të raportuara.
Prefektura e Shkodrës njoftoi se akset rrugore Han i Hotit–Doganë–Vermosh; Bogë–Qafë Thore–Theth; Qafë Mali–Fierzë; Hadroj–Qafë Bene janë të kalueshme vetëm me goma dimërore dhe zinxhirë. Firmat kontraktore janë pa ndërprerje në terren me borëpastruese dhe kriposjen e akseve.
Ekipet e emergjencave civile janë në monitorim të vazhdueshëm dhe në gatishmëri.Po ashtu, Prefektura e Qarkut Shkodër siguron se është nën monitorim të pandërprerë, në koordinim dhe gatishmëri me të gjitha strukturat përgjegjëse.
Burimi ATSH



















