
Kina fillon manovrat e fundvitit në Tajvan, duke mbrojtur paqen

Nga Prof. Dr. Enriko Ceko
Drejtor Ekzekutiv “Qendra Shqiptare për Zhvillim të Qëndrueshëm”
Kina ka filluar ditën e hënë 29 dhjetor 2025 manovrat ushtarake për-rreth Ishullit të Tajvanit. Këto manovra, në të cilat marrin pjesë forcat ajrore, tokësore, detare dhe raketore të Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës, janë një reagim konkret dhe tërësisht i justifikuar ndaj provokimit të autoriteteve tajvaneze pro të ashtuquajturës “pavarësi”.

Gjatë stërvitjes së përbashkët “Misioni i Drejtësisë-2025”, dronët e Ushtria Çlirimtare Popullore (PLA) e Kinës mbikëqyrën Taipei 101./Foto nga VCG
Stërvitjet ushtarake të kryera nga Ushtria Çlirimtare Popullore (PLA) e Kinës synojnë posaçërisht veprimtarinë separatiste të “pavarësisë së Tajvanit” dhe ndërhyrjet e jashtme që synojnë minimin e parimit të mirëpranuar ndërkombëtarisht të një Kine, parim i njohur zyrtarisht edhe nga vetë nivelet më të arta politike, ekonomike dhe ushtarake të Perëndimit.
Në lidhje me këto zhvillime, një zëdhënës i Zyrës së Çështjeve të Tajvanit në Këshillin e Shtetit të Kinës tha: “stërvitjet synojnë të frenojnë bashkëpunimin midis forcave të “pavarësisë së Tajvanit” dhe elementëve të jashtëm, që rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në të gjithë Ngushticën e Tajvanit, dhe të mbrojnë në thelb sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial të Kinës”.
Këto komente janë bërë si përgjigje ndaj këqyrjeve mediatike në lidhje me stërvitjet e koduar me emrin “Misioni i Drejtësisë 2025”, organizuar për-rreth Ishullit të Tajvanit, që filloi të hënën, 29 dhjetor 2025, në të cilën marrin pjesë forca të shumta të Komandës së Zonës Lindore të UÇP të Kinës. Me këtë rast, zëdhënësi theksoi theksoi: “misioni synon të mbrojë interesat themelore të kombit kinez dhe interesat e menjëhershme të bashkatdhetarëve të Tajvanit”, duke shërbyer edhe si një paralajmërim i ashpër për forcat separatiste të “pavarësisë së Tajvanit” dhe së bashku me to edhe për ndërhyrjet e jashtme, duke shtuar se çdo përpjekje separatiste për “pavarësinë e Tajvanit” do të gjendet përballë goditjeve të rënda dhe se askush nuk duhet të nënvlerësojë vendosmërinë e fortë, vullnetin e vendosur dhe aftësitë e mëdha të popullit kinez “për të mbrojtur sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial”.

Stërvitje e përbashkët “Misioni i Drejtësisë-2025″/Foto nga VCG
Tajvani është një ishull në Azinë Lindore, i vendosur në Oqeanin Paqësor, në lindje të pjesës kontinentale të Kinës. Tajvani njihet për (1) ekonominë e bazuar në industri, tregti dhe eksporte, (2) teknologjinë e avancuar, (3) kulturën e pasur, ku dominon tradita kineze me ndikime moderne, etj. Nga ana politike, statusi i ishullit në aspektin kombëtar dhe ndërkombëtar, është një çështje që i përket vetëm Kinës. Ishulli i Tajvanit ka një sipërfaqe relativisht të vogël, por është shumë i populluar. Tajvani ka rreth 23.4 milionë banorë dhe sipërfaqja e përgjithshme e ishullit është rreth 35,980 km². Ishulli i Tajvanit ka një ekonomi të zhvilluar. Vlera e Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP nominale) është rreth 884 miliardë dollarë amerikanë (2025) dhe GDP për frymë është rreth 37,800 USD. Struktura e ekonomisë së ishullit është e përbërë nga shërbimet ~62%, industria ~36% dhe bujqësia ~2% e GDP-së. Eksportet janë një pjesë shumë e rëndësishme e ekonomisë, me produkte kryesore teknologjinë e lartë dhe mikro çipat ku vendin kryesor e zënë gjysmëpërçuesit (semikonduktorët).
Republika Popullore e Kinës e ka trajtuar gjithmonë Tajvanin si një territor të pashkëputur prej saj, nën parimin “Një Kinë”, sipas të cilit ekziston vetëm një shtet kinez, dhe Tajvani është pjesë e tij, parim që është pranuar nga shumë vende dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Si përfundim logjik, Tajvani i përket Kinës për arsye historike, ligjore dhe politike.
Konkretisht, në lidhje me këto manovra të fundit vitit 2025, Komanda e Zonës Lindore të UÇP dërgoi trupat e saj të Ushtrisë, Marinës, Forcave Ajrore dhe Forcave Raketore për të kryer stërvitje në Ngushticën e Tajvanit dhe zonat në veri, jugperëndim, juglindje dhe lindje të ishullit. Stërvitja përqendrohet në (1) patrullim dhe mbajtjen e gatishmërisë luftarake në det dhe në ajër, (2) ruajtjen e epërsisë gjithëpërfshirëse, (3) bllokadën e porteve dhe zonave kyçe për-rreth ishullit, si dhe (4) parandalimin gjithë-dimensional në zonën jashtë grup ishujve në atë zonë, duke testuar aftësitë operacionale të përbashkëta të të tëra forcave që marrin pjesë në këtë stërvitje në rast angazhimi në sulme të përbashkëta.

Stërvitje e përbashkët “Misioni i Drejtësisë-2025″/Foto nga VCG
Duket se kemi të bëjmë me një paralajmërim të përshkallëzuar kundër forcave separatiste dhe ndërhyrjeve të jashtme, si një veprim legjitim, i nevojshëm dhe i domosdoshëm, për të mbrojtur sovranitetin dhe unitetin kombëtar të Kinës.
Duket se komanda kineze që drejton stërvitjen është e bindur se, si komandë e vijës së parë, gjendur përballë çdo sabotimi dhe provokimi, çdo shkeljeje dhe përçarjeje, ka besimin e duhur dhe aftësinë përkatëse për të (1) ruajtur sigurinë dhe stabilitetin rajonal, (2) mbrojtur sovranitetin dhe të drejtat kombëtare dhe (3) mbështetur integritetin territorial të atdheut. Një nga zëdhënësit e saj deklaroi së fundmi se: “ushtria e Kinës është plotësisht e përgatitur për një luftë të vërtetë, me vendosmëri të fortë dhe aftësi të forta, për të eliminuar me vendosmëri të gjitha forcat separatiste të “pavarësisë së Tajvanit” dhe për të mbrojtur me vendosmëri sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial”. Pra, aktualisht kemi të bëjmë me një paralajmërim serioz për forcat separatiste të “pavarësisë së Tajvanit” dhe forcat e ndërhyrjes së jashtme. Kjo manovër ushtarake, e organizuar në perfeksion të plotë, sipas logjikës së ftohtë, është thjesht dhe vetëm një veprim legjitim dhe i nevojshëm, për të mbrojtur sovranitetin kombëtar dhe për të ruajtur unitetin territorial të Kinës.
Në fakt, përpara fillimit të këtyre manovrave, ishte vetë Uashingtoni, që në datën 18 dhjetor 2025, miratoi një paketë shitjeje armësh në një shumë prej 11.1 miliardë dollarësh amerikanë ndaj ishullit Taivan të Kinës dhe siç mësohet nga burime të sigurta, kësaj here, kjo shitje armësh ndryshon tërësisht nga shitjet e mëparshme, sepse tashmë nuk bëhet fjalë vetëm për armatim me qëllim mbrojtës, por bëhet fjalë për armatime në të cilat përfshihen, por jo kufizohen 82 sisteme raketore HIMARS, 420 sisteme raketore ATACMS, 1200 raketa GMLRS dhe 60 njësi M109A7.

Stërvitje e përbashkët “Misioni i Drejtësisë-2025″/Foto nga VCG
Pra, manovrat e kësaj radhe duket se mund të lidhen ngushtë me këto zhvillime, sepse vitet e fundit, sa herë që pala separatiste tajvaneze dhe pala amerikane e lobit të tregtisë ndërkombëtare të armëve provokojnë, qeveria kineze kryen manovra të tilla rreth Tajvanit. Manovrat e viteve të fundit, në fakt, kanë formësuar një “rreth”, që qarkon gjithnjë e më shumë të tërë ishullin dhe ushtria e pjesës kontinentale tashmë është e gatshme ta shndërrojë çdo manovër në një operacion të vërtetë, në rast se pala tajvaneze shkel vijën fundore.
Por, paralelisht, këto manovra kanë lëshuar sinjalin e paqes.
Kina e madhe kërkon qëndrueshmëri dhe prej kohësh ajo ka deklaruar se veprimet e saj nuk do jenë të fshehta por të lexueshme dhe të parashikueshme nga të tërë. Në fakt, askush nuk e do luftën, aq më shumë fuqitë e mëdha, sidomos Evropa dhe SHBA-të, kur në veprime luftarake mund të përfshihet Ushtria e Kinës, që është edhe ushtria më e madhe dhe më e fuqishme në botë, e pajisur me mjetet luftarake dhe teknologjitë më të fundit në këtë sektor, mbështetur nga një ekonomi që tashmë është ndër dy ekonomitë më të fuqishme të globit.
Burimi CGTN



















