
“Misioni i Drejtësisë 2025″ i Ushtrisë Çlirimtare Popullore Kineze si artikulim i qartë i vijës së kuqe për Tajvanin

Nga Marsela Musabelliu
Drejtore Ekzekutive e Institutit të Studimeve të Globalizimit (AIGS)

Foto nga Llogaria zyrtare në “WeChat” e Komandës së Zonës Lindore të Ushtrisë Çlirimtare Popullore
Që prej 29 dhjetorit, në të gjithë botën po flitet për ishullin e Tajvanit dhe kordonin ushtarak rreth tij. Shumë media raportojnë, ka lajme dhe kundërlajme. Ndërsa shumë po njoftohet, raportohen zëra alarmantë dhe pacifistë, pak flitet për arsyet reale: pse po ndodh kjo situatë dhe pse pikërisht tani? Ushtria Çlirimtare Popullore (UÇP) e Kinës nisi të hënën stërvitjen e saj masive “Misioni i Drejtësisë 2025” rreth ishullit të Tajvanit, duke mobilizuar forcat tokësore, ajrore, detare dhe raketore në një mënyrë të koordinuar. Ky operacion i nivelit të lartë demonstroi fuqinë dhe vendosmërinë absolute të Kinës për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të saj.

Gjatë stërvitjes së përbashkët “Misioni i Drejtësisë-2025”, dronët e Ushtria Çlirimtare Popullore (UÇP) e Kinës mbikëqyrën Taipei 101./Foto nga VCG
Taktika dhe teatri i mundshëm i së ardhmes
UÇP-ja dhe “Misioni i Drejtësisë 2025” u përqendruan në patrullim, gatishmëri luftarake detaro-ajrore, kapjen e përbashkët të epërsisë gjithëpërfshirëse, bllokadën e porteve dhe zonave kyçe, si dhe parandalimin gjithë-dimensional jashtë zinxhirit të ishujve. Me anijet dhe avionët që iu afrohen ishullit të Tajvanit nga drejtime të ndryshme, trupat e shërbimeve të shumëfishta u angazhuan në simulime sulmesh të përbashkëta në mënyrë që të testojnë aftësitë e tyre të operacioneve të përbashkëta.
Nga ana taktike, ka dy dimensione, kjo stërvitje kombinon bllokadën dhe sulmin. Stërvitjet u përqendruan kryesisht në bllokadë, duke theksuar formimin e një rrethimi/kordoni ushtarak të përbashkët të ishullit dhe izolimin shumëdimensional. Trupat praktikuan afrimin në ishullin e Tajvanit nga drejtime të shumta dhe marrjen e kontrollit, të dominimit detar dhe ajror në zona kyçe. Më tej, stërvitjet u përqendruan kryesisht në sulme, duke theksuar sulmet me armë zjarri për të përforcuar bllokadën.
Ndërsa nata binte mbi Ngushticën e Tajvanit, stërvitja u shfaq menjëherë jo thjesht si një manovër trajnimi, por si një test operativ i planifikuar me kujdes dhe një paralajmërim i fuqishëm politik. Ajo theksoi mesazhin e Pekinit se dimensioni ushtarak i planifikimit të rikthimit të Tajvanit është një opsion i aplikueshëm.

Stërvitje e përbashkët “Misioni i Drejtësisë-2025″/Foto nga VCG
Operacioni arriti kulmin brenda një ore nga shpallja, duke integruar elementë të koordinuar nga Ushtria, Marina, Forcat Ajrore dhe Forcat Raketore të UÇP-së. U tregua se gatishmëria dhe mobilizimi janë shumë hapa me parë se mund të mendohet. Ky nuk ishte një demonstrim episodik; ishte një stërvitje e integruar shumëdimensionale, e projektuar për të testuar paketat e forcave të sakta të nevojshme për një skenar të mundshëm bllokade-sulm. Ushtrimet janë hartuar posaçërisht për të praktikuar bllokimin e porteve kryesore dhe kontrollin e pikave të hyrjes në ujërat territoriale të Tajvanit, duke demonstruar aftësinë për të izoluar ishullin.
Kolonel i Lartë Shi Yi theksoi në emër te ushtrisë se anijet dhe avionët që i afrohen Tajvanit nga drejtime të ndryshme, të mbështetur nga shërbime të shumta, po kryejnë sulme të përbashkëta për të testuar aftësitë e tyre operacionale të integruara. Ai bëri të qartë se këto stërvitje përbëjnë një paralajmërim të ashpër kundër forcave separatiste që mbështesin “Pavarësinë e Tajvanit” dhe janë masa të ligjshme dhe të nevojshme për të mbrojtur sovranitetin dhe unitetin kombëtar të Kinës.
Duke i futur këto deklarata direkt në kuadrin operativ, Pekini e shfaq stërvitjen si provë konkrete të aftësisë për të ndërmarrë veprime vendimtare në kushtet e një përshkallëzimi të mundshëm. Hapësira e shkurtër kohore midis shpalljes dhe nisjes së operacionit pasqyron jo vetëm elementin e surprizës, por edhe aftesitë e kapaciteteve të UÇP-së, të projektuar për të mbingarkuar ciklet e vendimmarrjes në Taipei dhe kryeqytetet ndërkombëtare para se të formulohen kundërmasa të koordinuara.

Stërvitje e përbashkët “Misioni i Drejtësisë-2025″/Foto nga VCG
Ushtria kineze i ka dhënë një paralajmërim botës: qëndroni larg Tajvanit! Ushtria praktikoi bllokimin e porteve të Tajvanit, kontrollin e lëvizjes së mallrave dhe pengimin e tregtisë. Ata simuluan sulme ndaj anijeve armike dhe u trajnuan për të parandaluar ndihmën e jashtme që të arrinte në Taipei.
Operacioni demonstron qasjen strategjike të Pekinit: aktivizimi i shpejtë dhe i sinkronizuar i forcave tani shërben si një formë levash strategjike, e aftë të riformësojë llogaritjet e kundërshtarit pa kaluar pragun e një lufte të shpallur. Ai nxjerr në pah jo vetëm gatishmërinë operative të UÇP-së, por edhe aftësinë e Pekinit për të projektuar fuqinë në mënyrë vendimtare, duke kontrolluar përshkallëzimin dhe duke ruajtur iniciativën strategjike. Vetëm një orë…..
Përse tani, dhe përse kështu?
Gjeopolitika e Azi-Paqësorit po duket sikur ishte shkëndja e gjithçkaje. Dy faktorë kryesore, ShBA-ja dhe Japonia janë në qendër të çdo analize. Por, pse tani?
Vetëm dy javë më parë, ShBA-të miratuan një marrëveshje armësh prej 11.1 miliardë dollarësh me Tajvanin, më e madhja ndonjëherë dhe mbulojnë tetë kategori, duke përfshirë sistemet raketore HIMARS, obusët, raketat antitank Javelin, dronë me municione Altius, etj,. – të njëjtat armë të dërguara në Ukrainë.
Pekini paralajmëroi se “forcat e jashtme” që armatosin Taipein do ta “shtynin Ngushticën e Tajvanit në një situatë të rrezikshme lufte të afërt.” Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian, tha se çdo përpjekje për të ndaluar bashkimin e Kinës me Tajvanin është “e dënuar me dështim”.

Stërvitje e përbashkët “Misioni i Drejtësisë-2025″/Foto nga VCG
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare kineze Zhang Xiaogang tha të hënën se manovrat e përbashkëta të nisura nga Komanda e Zonës Lindore e Ushtrisë Çlirimtare Popullore (UÇP) shërbejnë si një paralajmërim serioz ndaj forcave separatiste të “pavarësisë e Tajvanit” dhe ndërhyrjes së huaj.
Zhang i bëri këto komente në përgjigje të raporteve të medias se manovrat “Misioni i Drejtësisë 2025” ishin të lidhura me njoftimin e fundit të ShBA-së për një shitje të madhe armësh Tajvanit.
Cao Yanzhong, një ekspert ushtarak, thotë se ushtrimet vërtetojnë në mënyrë efektive se blerjet e armëve të Tajvanit janë të kota, nuk do të ndihmojnë e nuk do të funksionojnë.
Nga ana tjetër është Japonia dhe deklarata e fundit se Tokio mund të bashkohet me konfliktin nëse Kina sulmon Tajvanin. Tensionet midis tyre janë rritur pasi kryeministrja japoneze Sanae Takaichi iu përgjigj një pyetjeje në parlament muajin e kaluar duke thënë se çdo “event” që përfshin Tajvanin do të kërcënonte në mënyrë të pashmangshme sigurinë kombëtare të Japonisë. Pekini reagoi menjëherë. Diplomati më i lartë i Kinës kritikoi vërejtjet e gabuara të kryeministres japoneze në lidhje me Tajvanin, duke thënë se “sfidoi hapur sovranitetin territorial të Kinës, përfundimet historike të Luftës së Dytë Botërore dhe rendin ndërkombëtar të pasluftës”. Japonia – vendi që nisi luftën e agresionit kundër Kinës – jo vetëm që nuk ka arritur të reflektojë thellë mbi krimet që ka kryer, por udhëheqësi i saj aktual madje ka sfiduar hapur sovranitetin territorial të Kinës, përfundimet historike të Luftës së Dytë Botërore dhe rendin ndërkombëtar të pasluftës.

Stërvitje e përbashkët “Misioni i Drejtësisë-2025″/Foto nga VCG
Së fundmi, “Misioni i Drejtësisë 2025” është një mesazh i qartë dhe i padiskutueshëm për ishullin e Tajvanit dhe për botën: Kina është e gatshme në çdo moment të shtypë çdo përpjekje për të ndarë Tajvanin nga atdheu. Çdo provokim, qoftë brenda apo jashtë, do të përballet me kundërmasa vendimtare.
Çdo element i shtetit kinez — nga Byroja Politike dhe ushtria, te ministria e Jashtme, media dhe zyrtarët shtetërorë — ka deklaruar vazhdimisht se stërvitjet janë një “paralajmërim i ashpër” për ata që promovojnë pavarësinë formale të Tajvanit, duke shënuar një vijë të kuqe për Pekinin. Ushtria Çlirimtare Popullore zhvilloi këto stërvitje të papritura dhe me intensitet të lartë për të dërguar një sinjal të qartë gatishmërie strategjike në Taipei, Tokio, Uashington dhe në të gjithë arkitekturën më të gjerë të sigurisë në Indo-Paqësor.
Burimi CGTN



















