
Berisha uron Kurtin: Kosova triumfon me votë të lirë
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha përshëndeti zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë, duke i cilësuar si një sukses të vërtetë të demokracisë dhe një shembull frymëzues për shqiptarët.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha përshëndeti zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë, duke i cilësuar si një sukses të vërtetë të demokracisë dhe një shembull frymëzues për shqiptarët.
Ai theksoi se procesi zgjedhor në Kosovë u zhvillua me standarde të larta demokratike, me garë të lirë, administrim korrekt dhe respektim të vullnetit të qytetarëve.
“Dje Kosova zhvilloi zgjedhjet parlamentare të parakohshme, të dytat në një hark kohor 10-mujor. Këto zgjedhje për fushatën, procedurën e votimit, garën e lirë, administrimin e votës ishin një sukses i vërtetë i demokracisë së re të Kosovës dhe mbarë qytetarëve të saj dhe shpresoj një frymëzim për shqiptarët në Shqipëri”, pasi sipas tij, kryeministri Edi Rama “e ka shndërruar procesin jetik të zgjedhjeve të lira në farsë të shëmtuar elektorale”.
Kryetari i PD, Sali Berisha uroi kryeministrin në detyrë Albin Kurti për fitoren, si dhe të gjitha forcat politike për pjesëmarrjen dhe respektimin e verdiktit të sovranit, duke e quajtur Kosovën “krenari të shqiptarëve”.
“Me këtë rast dua të uroj përzemërsisht qytetarët e lirë të Kosovës, autoritetet e vendit dhe institucionet e administrimit të procesit zgjedhor dhe forcat politike për arritjen e vërtetë të rendit demokratik të vendit të tyre.
“Uroj fituesin e zgjedhjeve Albin Kurti për fitoren e thellë të këtyre zgjedhjeve, por edhe të gjitha forcat e tjera politike për pjesëmarrjen dhe qëndrimet e tyre dinjitoze gjatë fushatës dhe respektimin e vendimit të sovranit. Dhe një herë, urime Kosovës, krenari e shqiptarëve!”, tha Berisha.
Marrë nga ATSH


















