Kastriot Xherrai, një jetë e ndërtuar me duar, mëndje dhe besim

Kastrioti është nga ata njerëz që nuk flasin për veten, por flet puna për ta.


Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh

Kur lindja përkon me shenjtërinë

Ka njerëz që lindin në ditë të zakonshme dhe ka të tjerë, që vijnë në jetë në data që mbartin simbolikë, dritë dhe përgjegjësi morale. 5 shtatori është një prej atyre ditëve, që nuk kalon kurrë pa u ndjerë. Është dita kur u shenjtërua Nënë Tereza, gruaja shqiptare që i mësoi botës se madhështia nuk qëndron tek pasuria, por tek shërbimi ndaj tjetrit.

Në këtë qytet me rrënjë ilire e horizonte mesdhetare, u formua Kastrioti. Me këmbë në tokë, me sy nga larg, me duar të gatshme për punë dhe mendje të hapur për botën.

Përkimi vjen interesant. Me 5 shtator 1967, lindi në Durrës Kastriot Xherrai, emër që me kalimin e viteve, do të gdhendej fort në hartën e biznesit durrsak dhe shqiptar. Nuk është rastësi, që jeta e tij edhe pse në fushë tjetër nga misioni human i Nënë Terezës, ka pasur gjithnjë në thelb punën e ndershme, respektin dhe ndërtimin e vlerave afatgjata. Ashtu si shenjtorja ndërtoi ura dashurie mes njerëzve, Kastrioti ndërtoi ura ekonomike mes Shqipërisë dhe botës.

Jeta e tij nuk do të merrte formën e sakrificës mistike, por do të ndërtohej mbi një shenjtëri tjetër, më tokësore: shenjtërinë e punës së ndershme.

Durrësi qyteti që nuk të mëson të ankohesh

Durrësi është qytet, që nuk të mëson të ankohesh. Është lëvizje, është përplasje kulturash dhe interesash. Është qytet që të mëson, se jeta nuk të fal asgjë pa e fituar. Në këtë qytet u rrit Kastriot Xherrai, mes detit që të provon durimin dhe portit që të mëson llogarinë e saktë, mes aromës së kripës së detit, zhurmës së vinçave portualë dhe ritmit të një qyteti, që gjithnjë ka ditur të tregtojë, të ndërtojë dhe të mbijetojë.

Durrësi i dha atij prakticitetin, këmbënguljen dhe instinktin tregtar. Deti i mësoi durimin, ndërsa porti hapjen ndaj botës. Durrësi nuk është qytet i butë. Është qytet me histori që nuk të ledhaton, por të kalit. Është vend ku gjithçka vjen e ikën, ku njerëzit mësojnë herët se jeta është udhëtim dhe përballje.

Durrësi i mëson bijtë e vet, se gjithçka e lehtë është e përkohshme. Kjo është arsyeja, pse nuk u magjeps kurrë nga fitimi i shpejtë, por kërkoi qëndrueshmërinë, virtyt që kërkon kohë dhe sakrificë. Durrësi antik dhe modern, i hapur dhe konservator, i ashpër dhe i dhembshur. Në këtë qytet ku deti nuk fal dobësinë, por shpërblen këmbënguljen, u formua karakteri i Kastriotit. Nuk u rrit për t’u dukur, por për të qenë. Dhe kjo diferencë e vogël në dukje, e madhe në thelb, do ta shoqëronte gjithë jetën.

Nuk mund ta kuptosh Kastriot Xherrajn, pa kuptuar Durrësin. Ky qytet nuk është thjesht sfond i jetës së tij, por pasqyrë e karakterit. Si Durrësi edhe ai është i hapur, mikpritës, por kërkon respekt. Si Durrësi, edhe ai ka mësuar të jetojë me dallgë, me lëvizje, me ardhje e ikje.

Durrësi i ka dhënë ndjenjën e masës, të balancës mes të resë dhe traditës. Në këtë qytet, nuk është thjesht biznesmen, por qytetar aktiv, figurë e njohur dhe e respektuar në raporte shoqërore. Ecën në rrugët e qytetit pa distancë, pa maskë, pa nevojë për rol.

Në një qytet ku historia flet nga çdo gur, Kastrioti ka zgjedhur të lërë gjurmë jo në monumente, por në kujtesën njerëzore. Sepse qytetet nuk mbahen gjallë nga ndërtesat, por nga njerëzit që i shërbejnë me ndershmëri.

Ekonomia si strukturë mendimi, jo thjesht diplomë

Shkollimi i lartë në ekonomi, nuk ishte për Kastriotin thjesht diplomë, as dekor biografik. Ishte arkitekturë mendore. Ekonomia e mësoi të lexojë shifrat, por edhe njerëzit, tregun, por edhe psikologjinë e tij.

Pas viteve ’90-të, në një Shqipëri që po dilte nga izolimi dhe po përjetonte tranzicionin më të vështirë të historisë së saj moderne, zgjodhi veprimtarinë private, rrugën më delikate, por edhe më përfaqësuese, të ndërtojë vetë fatin e tij.

E kuptoi shpejt, se tregu është më i rreptë se çdo sistem politik dhe se privatizimi nuk është shpëtim, por provë karakteri. Të dalësh privat do të thotë të dalësh përballë vetes.

Italia shkolla e punës që nuk fal

Nga viti 1964 deri në vitin 2000, Kastriot Xherrai punoi me kohë të pjesshme në Itali, në zonën e Logomaxhores, pranë kufirit me Zvicrën. Ishte periudhë e gjatë, sfiduese, por jashtëzakonisht formuese. Punimet metalike, dyert, dritaret, përpunimi i drurit këto nuk ishin thjesht zanate. Ishin ushtrime karakteri. Aty mësoi se puna e mirë, nuk ka nevojë për zë të lartë dhe se korrektësia është kapital që rritet ngadalë, por nuk shteron kurrë.

Italia i mësoi një të vërtetë themelore: emri yt, është marka jote më e fortë, aty ku çdo milimetër ka rëndësi dhe çdo vonesë ka kosto. Italia nuk i dha Kastriot Xherrait vetëm punë. I dha standard.

Parketi filozofia e dyshemesë së jetës

Në vitin 1994, Kastriot Xherrai hapi linjën e parketit, duke shënuar moment kyç në karrierë. Ishte i pari në Durrës dhe në Shqipëri, që vendosi parketin laminat. Përdori përpunimin industrial të mbetjeve të drurit, krijoi një produkt funksional, estetik dhe ekologjik. Parketi i tij nuk ishte thjesht dysheme, por kulturë banimi, ishte civilizim hapësire.

Materialet vinin nga Italia, Gjermania, por edhe nga Kina. Duke ndërtuar rrjet specialistësh të mirëfilltë, shtriu punimet në gjithë vendin, kryesisht në Durrës dhe Tiranë, duke krijuar standarde të reja cilësie. Solli botën në shtëpitë shqiptare. Parketi është baza mbi të cilën ecën familja, rriten fëmijët, ndërtohet jeta e përditshme.

Ital Pedane perandori moderne biznesi

Në vitin 2019, Kastriot Xherrai krijoi shoqërinë Ital Pedane, strukturë biznesi moderne, shumëdimensionale dhe ambicioze. Veprimtaria e Ital Pedane përfshin import–eksport, prodhim konfeksionesh me material porositës dhe për tregtim, prodhim paletash të të gjitha llojeve, ndërtime civile, punime dhe shtrim parketi, tregti me shumicë e pakicë të artikujve industrialë dhe ushqimorë, transporte brenda dhe jashtë vendit

Në zonën e njohur “Pranvera”, vendosi në funksion tërë ndërtesën për biznes, duke e kthyer në qendër dinamike ekonomike. Më pas, hapi edhe veprimarinë e tregtimit të pijeve alkoolike, pijeve të ndryshme dhe artikujve ushqimorë, duke plotësuar ciklin e një biznesi të menduar deri në detaj.

Ndërtimi arti i korrektësisë

Paralelisht, Kastrioti krijoi brigadë ndërtimi kontraktore, duke realizuar: riparime fasadash, punime hidraulike, veshje kapot, punime dekorative, duralumin, parket. Njihet për korrektësinë, fjalën e mbajtur dhe cilësinë e padiskutueshme, vlera që nuk hasen shpesh.

Brigadat ndërtimore të Kastriot Xherrajt nuk njihen për zhurmë reklame, por për punë të kryer mirë. Beson se një punë e bërë keq është borxh moral.

Familja pasuria që nuk zhvlerësohet

Martesa me Mirela Halili Xherrai, është shembull i një bashkëudhëtimi të rrallë. Mirela nuk është thjesht bashkëshorte, por partnere aktive në jetë dhe biznes, e përfshirë, e kujdesshme dhe mbështetëse. Marrëdhënia e tyre është ndërtuar mbi respekt, dialog dhe përgjegjësi të përbashkët.

Fëmijët janë pasqyra më e qartë e filozofisë së tyre prindërore. Idi Xherrai, i diplomuar në Pekin për ekonomi tregtare ndërkombëtare, krijon ura reale bashkëpunimi mes bizneseve shqiptare dhe atyre kineze, duke garantuar cilësi, transport dhe korrektësi.

Deni Xherrai, ka mbaruar studimet në dy fakultete në universitetin amerikan të Blagoebradit, në Sofje, në shkenca kompjuterike dhe menaxhim biznesi. Punon në bursën bullgare për llogari të firmave amerikane, duke operuar në nivele të larta profesionalizmi.
Këta fëmijë nuk janë rastësi. Janë produkt i një edukimi të menduar, ku arsimi, puna dhe dinjiteti ecin bashkë.

Filozofia e suksesit

Kastriot Xherrai nuk beson tek fati i verbër, por tek puna e palodhur, mendimi i kthjellët, respekti për njeriun, investimi në cilësi. Është biznesmen, por jo i zhurmshëm. Mbi të gjitha qytetar, njeri që ndërton qetë, por me themele të forta. Është arkitekt i durimit. Beson se fjala ka peshë, puna flet vetë, koha është aleati i atyre që ndërtojnë drejt.

Të lindësh më 5 shtator, në ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës, është kujtesë morale e përhershme. Kastriot Xherrai e ka përmbushur këtë kujtesë duke ndërtuar jetë, biznese, familje dhe standarde. Nuk kërkon monumente. I ndërton ato çdo ditë, në heshtje.

Shoku, miku, qytetari

Që në rini, Kastrioti u shqua për qetësinë, për mënyrën e matur të të folurit, për aftësinë për të dëgjuar. Nuk ishte nga ata që imponohen, por nga ata që fitonin hapësirë natyrshëm. Ky tipar do të bëhej më vonë nga asetet më të forta, në marrëdhëniet njerëzore dhe biznesore.

Kastriot Xherrai, është njeri i marrëdhënieve të shëndosha miqësore. Ka rreth të gjerë miqësor, është i komunikueshëm, korrekt, i drejtë dhe i respektuar. Nuk e ndërton autoritetin me zë të lartë, por me sjellje të qëndrueshme.

Është figurë masovike, e njohur dhe e vlerësuar në qytet, sepse nuk e ka ndarë asnjëherë suksesin nga e njerëzishmja. Zotni në sjellje, i përulur në fitore, korrekt në vështirësi. Këto janë cilësi që nuk blihen dhe nuk improvizohen.

Është i barabartë, qoftë me partnerët e huaj ashtu edhe me ato shqiptarë. Ka ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme miqësore dhe profesionale, si me presidentin e firmës së njohur italiane “Italinox” në Durrës, të drejtuar nga Ardian Reçi, ashtu edhe me drejtuesit e MaxOptika Maksim Marku, biznesmenin Fred Shoshi tjetër emër i rëndësishëm në treg. Këto miqësi nuk janë formale, por të ndërtuara mbi respekt dhe besim të ndërsjellë.

Një jetë që nuk kërkon duartrokitje

Të lindësh më 5 shtator, në ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës, nuk është privilegj ceremonial. Është thirrje etike. Kastriot Xherrai e ka dëgjuar këtë thirrje në mënyrën e tij, duke ndërtuar pa mashtruar, duke fituar pa shkelur, duke rritur fëmijë që nuk ikin nga vendi me kompleks, por dalin në botë me dinjitet.

Në një shoqëri që shpesh ngatërron suksesin me zhurmën, ai dëshmon se forca e vërtetë është qetësia. Ndërtimi i një jete të drejtë, është vepër që nuk shembet nga koha. Ka njerëz që jetojnë për të lënë gjurmë dhe të tjerë që lënë gjurmë pa e kërkuar. Kastriot Xherrai i përket kësaj të dytës.

Nuk e ka kërkuar kurrë dritën e reflektorëve, sepse e di se drita e fortë nxjerr në pah edhe boshllëkun. Ka zgjedhur dritën e qetë të punës së përditshme.

Në kohën kur shumë ndërtojnë imazh, Kastriot Xherrai ka ndërtuar strukturë. Në kohën kur shumë flasin për vlera, ai i ka kthyer ato në praktikë të përditshme. Në një shoqëri që shpesh e ngatërron pasurinë me madhështinë, ai dëshmon se madhështia qëndron te qëndrueshmëria morale.

Kastriot Xherrai është nga ata njerëz që nuk flasin për veten, por flet puna për ta. Nuk ka nevojë për tituj, ka ndërtuar besim. Nuk ka nevojë për zhurmë, ka krijuar vlerë. Si Nënë Tereza, me të cilën ndan datën e lindjes, beson se gjërat e mëdha bëhen në heshtje, se shërbimi është formë fisnikërie dhe se njeriu vlen aq sa jep.

Në Durrës, mes detit dhe qytetit, emri i tij lidhet me korrektësi, punë, familje dhe qytetari. Dhe kjo është pasuria më e madhe, që një njeri mund të lërë pas.

Durrës: 26 dhjetor 2025

Kastriot Xherrai, një jetë e ndërtuar me duar, mëndje dhe besim

Kastrioti është nga ata njerëz që nuk flasin për veten, por flet puna për ta.

Global 360

Osmani për Krishtlindje në Janjevë: Kosova është më e fortë falë solidaritetit

Në festat e fundvitit, kur vlerat njerëzore marrin kuptim më të thellë dhe shtëpitë mbushen me ngrohtësi, presidentja Vjosa Osmani…

Diplovista

Linda Rama në Katar, reflektime mbi tranzicionin, kompleksitetin global dhe përgjegjësinë e atyre që drejtojnë

Linda Rama, bashkëshortja e Kryeministrit Edi Rama zhvilloi një bisedë me Laila Humairah në Qendrën për Lidership të Katarit.

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

100-vjetori i themelimit të Urdhrit të Skënderbeut

Një tubim shpirtëror ishte eventi përkujtimor i 100-vjetorit të themelimit të Urdhrit të Skënderbeut dhe i shugurimit të Urdhrave të…

Profil

Elisabeta Katiaj – Zëri i gruas në biznes dhe në diasporë

Si nënkryetare e Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, Katiaj ka ndihmuar në ngritjen e një platforme të fortë për…

Masmedia

Kastriot Xherrai, një jetë e ndërtuar me duar, mëndje dhe besim

Kastrioti është nga ata njerëz që nuk flasin për veten, por flet puna për ta.